Lidhje

Dy pionerë të inteligjencës artificiale fitojnë Nobelin në Fizikë


Shkencëtari amerikan John Hopfield dhe ai britaniko-kanadez Geoffrey Hinton, fituan të martën çmimin Nobel në Fizikë, lidhur me procesin e përdorimit të kompjuterëve për të zbuluar grupe të dhënash masive dhe për të bërë parashikime mbi bazën e tyre, të cilat shtruan rrugën mbi mënyrën se si përdoret inteligjenca artificiale sot.

Komiteti tha se fituesit përdorën koncepte themelore nga fizika statistikore për të krijuar ato që i quajtën “rrjete nervore artificiale” që funksionojnë si memorie dhe gjejnë modele në grupe të mëdha të dhënash.

Zoti Hinton shihet gjerësisht si kumbar i inteligjencës artificiale. Largimi i tij nga kompania Google vitin e kaluar, në mënyrë që të kishte për të folur më hapur mbi rreziqet e përdorimit të inteligjencës artificiale, që ai vetë e kishte krijuar, zuri faqet e para të gazetave.

"Ne nuk kemi përvojë me gjëra më të zgjuara se ne", tha zoti Hinton duke folur nga një hotel në Kaliforni përmes një lidhje telefonike në një konferencë për shtypin të organizuar nga komiteti që jep çmimin Nobel.

"Do të jetë e mrekullueshme në shumë aspekte, në fusha si shëndetësia", tha zoti Hinton. "Por gjithashtu duhet të shqetësohemi për një sërë pasojash të mundshme të këqija. Veçanërisht kërcënimi që këto gjëra të dalin jashtë kontrollit", shtoi ai.

Zoti Hopfield, 91 vjeç, profesor nderi në Universitetin Princeton, krijoi atë që njihet si “memorie shoqëruese”, e cila mund të ruajnë dhe rindërtojë imazhe e lloje të tjera modelesh në grupe të dhënash.

XS
SM
MD
LG