Lidhje

Izraeli fillon operacionet tokësore në Libanin jugperëndimor


Ushtria izraelite tha të martën se filloi operacionet tokësore në Libanin jugperëndimor, duke zgjeruar ndërhyrjet e saj në një zonë të re, një vit pasi shkëmbimet e zjarrit filluan me grupin e armatosur Hezbollah dhe mes lutjeve të Kombeve të Bashkuara për një zgjidhje diplomatike.

Izraeli zgjeron ofensivën në Liban
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:49 0:00

Tensionet rajonale të nxitura një vit më parë nga sulmi i Hamasit, grupit të armatosur palestinez në jug të Izraelit, kanë çuar në një varg operacionesh izraelite nga toka dhe ajri mbi Libanin dhe sulme të drejtpërdrejta nga Irani mbi objektivat ushtarake izraelite.

Irani paralajmëroi Izraelin të martën kundër çdo sulmi ndaj Republikës Islamike, një javë pasi Teherani lëshoi një breshëri raketash mbi të, duke vënë Lindjen e Mesme në buzë të luftës gjithëpërfshirëse.

“Çdo sulm ndaj infrastrukturës së Iranit do të përballet me hakmarrje”, tha ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi.

Ministri i Jashtëm iranian do të vizitojë Arabinë Saudite dhe vendet e tjera në Lindjen e Mesme duke filluar nga e marta, për të diskutuar çështjet rajonale dhe për të punuar në ndalimin e "krimeve" të Izraelit në Gaza dhe Liban, njoftoi agjencia iraniane e lajmeve ISNA.

Shtetet Arabe të Gjirit, shumica prej tyre eksportues të mëdhenj të energjisë si Irani, janë përpjekur ta sigurojnë Teheranin për neutralitetin e tyre në konfliktin Iran-Izrael, i thanë burimet agjencisë së lajmeve Reuters javën e kaluar.

“Dialogu ynë vazhdon në lidhje me zhvillimet në rajon për të parandaluar krimet e paturpshme të regjimit sionist në Liban, në vazhdimësi të krimeve në Gaza”, tha ministri Araghchi në një video të transmetuar nga media shtetërore.

“Duke filluar nga sot unë do të nis një udhëtim në rajon, në Riad dhe kryeqytete të tjera në rajon dhe e do të përpiqemi të kemi një lëvizje kolektive të vendeve të rajonit... për t’u dhënë fund sulmeve brutale në Liban”, shtoi ai.

Në Liban, ushtria izraelite rriti trysninë mbi Hezbollahun e mbështetur nga Irani, duke thënë se po kryente "operacione të kufizuara” në jugperëndim të Libanit.

Ushtria izraelite goditi periferitë jugore të Bejrutit gjatë natës dhe tha se vrau një drejtues të lartë të Hezbollahut, përgjegjës për buxhetin dhe logjistikën e grupit.

Nëse konfirmohet, vdekja e Suhail Hussein Husseinit do të ishte më e fundit në një varg vrasjesh nga Izraeli të udhëheqësve dhe komandantëve të Hezbollahut dhe aleatit të tij Hamasit.

Në goditjen më të madhe ndaj Hezbollahut në dekada, Izraeli vrau udhëheqësin e tij Hassan Nasrallah, në një sulm ajror në periferitë jugore të Bejrutit në fund të muajit të kaluar.

Bashkërenduesi i Posaçëm i Kombeve të Bashkuara për Libanin dhe shefi i misionit paqeruajtës të OKB-së në vend thanë të martën se thirrjet e përsëritura për përmbajtje "kaluan pa u vënë re" përgjatë vitit që kur filloi shkëmbimi i zjarrit midis Hezbollahut dhe Izraelit.

"Sot, një vit më vonë, shkëmbimet pothuajse të përditshme të zjarrit janë përshkallëzuar në një fushatë të pandërprerë ushtarake, ndikimi humanitar i së cilës është asgjë më pak se katastrofik”, thanë ata në një deklaratë të përbashkët.

XS
SM
MD
LG