Lidhje

Dy shkencëtarë amerikanë fitojnë Nobelin në Mjekësi


Çmimi Nobel në mjekësi iu dha të hënën shkencëtarëve amerikanë Victor Ambros dhe Gary Ruvkun për zbulimin e mikroARN-së, përbërës i materialit gjenetik, që ndikon në mënyrën se si funksionojnë gjenet në nivel qelizor dhe që mund të çojë në mënyra të reja të trajtimit të kancerit.

Komiteti i Nobelit në Institutin Karolinska në Suedi tha se ky zbulim “është thelbësisht i rëndësishëm" për të kuptuar mënyrën sesi zhvillohen dhe funksionojnë organizmat.

MicroARN-ja krijon mundësinë për trajtimin e sëmundjeve si kanceri, pasi ndihmon në rregullimin e mënyrës sesi funksionojnë gjenet në nivel qelizor, tha Dr. Claire Fletcher, pedagoge e onkologjisë molekulare në Kolegjin Perandorak të Londrës (Imperial College London).

Dr. Fletcher tha se mikroARN-ja u jep sinjale qelizave të prodhojnë proteina të reja dhe sipas saj ka dy fusha kryesore ku ajo mund të ishte e dobishme: në prodhimin e barnave për trajtimin e sëmundjeve dhe përdorimi i tyre si biomarkues.

"MicroARN-ja ndryshon mënyrën se si funksionojnë gjenet në qelizë", tha doktor Fletcher, eksperte e jashtme që nuk është pjesë e komitetit të që akordon çmimin Nobel.

"Ne mund të përdorim një mikroARN, që e dimë se ndryshon mënyrën se si funksionon një gjen i caktuar, duke e shpërndarë atë në qelizat kancerogjene për të ndaluar efektin e tyre".

Victor Ambros e kreu hulumtimin e tij në Universitetin e Harvardit. Aktualisht ai është profesor i shkencave natyrore në Shkollën Mjekësore të Universitetit të Masaçusetsit.

Gary Ruvkun e kreu hulumtimin në Spitalin e Përgjithshëm të Masachusetsit dhe në Shkollën Mjekësore të Harvardit, ku ai është profesor i gjenetikës.

Vitin e kaluar, çmimi Nobel në Mjekësi iu dha shkencëtares hungarezo-amerikane Katalin Karikó dhe amerikanit Drew Weissman për zbulimin që mundësoi prodhimin e vaksinave kundër COVID-19 që funksionojnë me teknologjinë mARN, një zbulim i rëndësishëm që çoi në ngadalësimin e pandemisë.

Çmimi Nobel shoqërohet me një vlerë monetare prej 1 milion dollarësh.

Të martën akademia do të shpërndajë çmimin Nobel në fizikë, më pas me atë në Kimi, Letërsi, duke përfunduar të premten me çmimin Nobel për Paqe.

XS
SM
MD
LG