Lidhje

Përpjekjet për rimëkëmbjen e zonave të goditura nga uragani “Helene”


Ashvill, Karolina e Veriut.
Ashvill, Karolina e Veriut.

Përpjekjet e kërkim-shpëtimit dhe rimëkëmbjes vazhdojnë në juglindje të Shteteve të Bashkuara pas goditjes nga uragani “Helene”. Një stuhi e re, që tani ndodhet në Gjirin e Meksikës pritet të godas rajonin këtë javë.

Pamjet e filmuara me dron tregojnë zonën e mbuluar me baltë jashtë ndërtesës së kompanisë “New Belgium Brewing” në Ashvill të Karolinës së Veriut.

Këto janë bërë pamje të zakonshme në juglindje të Shteteve të Bashkuara, më pak se dy javë pas goditjes nga uragani “Helene”. Stuhia përmbyti pjesën perëndimore të Karolinës së Veriut me 75 centimetra reshje shiu, sipas mediave lokale.

Stuhia deri më tani ka shkaktuar vdekjen e mbi 220 njerëzve, duke e bërë atë stuhinë më vdekjeprurëse në Shtetet e Bashkuara që nga uragani “Katrina” në 2005.

Zyrtarët thonë se përgjigja federale është e fuqishme dhe në vazhdim e sipër.

“Ne kemi mijëra njerëz në terren tani së bashku me mijëra vullnetarë dhe sektorin privat që punojnë së bashku me partnerët tanë shtetërorë, Gardën Kombëtare, dhe ekipet e emergjencave, që po plotësojnë nevojat e njerëzve në terren”, thotë Deanne Criswell, Administratore e Agjencisë Federale për Menaxhimin e Emergjencave.

Ekipet e ndërtimit po punojnë për të riparuar infrastrukturën e furnizimit më ujë pasi stuhia dëmtoi linjën kryesore që lidh qytetin e Ashvillit me një rezervuar të rajonit.

Njerëzit që jetojnë në zona të largëta rurale mbështeten në metoda të pazakonshme transporti, si kompanitë private të helikopterëve që sjellin ujë, ushqim, karburant dhe sistemin satelitor të internetit, “Starlink”.

Nënpresidentja Kamala Harris, kandidatja demokrate për presidente, vizitoi rajonin këtë javë.

“Këto janë përpjekjet më të mira që mund të bëjmë për të bashkuar burimet federale, shtetërore dhe ato lokale për të ndihmuar njerëzit në nevojë në këto zona”, tha ajo.

Xhorxhia është një shtet tjetër i goditur rëndë nga uragani “Helene”.

Në një konferencë të fundit për shtypin mbi pasojat e uraganit, guvernatori republikan Brian Kemp vuri në dukje se administrata e Presidentit Biden miratoi të gjitha kërkesat e tij për ndihmë federale për qarqet e Xhorxhias.

Kandidati republikan për president, Donald Trump u shfaq me guvernatorin Kemp dhe bëri një pretendim të pabazuar se dollarët e ndihmës federale për fatkeqësitë natyrore po shkonin për emigrantët dhe jo për banorët e zonave në nevojë.

“Kjo është e paligjshme. Ju keni lexuar për emigrantët. Një pjesë e madhe e parave që duhej të shkonte në Xhorxhia, Karolinën e Veriut dhe rajone të tjera tashmë është zhdukur. Ato janë përdorur për të ndihmuar njerëzit që erdhën në vend ilegalisht dhe askush nuk ka parë ndonjëherë diçka të tillë. Ky është turp”, tha ai.

Disa zona në juglinje të Shteteve të Bashkuara mbeten nën ujë me termocentrale të përmbytura plotësisht.

Rajoni tani po përgatitet për uraganin “Milton”.

Sipas Shërbimit Kombëtar të Motit, uragani “Milton” mund të bëhet një stuhi kërcënuese për jetën përpara se të godasë të mërkurën zonat bregdetare tashmë të shkatërruar të Floridës.

XS
SM
MD
LG