Lidhje

Peru, arkeologët zbulojnë vendin 600-vjeçar ku mendohet se sakrifikoheshin fëmijët


Arkivë
Arkivë

Në një zonë pranë qytetit Trujillo në veri të Perusë, arkeologët kanë zbuluar eshtrat e disa dhjetëra fëmijëve, që mendohet se u sakrifikuan më shumë se 600 vjet më parë.

“Shumë nga skeletet kanë prerje në kraharor dhe disa në brinjë”, tha arkeologu Julio Asencio nga zona e gërmimit.

Çdo fëmijë është varrosur veçmas, tha shkencëtari. Pranë zonës së gërmimit u gjetën edhe eshtrat e dy të rriturve dhe kockat e nëntë kafshëve lama, që mendohet të jenë një ofertë që përfaqëson burimin e tyre të ushqimit, veshjen dhe transportin.

Arkeologu Julio Asencio tha se ka gjasa që gjetjet i përkasin grupit lokal “Chimu” që dominoi pjesën veriore të Perusë nga vitet 700 deri në fund të viteve 1400.

Historianët besojnë se grupi mund t’i ketë sakrifikuar fëmijët si një përpjekje për të qetësuar perënditë në të cilat besonin pas shirave të dendur dhe përmbytjeve në zonë. Një dekadë më pas ata u pushtuan nga popullsia inkase.

Në të kaluarën, shkencëtarët zbuluan një tjetër zonë ku mendohet se janë bërë sakrifica masive të 140 fëmijëve nga grupi Chimu. Sipas shkencëtarëve skeletet e gjetur kishin prerje në kraharor dhe brinjë dhe besohet se më pas atyre u ishin hequr zemrat. Aty u gjetën edhe kockat e disa qindra lamave.

Arkeologët kanë zbuluar në Peru disa qindra rrënoja të kulturave të ndryshme para-hispanike e deri në perandorinë Inka, e cila 500 vjet më parë shtrihej nga Ekuadori jugor i ditëve të sotme e deri në pjesën qendrore të Kilit.

XS
SM
MD
LG