Mijëra izraelitë, shumica e tyre ushtarë, janë plagosur në luftime gjatë këtij viti dhe para tyre është një rrugë e gjatë rehabilitimi. Izraeli është një prej vendeve më të përparuara në aspektin e rehabilitimit, por siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës nga Jeruzalemi, Linda Gradstein lufta në Gazë po kufizon burimet e tij. Kjo kronikë përmban pamje të simuluara të plagëve të luftës që mund të jenë shqetësuese për disa shikues.
Kompania e Yonti Bahatit, “Extreme Simulations”, stërvit forcat izraelite për t’iu kundërpërgjigjur sulmeve ushtarake dhe terroriste duke përdorur manekinë dhe organe njerëzore plastike.
Por asnjë lloj simulimi nuk arriti ta përgatiste 48 vjeçarin Bahat, një rezervist i njësiteve ushtarake komando, për plagosjen e rëndë që ai do ta pësonte në Gazë gjatë luftës kundër Hamasit.
Zoti Bahat qëndroi në spital për gjashtë muaj, për shkak të dëmtimeve të rënda në krah dhe këmbë.
Tani ai ka nisur procesin e gjatë të rehabilitimit fizik dhe psikologjik në qendrën Beit Halochem.
“Një pjesë shumë e rëndësishme e rehabilitimit është hidroterapia. Uji të ndihmon që shumë gjëra t’i bësh apo t’i bësh më mirë. I ndihmon edhe mendjes”, thotë ai.
Ushtria izraelite thotë se mbi 10,700 ushtarë janë plagosur që kur filloi lufta kundër Hamasit në Gazë para një viti. Një e treta e tyre po vuajnë nga trauma, ndërsa një e treta kanë pësuar lëndime në gjymtyrë, përfshirë rreth 70 me prerje gjymtyrësh.
Idan Kleiman, drejtori i Organizatës së Invalidëve të Ushtrisë izraelite, vetë i paralizuar nga gjoksi e poshtë, nga plagët e marra në Gazë, gjatë luftimeve në vitin 1992, thotë se shërbimet e përmirësuara mjekësore në fushëbetejë, si rasti i mjekëve që kryejnë operacione urgjente në mes të luftimeve, kanë shpëtuar më shumë jetë ushtarësh se gjatë luftërave të mëparshme.
Por shumë ushtarë që kanë mbijetuar vuajnë nga plagë të rënda.
Zoti Kleiman thotë se buxheti për të zgjeruar numrin e shërbimeve rehabilituese është rritur me 30 për qind.
“Ka njerëz që humbën dy duar dhe një këmbë, dy këmbë dhe një dorë dhe që ende vazhdojnë të marrin frymë, që vijnë në spital dhe që u mbijetojnë këtyre plagëve.
Njerëz të paralizuar dhe të verbër; njerëz me plagë në kokë, me plagë shumë të rënda në kokë. Andaj mjekët, shërbimet tona dhe i gjithë ekipi ynë po sfidohet nga kaq shumë njerëz të plagosur, diçka që nuk e kemi përjetuar më parë”, thotë ai.
Izraeli është i njohur ndërkombëtarisht për trajtimin e ushtarëve të plagosur, duke përdorur teknologjinë e avancuar për të prodhuar proteza për ta dhe teknika të reja rehabilitimi duke përdorur realitetin virtual.
Terapitë intensive të rehabilitimit, fizike dhe psikologjike, janë të një rëndësie thelbësore për luftëtarin e plagosur, inxhinierin Erez Amsalem, i cili ishte në rrezik të humbiste këmbën në një sulm vetëvrasës në Gazë. Ai thotë se ai dhe mijëra ushtarë të tjerë invalidë do të jenë pjesë e një realiteti të ri në Izrael.
“Në rrugë sheh të rinj pa duar e pa këmbë, të rinj me shkop, apo në karrocë. Është e trishtë që kjo do të duket normale. Mendoj se kjo është ndoshta gjëja e vetme për të cilën e tërë shoqëria izraelite do të pajtohet. Nuk ka mosmarrëveshje kur bëhet fjalë për veteranët invalidë”, thotë ai.
Lufta në Gazë gjatë këtij viti të fundit ka çuar në një rritje të madhe të numrit të ushtarëve izraelitë që janë plagosur fizikisht dhe dëmtuar emocionalisht. Sfida për Izraelin, një vend me një popullsi prej rreth 10 milionë banorësh, është t’i rehabilitojë ata dhe më pas t’i integrojnë në shoqëri.