Departamenti Amerikan i Drejtësisë ka nisur një rishikim të masakrës racore të vitit 1921 në Tulsa të Oklahomës, tha Ndihmës Prokurorja e Përgjithshme Kristen Clarke.
Masakra filloi më 31 maj 1921, kur një grup të bardhësh vrau rreth 300 vetë, shumica afrikano-amerikanë, në lagjen e pasur të qytetit të Tulsës, Greenwood, e cila përmendej shpesh me emërtimin si "Black Wall Street", një referencë për rrugën ku ndodhet bursa e Nju Jorkut.
Zonja Clarke tha se Departamenti i Drejtësisë synon ta përfundojë rishikimin e kësaj çështjeje nga fundi i vitit.
"Pas përfundimit të shqyrtimit të kësaj çështje në nivel federal, ne do të nxjerrim një raport që analizon masakrën në dritën e ligjit modern dhe atë ekzistues të të drejtave civile", tha zonja Clarke, e cila mbikëqyr çështjet e lidhura me zbatimin e ligjeve të të drejtave civile në Departamentin e Drejtësisë.
Rishikimi i kësaj çështjeje do të kryhet bazuar në Ligjin “Emmett Till” për të Drejtat Civile, i cili e lejon Departamentin e Drejtësisë të hetojë krimet që lidhen me të drejtat civile, që rezultojnë me vdekje dhe që kanë ndodhur më 31 dhjetor të vitit 1979 ose përpara.
Masakra filloi pasi një afrikano-amerikan u akuzua për sulm ndaj një gruaje të bardhë.
“Ne nuk presim që të ketë autorë krimesh që janë ende gjallë dhe që mund të ndiqen penalisht nga ne ose nga shteti”, tha zonja Clarke. "Ndonëse një komision, historianë, avokatë dhe të tjerë kanë kryer ekzaminime paraprake të Masakrës së Tulsës, ne, Departamenti i Drejtësisë, nuk e ka bërë kurrë këtë."
Ndihmës Prokurorja e Përgjithshme Clarke tha se Departamenti i Drejtësisë po rishikon dokumentet publike, rrëfimet e dëshmitarëve, studimet shkencore dhe historike dhe informacione të tjera lidhur me masakrën.