Lidhje

Shefi i ri i NATO-s Mark Rutte shpreh mbështetje të fortë për Ukrainën


Ish kryeministri holandez Mark Rutte mori sot detyrën si Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, duke zënë vendin e Jens Stoltenbergut, i cili drejtoi aleancën ushtarake për një dekadë.

Sekretari i ri Rutte shprehu mbështetje të fortë për Ukrainën dhe tha se nuk ishte i shqetësuar për zgjedhjet presideciale në Shtetet e Bashkuara dhe se do të bashkëpunonte me secilin nga kandidatët. Ai mori drejtimin e aleancës disa javë para përballjes presidenciale mes demokrates Harris dhe republikanit Trump, i cili ka qenë kritik ndaj NATO-s.

Shefi i ri i NATO-s Mark Rutte shpreh mbështetje të fortë për Ukrainën
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:50 0:00

Një nga shefat më jetëgjatë të NATO-s, Sekretari i Përgjithshëm Jens Stoltenberg ia dorëzoi detyrën të martën ish kryeminsitrit holandez Mark Rutte, në një kohë që aleanca ushtarake përballet me disa nga sfidat më të mëdha në historinë e saj.

“I dashur Mark, të ftoj të zësh vend si drejtuesi i ri i Këshillit të Atlantikut të Veriut”, tha Jens Stoltenberg , ish Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s

Jens Stolteberg, sekretari i 13 i Përgjithshëm i NATO-s e mori detyrën në vitin 2014, kur forcat ruse ndërhynë në Ukrainë. Moska aneksoi gadishullin e Krimesë, duke nxitur rritje të shpenzimeve për mbrojtjen në aleancën më të madhe të sigurisë në botë, e cila u zgjerua gjatë drejtimit të tij. Ai është Sekretari i dytë më jetëgjatë i aleancës, pas diplomatit Joseph Luns, që udhëhoqi NATO-n për 12 vjet.

Sekretari i ri i Përgjithshëm Mark Rutte tha se përparësitë e tij janë mbështetja për Ukrainën, rritja e shpenzimeve për mbrojtjen dhe forcimi i partneriteteve që aleanca ka vendosur me vende të tjera të botës, veçanërisht në Azi dhe Lindje të Mesme.

“Përparësia ime e dytë është të forcoj mbështetjen për Ukrainën dhe ta sjell atë më pranë NATO-s, sepse nuk mund të ketë siguri jetëgjatë në Europë, pa Ukrainën e fortë dhe të pavarur”, tha Sekretari i ri i Përgjithshëm i NATO-s.

Zoti Rutte shtoi se e drejta e Ukrainës për t’u mbrojtur nuk “përfundon tek kufijtë e saj”.

“Të përkrahësh të drejtën e Ukrainës për t’u mbrojtur nënkupton që ata të kenë mundësi të godasin objektiva të ligjshme në territorin e agresorit. Në fund të fundit, është në dorën e secilit prej aleatëve të përcaktojë mbështetjen ndaj Ukrainës, nuk varet nga unë”, tha ai.

Zoti Rutte po ashtu tha se nuk ishte i shqetësuar se cili mund të jetë fitues i zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara ku përballë do të jenë demokratja Kamala Harris dhe republikani Donald Trump, i cili ka qenë një kritik i NATO-s.

“Nuk jam i shqetësuar. I njoh mirë të dy kandidatët. Kam punuar për 4 vjet me Donald Trumpin. Ai na nxiti të shpenzonim më shumë (për mbrojtjen) dhe e arriti këtë. Kamala Harrisi ka bërë një punë shumë të mirë si nënpresidente. Eshtë udhëheqëse shumë e respektuar. Do jem në gjendje të bashkëpunoj me të dy”, tha ai.

Vendet anëtare të NATO-s presin që zoti Rutte të vazhdojë të ndjekë përparësitë e paraardhësit të tij, përkrahjen për Ukrainën, rritjen shpenzimeve të mbrojtjes dhe të vazhdojë të ruajë angazhimin e Shteteve të Bashkuara për sigurinë në Evropë.

Sekretarët e Përgjithshëm të NATO-s drejtojnë selinë qendrore, agjendën e punës së aleancës dhe flasin në emër të të 32 vendeve anëtare të NATO-s. Zakonisht, kur ata marrin detyrën, kanë si fjalë kyçe, vazhdimësinë.

Sekretari Rutte merr drejtimin e NATO-s në një kohë që agresioni rus ndaj Ukranës po i afrohet periudhës prej 1 mijë ditësh.

Ai do të duhet të kërkojë mënyra të reja për të nxitur mbështetjen ndaj Ukrainës ndër radhët e aleancës, e cila ka 32 vende, pasi anëtarësimit të Finlandës dhe Suedisë që kërkuan mbrojtje nga Rusia nën ombrellën e sigurisë së NATO-s.

XS
SM
MD
LG