Në kuadrin e një marrëveshjeje të nënshkruar në korrik me Shtetet e Bashkuara, Panamaja ka filluar deportimin e emigrantëve që hyjnë nga Kolumbia. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Oscar Sulbaran, mbi gjysmë milionë emigrantë kaluan përmes Luginës Darien në vitin 2023 me shpresën se do të arrijnë në Shtetet e Bashkuara.
Gjatë vitit 2023, mbi gjysmë milioni emigrantë kaluan kufirin Kolumbi-Panama, nëpërmjet një brezi xhungle prej 100 kilometrash në Luginën Darien. Shumica e bëjnë këtë udhëtim të rrezikshëm me shpresën se do të arrijnë në Shtetet e Bashkuara.
Presidenti i ri i Panamasë, Jose Mulino, premtoi gjatë fushatës elektorale se do të ndalte fluksin e emigrantëve dhe do të deportonte ata që hyjnë ilegalisht në vend.
“Nuk do të lejoj që Panamaja të jetë një shteg i hapur për mijëra njerëz që hyjnë në vendin tonë ilegalisht, të mbështetur nga një organizatë ndërkombëtare e lidhur me trafikun e drogave dhe qenieve njerëzore”, tha Presidenti Mulino.
Ai përmbushi premtimin e bërë. Sapo mori detyrën në korrik, nënshkroi një marrëveshje me Shtetet e Bashkuara që përfshin një program për t’i deportuar emigrantët drejt vendeve të tyre.
Roger Mojica është drejtues i Shërbimit Kombëtar të Emigracionit të Panamasë.
“Procesi i deportimit përfshin personat me të kaluar kriminale në vendet e tyre të origjinës dhe ata që kanë hyrë në vend në mënyrë të parregullt. Kush kalon kufirin nga Kolumbia, e bën këtë pa autorizim, pasi Shërbimi Kombëtar i Emigracionit nuk ka pika kontrolli në provincën Darien”, thotë zoti Mojica.
Panamaja filloi riatdhesimin e emigrantëve në muajin gusht, me 29 shtetasit e parë kolumbianë, shumica me historik penal. Një avion i dytë deportoi drejt Ekuadorit 30 persona të tjerë.
Megjithatë, shumica e emigrantëve që kalojnë Luginën Darien janë venezuelianë. Megjithatë as Shtetet e Bashkuara dhe as Panamaja nuk mund t’i riatdhesojnë ata, pasi kanë ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Venezuelën.
Emigrantët që kanë pasaporta mund të aplikojnë për një program që u lejon të qëndrojnë përkohësisht në Shtetet e Bashkuara. Por, pjesa më e madhe nuk kualifikohen.
Marlen Pineiro mbulon Amerikën Qendrore në Departamentin amerikan të Sigurisë Kombëtare.
“E dimë se disa prej tyre nuk kanë pasaporta, prandaj mund të mos kualifikohen për këtë program. Por po bisedojmë me disa vende ku ka siguri, duke kërkuar ndihmën e tyre që të ofrojnë rezidencë të përkohshme ose të përhershme për disa nga këto grupe emigrantësh”, thotë zonja Pineiro.
Në shtator, Panamaja dërgoi me avion 130 emigrantë të paligjshëm drejt Indisë dhe planifikon të fillojë deportimin e emigrantëve të parregullt edhe drejt Kinës.