Lidhje

SHBA, 20 milionë dollarë për informacione mbi iranianin që pretendohet se ishte angazhuar për të vrarë një zyrtar amerikan


John Bolton, ish këshilltar për sigurinë kombëtare në administratën e ish Presidentit Donald Trump/Arkiv/AP
John Bolton, ish këshilltar për sigurinë kombëtare në administratën e ish Presidentit Donald Trump/Arkiv/AP

UASHINGTON – Departamenti amerikan i Shtetit ofroi një shpërblim prej 20 milionë dollarësh të enjten për informacione që çojnë në arrestimin e një iraniani që pretendohet se qëndron pas planit për të bërë atentat ndaj ish zyrtarit të Shtëpisë së Bardhë, John Bolton.

Zyrtarët amerikanë njoftuan në gusht të vitit 2022 se zbuluan një plan të përpiluar nga Shahram Poursafi, pjesëtar i Rojës Revolucionare Islamike të Iranit, për të vrarë zotin Bolton, i cili shërbeu si këshilltar për sigurinë kombëtare në administratën e ish Presidentit Donald Trump.

Programi i Departamentit të Shtetit ‘Shpërblim për Drejtësi’ “po ofron një shpërblim deri në 20 milionë dollarë për informacione që çojnë në arrestimin apo shpalljen fajtor” të Shahram Poursafit, thuhet në njoftimin e publikuar të enjten.

Ky veprim erdhi pasi zoti Trump, i cili është kandidat për president në zgjedhjet e sivjetme, tha se ka “kërcënime të mëdha” ndaj tij nga Irani.

Zoti Bolton, i cili konsiderohet se ka qëndrime të rrepta në politikën e jashtme, është kritik i ashpër i Iranit dhe në anën e zyrtarëve që e këshilluan zotin Trump të tërhiqej në mënyrë të njëanshme nga marrëveshja bërthamore me Iranin në vitin 2018.

Sharham Poursafi pretendohet se i ofroi një personi të paidentifikuar në Shtetet e Bashkuara një shumë prej 300,000 dollarësh për të vrarë zotin Bolton në Uashington.

Plani duket se është aktivizuar pas vrasjes nga Shtetet e Bashkuara të komandantit të Rojës Revolucionare Islamike të Iranit Qassem Soleimani në Irak, në janar të vitit 2020, njoftoi në atë kohë Departamenti amerikan i Drejtësisë.

Por ky plan nuk u realizua pasi vrasësi i pretenduar u bë informator i Agjencisë Federale të Hetimeve, FBI.

Autoritetet iraniane i kanë hedhur poshtë pretendimet si “trillime”.

Shtetet e Bashkuara e kanë shpallur Rojën Revolucionare Islamike të Iranit “organizatë të huaj terroriste” në vitin 2019. Fillimisht, krahu për operacione jashtë vendit i kësaj organizate , ‘Forca Kuds’, ishte shpallur organizatë terroriste nga autoritetet amerikane.

XS
SM
MD
LG