Lidhje

Prokuroria e Posaçme mbyll hetimet mbi privatizimin e ish klubit sportiv Partizani


Në Shqipëri, prokuroria e Posaçme ka mbyllur hetimet për rastin e privatizimit të ish klubit sportiv Partizani, për të cilin ka ngritur akuzë ndaj ish kryeministrit Sali Berisha, dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi dhe 3 personave të tjerë

Avokatët e të 5 të pandehurve u paraqitën sot në Prokurori për të tërhequr aktet. Tanimë ata kanë kohë 10 ditë për të paraqitur kundërshtimet e mundshme, përpara se prokurorët e çështjes t’i drejtohen Gjykatës për të kërkuar nisjen e procesit gjyqësor.

Zoti Berisha akuzohet për korrupsion pasiv të kryer në bashkëpunim me zotin Malltezi, ndaj të cilit është ngritur akuzë dhe për pastrim parashë. Sipas Prokurorisë, ish kryeministri, ka favorizuar dhëndrin e tij, një nga ish pronarët e truallit, mbi të cilin më pas, u ngrit një kompleks pallatesh.

Nën akuzë për korrupsion është dhe ndërtuesi Fatmir Bektashi, ndërsa akuza për pastrim parash është ngritur dhe ndaj Xhimi Begejës, bashkëpronar i truallit si dhe ortak së bashku me zotin Malltezi e Bektashi, në kompaninë Homeplan, e cila ndërtoi pallatet.

Për pastrim parash akuzohet dhe Andia Pustina, studio ligjore e së cilës mendohet të ketë kryer veprimet që lidheshin me kompaninë Homeplan.

Zoti Berisha edhe sot i hodhi poshtë akuzat e ngritura ndaj tij duke folur për manipulime faktesh e duke theksuar se sipas tij procesi i privatizimit të ish Klubit Partizani është bërë në përputhje me ligjet dhe pa asnjë shkelje

XS
SM
MD
LG