Lidhje

Sondazhet paraprake: Social-Demokratët me epërsi të lehtë ndaj së djathtës ekstreme në zgjedhjet e Brandenburgut


Partia Social-Demokrate (SPD) e kancelarit gjerman Olaf Scholz duket se ka një epërsi të lehtë ndaj së djathtës ekstreme në zgjedhjet e së dielës në shtetin e Brandenburgut, tregojnë anketimet paraprake.

Para votimeve, sondazhet gjatë gjithë fushatës tregonin se Social-Demokratët qëndronin pas Alternativës për Gjermaninë (AfD).

SPD, e cila ka qeverisur shtetin pranë kryeqytetit Berlin që nga ribashkimi në vitin 1990, mori 31.8% të votave, ndërsa AfD e ekstremit të djathtë, 29.2%, sipas një sondazhi me votuesit pasi dolën nga qendrat e votimit të kryer nga televizioni ZDF.

Fitorja e SPD-së mund të zbusë të paktën për momentin dyshimet brenda partisë për rikandidimin e zotit Scholz për zgjedhjet federale të planifikuara për shtatorin e ardhshëm, duke pasur parasysh rënien e popullaritetit të tij me votuesit.

Megjithatë fitorja nuk ka gjasa të të forcojë ndjeshëm pozitat e tij ose të partisë, duke pasur parasysh se kryeministri aktual i SPD-së në Brandenburg, Dietmar Woidke, ishte distancuar nga Kancelari Scholz gjatë fushatës dhe kishte kritikuar politikat e qeverisë federale.

Tre të katërtat e atyre që votuan për SPD-në nuk e bënë një gjë të tillë bazuar në bindjet për të, por për të shmangur fitoren e AfD-së, sipas një ankete të televizionit ARD.

Pjesëmarrja në votime u rrit në 73% nga 61% pesë vjet më parë, sipas ZDF-së. SPD ka një mbështetje prej vetëm 15% në nivel kombëtar, nga 25.7% që shënoi në zgjedhjet federale të vitit 2021. Ajo qëndron prapa AfD-së me rreth 20% dhe konservatorëve të opozitës me 32%. Të tre partitë në koalicionin me parti me prirje të ndryshme të zotit Scholz, të marra së bashku, gëzojnë aktualisht në sondazhe rreth 30% mbështetje, më pak se konservatorët të vetëm.

Koalicioni është kritikuar ashpër për mosmarrëveshjet e vazhdueshme dhe për trajtimin e imigracionit.

Në Lindjen që dikur ishte pjesë e bllokut komunist, shumë votues janë gjithashtu kritikë ndaj furnizimin me armë të Ukrainës në luftëm kundër agresionit rus.

XS
SM
MD
LG