Lidhje

Emigrantët haitianë në Ohajo ndjehen të rrezikuar 


Gjatë fushatës për zgjedhjet presidenciale, kandidatët republikanë kanë përhapur pretendimin se emigrantët në shtetin Ohajo po hanë macet dhe qentë e banorëve. Por, siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Scott Stearns, kjo ka sjellë rreziqe të sigurisë dhe ndasi të mëtejshme në këto zgjedhje ku emigracioni është një temë qendrore e fushatës elektorale.

Emigrantët haitianë në  Ohajo ndjehen të rrezikuar 
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:48 0:00

Policia në Ohajo kontrollon klasat nëpër shkolla dhe vazhdon të ruajnë vigjilencën përreth godinave pas dhjetëra kërcënimeve për dhunë. Këto masa u morën pas pretendimeve false se emigrantët haitianë në qytetin Springfield po hanë kafshët shtëpiake të banorëve.

“Nuk jemi mësuar me një situatë të tillë në shoqërinë amerikane, që haitianët të sulmohen për diçka që nuk e kanë bërë”, thotë pastorja Dor, e Kishës së Parë Evangjeliste Haitiane në qytetin Springfield.

Këto pretendime në internet dhe gjatë fjalimeve elektorale u bënë nga kandidati për president Donald Trump dhe kandidati për nënpresident, senatori i Ohajos, JD Vance.

Ish-Presidenti Trump tha se emigrantët haitianë në Springfield po hanë macet dhe qentë e banorëve.

“Mund t’ju them këtë gjë. Do të bëjmë deportime të mëdha nga Springfield, Ohajo. Deportime të mëdha. Do t’i largojmë këta njerëz”, tha ish-Presidenti Trump.

Ndërsa zyrtarët në nivel vendor dhe ata të shtetit të Ohajos thonë se nuk ka raportime të besueshme se dikush po ha kafshët shtëpiake zoti Vance i tha kanalit televiziv NBC News se ka dëgjuar për këtë nga votuesit.

“Nuk i përsëris pasi i kam shpikur vetë. I përsëris pasi votuesit e zonës time po thonë se po ndodhin këto gjëra”, tha zoti Vance.

Mbi 15 mijë emigrantë haitianë kanë ardhur ligjërisht në qytetin Springfield me një popullsi prej 60 mijë banorësh, përgjithësisht për shkak të mundësive për punësim dhe koston e lirë të jetesës.

Emigranti Clio Paraison i tha Zërit të Amerikës se për shkak të kësaj situate qëndron më shumë brenda.

“E pashë në internet. Njerëz që flasin për mënyrën sesi haitianët sillen keq. Por qartazi nuk ka asnjë provë. Gjithsesi, unë nuk eci nëpër qytet”, thotë ai.

Rivalja e ish-Presidentit Trump në këto zgjedhje, Nënpresidentja Kamala Harris, thotë se ajo që po ndodh në Springfield është e turpshme.

“Po përdoren burimet e agjencive të zbatimit të ligjit për këtë, për shkak se këto kërcënime serioze po bëhen ndaj një komuniteti, që bënte një jetë produktive, të mirë, përpara kësaj. Dhe me gënjeshtra të bazuara në gojëdhëna të vjetëruara”, tha Nënpresidentja Harris.

Kryetari i bashkisë Springfield, Rob Rue thotë se politikanët që e vendosën këtë qytet në epiqendrën e vëmendjes politike kombëtare, duhet të ndihmojnë për të rikthyer qetësinë.

“Do të dëshironim që ata që ndodhen në skenën kombëtare të mund të sjellin paqen, të zbusin fjalët e tyre dhe të flasin të vërtetën. Këto po kërkon Springfield-i. Na duhet paqe”, tha kryebashkiaku Rue.

Ish-Presidenti Trump dhe senatori Vance thonë se do ta vizitojnë qytetin Springfield për të parë nga afër se ç’po ndodh atje.

Haitian migrants in Ohio threatened in U.S. presidential campaign

XS
SM
MD
LG