Izraeli bëri një sulm të rrallë ajror që vrau një zyrtar të lartë ushtarak të Hezbollahut në një lagje me popullsi të dendur në jug të Bejrutit të premten. Ky ishte sulmi më vdekjeprurës i tillë në kryeqytetin e Libanit prej dekadash. Autoritetet libaneze njoftuan për të paktën 14 persona të vrarë dhe dhjetëra të tjerë të plagosur nga sulmi.
Zëdhënësi kryesor i ushtrisë izraelite, admirali Daniel Hagari, tha se sulmi në distriktin jugor Dahiya të Bejrutit vrau Ibrahim Akilin, një komandant i Forcave elitare të Hezbollahut, "Radwan", si dhe 10 operativë të tjerë të Hezbollahut.
“Do të vazhdojmë t'i ndjekim armiqtë tanë, për të mbrojtur qytetarët tanë, madje edhe në Dahiya, në Bejrut”, tha ministri izraelit i Mbrojtjes Yoav Gallant, duke e përshkruar sulmin izraelit që vrau Ibrahim Akilin si pjesë e “një faze të re lufte”.
Disa orë më vonë, organizata Hezbollah konfirmoi vdekjen e tij, por nuk dha detaje të mëtejshme se si ai vdiq.
Sulmi shkaktoi një tjetër goditje ndaj Hezbollahut pasi grupi pësoi një sulm të paprecedentë në fillim të kësaj jave, gjatë të cilit pajisje elektronike të njohura si bipër si dhe radio dore, të përdorura nga anëtarët e grupit shpërthyen duke vrarë 37 persona dhe plagosur 3 mijë të tjerë.
Ushtria izraelite njoftoi më herët se kishte kryer një "sulm me objektiv të përcaktuar" në Bejrut, por pa dhënë detaje të mëtejshme.
Kjo është hera e dytë në më pak se dy muaj që Izraeli vë në shënjestër një komandant ushtarak të Hezbollahut në Bejrut. Në korrik, si pasojë e një sulmi ajror izraelit, u vra Fuad Shukr, komandanti më i lartë ushtarak i grupit.
Për kapjen e Ibrahim Aqilit, Shtetet e Bashkuara kishin vendosur një shpërblim prej 7 milionë dollarësh, për shkak të lidhjeve të tij me bombardimin e përgjakshëm të marinsave në Liban, në vitin 1983.
"Gjatë viteve 1980, Aqil ishte një nga anëtarët kryesorë të celulës terroriste të Hezballahut, Organizatës së Xhihadit Islamik, e cila mori përgjegjësinë për bombardimin e Ambasadës amerikane në Bejrut në prill 1983, ku u vranë 63 persona, si dhe kazermave të marinsave amerikanë në tetor 1983, duke vrarë 241 anëtarë të personelit amerikan", thuhet në faqen e internetit të Departamentit amerikan të Shtetit.
Zëdhënësi i Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, tha se ai nuk ishte në dijeni të ndonjë njoftimi nga ana e zyrtarëve izraelitë bërë Shteteve të Bashkuara përpara sulmit në Bejrut. Ai shtoi se amerikanëve i është kërkuar me forcë të mos udhëtojnë drejt Libanit ose të largohen nëse janë aktualisht atje.
"Lufta nuk është e pashmangshme dhe ne do të vazhdojmë të bëjmë gjithçka që mundemi për ta parandaluar atë", tha zoti Kirby.
Ky zhvillim vjen pasi Izraeli kreu nje ditë më parë një nga sulmet më intensive ndaj Libanit në një vit, që prej fillimit të konfliktit në Gazë.
Ushtria izraelite njoftoi se avionët e saj goditën rreth 100 sisteme raketahedhësish në pjesën jugore të Libanit, që sipas saj, do të përdoreshin për të goditur Izraelin.
Ndërkohë sot transmetuesi publik izraelit ‘Kan’ njoftoi se Libani kishte lëshuar rreth 150 raketa drejt Izraelit. Ushtria izraelite tha se 120 raketa ishin lëshuar në Lartësitë e Golanit, dhe se e disa prej tyre ishin interceptuar. Deri tani nuk ka patur njoftime për viktima.
Hezbollahu njoftoi se kishte kryer shtatë sulme ndaj objektivave izraelite.
Zhvillimet e fundit pasojnë shpërthimet e së martës dhe së mërkurës në Liban, të pajisjeve të pajisjeve të komunikimit të njohura si bipër, si dhe radiove të dorës që përdoreshin nga Hezbollahu. Këta të fundit kanë akuzuar Izraelin se qëndron pas shpërthimeve. Izraeli as nuk i ka mohuar dhe as pohuar këto akuza.
Sulmet e fundit e kanë pershkallëzuar edhe më tej konfliktin mes dy vendeve. Shtëpia e Bardhë tha se një zgjidhje diplomatike ishte e arritshme dhe urgjente.
“Përkushtimi ynë, ndaj sigurisë së Izraelit është i hekurt. Ne jemi të palëkundur – ndaj të gjitha kërcënimeve që mbështeten nga Irani, përfshirë Hezbollahun. Por ajo që kemi thënë është se zgjidhja diplomatike është e arritshme dhe padyshim urgjente”, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Karine Jean-Pierre në një konferencë për shtypin të enjten pasdite.
Thirrjeve për një armëpushim të menjëhershëm mes Izraelit dhe Hezbollahut iu bashkua edhe Britania e Madhe dhe Franca. Presidenti francez Emmanuel Macron garantoi mbështetjen e vendit të tij për Libanin.
“Mes këtij pështjellimi dhe pikëllimi, Franca qëndron në krahun tuaj sepse lufta nuk është e pashmangshme. Franca nuk do të pushojë së këmbënguluri se e ardhmja e Libanit duhet të shkruhet në Liban, nga populli libanez”, tha ai.
Shpërthimet e së martës dhe të mërkurës të pajisjeve të komunikimit dhe radiove të dorës në Liban, që përdoreshin nga grupi Hezbollall, shkaktuar vdekjen e 37 personave dhe plagosjen e mbi 3 mijë të tjerëve.
Ajo që vazhdon të mbetet mister është se si u vendos lënda shpërthyese brenda këtyre pajisjeve dhe si u komandua shpërthimi i tyre në distancë. Përpjekjet për përgjigje kanë përfshirë Tajvanin, Bullgarinë, Norvegjinë dhe Rumaninë.
Sot autoritetet në Tajvan dhe Bullgari mohuan përfshirjen në zinxhirin e furnizimit të mijëra bipërve që shpërthyen të martën në Liban.
Hezbollahu i lidhur me Iranin është zotuar se do të hakmerret ndaj Izraelit.
Konflikti mes Hezbollahut me Izraelin daton prej dekadash, por u ndez vitin e kaluar paralelisht me luftën në Gazë mes Izraelit dhe grupit të militantëve të Hamasit, duke rritur shqetësimet për një luftë të gjerë rajonale.