Lidhje

Ndikimi i luftës tregtare SHBA-Kinë tek konsumatorët amerikanë


Administra e Presidentit Biden dhe ajo e Ish-Presidentit Trump kanë akuzuar Kinën për praktika të padrejta tregtare dhe mbytjen e tregjeve ndërkombëtare me mallra të lira.

Analistët thonë se të dy kandidatët presidencialë për zgjedhjet e nëntorit, republikani Donald Trump dhe demokratja Kamala Harris po përdorin tarifat për të kundërshtuar Kinën dhe për të inkurajuar prodhimtarinë në Shtetet e Bashkuara.

Korrespondentja e Zërit të Amerikës shpjegon ndikimin që mund të ketë lufta tregtare SHBA-Kinë tek konsumatorët.

Ndikimi i luftës tregtare SHBA-Kinë tek konsumatorët amerikanë
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:25 0:00

Kësaj zileje biçiklete, që është prodhuar në Kinë, mund t’i rritet çmimi nga 6 në 9 dollarë e 60 centë, nëse hyjnë në fuqi tarifat shtesë të propozuara nga kandidati republikan për president Donald Trump.

“Do të vendosim tarifa ndaj vendeve të tjera, të cilat më në fund, pas 75 vitesh, do të na kompensojnë për gjithçka që kemi bërë për botën. Tarifa do të jetë e lartë në disa raste”, tha zoti Trump gjatë debatit presidencial.

Produktet e prodhuara në Kinë do të goditen nga një tarifë deri në 60 për qind, sipas planit të zotit Trump. Ai thotë se tarifa deri në 20 për qind do të vendosen edhe ndaj vendeve tjera.

Si zoti Trump ashtu edhe kandidatja demokrate për presidente, Kamala Harris, thonë se duan të rikthejnë vendet e punës në Shtetet e Bashkuara.

“Politika lidhur me Kinën duhet t’i sigurojë Shteteve të Bashkuara fitoren në konkurrencën e shekullit 21”, tha zonja Harris gjatë debatit presidencial.

Administrata e Presidentit Biden mbajti në fuqi shumicën e taksave mbi importet të vendosura gjatë presidencës së republikanit Trump.

Në maj, Preisdenti Biden njoftoi rritjen e mëtejshme të tarifave për importet kineze me vlerë prej 18 miliardë dollarësh, duke përfshirë një taksë 100 për qind të importit të automjeteve elektrike kineze.

Administrata e Presidentit Biden thotë se tarifat e saj janë më strategjike sepse prekin industri të caktuara, ndërsa shton se plani i zotit Trump ka një qasje më të gjerë dhe se do t’i kushtojë rreth 4 mijë dollarë më shumë në vit një familjeje të klasës së mesme amerikane. Vlerësime të tjera thonë se ndikimi do të jetë rreth 2 mijë dollarë.

Ish-Presidenti Trump thotë se konsumatorët nuk do të preken.

“Ajo që do të ketë çmime më të larta është Kina dhe vendet që na kanë shfrytëzuar prej vitesh”, thotë zoti Trump.

Por, nuk janë bizneset kineze ato që do paguajnë taksat e importit, shpjegon eksperti i zinxhirit të furnizimit, Christopher Tang.

Gjatë viteve zgjedhore të gjithë japin premtime të mëdha. Por, e vërteta është se tarifa mbi importet paguhet nga firmat amerikane”, thotë zoti Tang.

Pra, për një televizor të prodhuar në Kinë që shitet në një dyqan amerikan, është dyqani amerikan ai që paguan taksën e importit.

“Kur kompanitë përballen me tarifa të larta të importeve, ato kanë dy mundësi. Njëra është kaimi i kostos së importit tek konsumatorët ose të kërkojnë ulje çmimesh nga fabrikat kineze”, thotë profesori Tang.

Ai shton se ulja e çmimeve nga fabrikat kineze do të ndikonte në cilësinë e produkteve.

Taksat mbi importet mund të ndikojnë në sasinë e mallrave me etiketa që thonë “prodhuar në Kinë”, por kjo nuk do të thotë se do të ketë më pak importe nga Kina, ato thjesht do të kenë një etiketë nga një vend tjetër, thotë profesori Tang.

“Kina në fakt dërgon shumë pjesë artikujsh në Vietnam dhe Indi ku ato montohen përfundimisht. Këto mallra po importohen edhe në Shtetet e Bashkuara. Prandaj, Kina do të vazhdojë të eksportojë, por jo drejtpëdrejt”, thotë profesori Tang.

Organizata Botërore e Tregtisë thotë se tarifat ndikojnë në mënyrë disproporcionale tek familjet me të ardhura të ulëta, që do të thotë se një zile biçiklete prej 9,60 dollarësh dhe prodhime të tjera të përditshme mund të jenë shumë të shtrenjta për disa konsumatorë... nëse vendoset tarifa prej 60 për qind ndaj mallrave të prodhuara në Kinë.

XS
SM
MD
LG