Një raport i fundit i Institutit Ndërkombëtar për Demokraci dhe Ndihmë Zgjedhore me bazë në Stokholm del në përfundimin se viti 2023 shënoi rënien më të madhe të besueshmërisë në zgjedhje si dhe rolit mbikëqyrës të parlamentit, në pothuajse gjysmë shekulli, kjo për shkak të praktikave frikësuese të qeverive, ndërhyrjes së huaj, dezinformimit si dhe keqpërdorimit të inteligjencës artificiale gjatë fushatave zgjedhore. Raporti mbi Gjendjen Botërore të Demokracisë pasqyron situatën në 158 vende, dhe zbuloi se 47% e tyre, kanë pësuar rënie në treguesit e demokracisë për të 8-in vit me radhë.
Në raport thuhet se besueshmëria në zgjedhje kërcënohet nga rënia e pjesëmarrjes e se rezultatet po kundërshtohen gjithnjë e më shumë.
Një në tre palë zgjedhje në një farë mënyre po kundërshtohen, thuhet në raport.
Genta Gola, Këshilltare për Evropën në Ekipin për Vlerësim të Demokracisë, zbërtheu në një intervistë për Zërin e Amerikës, disa nga gjentjet kryesore të raportit mbi Ballkanin, lidhur me faktorë si qasja tek drejtësia, besueshmëria në zgjedhje, barazia ekonomike, puna e parlamentit dhe sundimi i ligjit.
Zëri i Amerikës: Zonja Gola, si paraqitet situata në rajonin e Ballkanit, a ka përparim apo kthim pas në raport me vitet e kaluara dhe cilin do të theksonit si faktor dominues në secilin rast?
Genta Gola: Gjendja në Ballkan është, si gjithmonë, pak më e ndërlikuar. Megjithatë, sipas të dhënave tona, ndryshimet më të mëdha në Ballkan vijnë nga faktori i qasjes në drejtësi, zgjedhjet e besueshme, barazia ekonomike dhe puna e parlamentit. Në disa raste kemi përmirësim dhe në disa shtete kemi rënie. Sa i përket kategorisë së përfaqësimit, që mbulon procesin e zgjedhjeve, Kosova qëndron më së miri në renditjen e “International IDEA”, në pozitën 61. Shqipëri renditet e dyta në rajon në këtë fushë, në vendin e 68, ndërsa Serbia është e fundit në pozitën e 113. Lajm i keq në këtë rast është se me Serbinë nuk kemi stanjacion krahasuar me vitet e kaluara, por një përkeqësim të mëtejshëm të situatës. Këtë vit, Serbia ka rënë tetë vende më poshtë në kategorinë e përfaqësimit, që lidhet me zgjedhjet. Lidhur me kategorinë e të drejtave të njeriut, që përfshin faktorë si barazia gjinore, barazia e grupeve të tjera shoqërore, përfshirë pakicat, lirinë e shtypit etj., Shqipëria prin në mesin e gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor. Bosnja dhe Hercegovina renditet e fundit në këtë kategori, ndërsa Kosova e parafundit në mesin e gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor. Në kategorinë e sundimit të ligjit, Mali i Zi renditet i pari dhe Kosova e dyta. Maqedonia e Veriu ka paraqitjen më të dobët në këtë kategori dhe Serbia renditet e parafundit. Të dhënat tona tregojnë se nga pikëpamja statistikore, Mali i Zi ka patur rritjen më të madhe në Ballkan, sidomos në kategoritë që lidhen me zgjedhjet. Sa i përket kategorisë së pjesëmarrjes, ku përfshihet pjesëmarrja e publikut dhe shoqërisë civile në proceset demokratike, Mali i Zi renditet i pari në rajon, i pasuar nga Shqipëria, ndërsa Serbia e fundit. Si në afatin dhjetë vjeçar ashtu edhe në atë pesë vjeçar, Sërbia ka shënuar rënie. Prej vitit 2018 deri në vitin 2023, Serbia ka patur rënie të madhe në kategorinë e besueshmërisë së zgjedhjeve, punës së parlamentit, lirive themelore, veçanërisht liria e tubimit dhe organizimit. Serbia është shteti i vetëm në Ballkan, që merr vëmendjen më të madhe në raportin, që ne kemi publikuar të martën, ku mes një prirjeje globale të rënies së zgjedhjeve të besueshme, që ju e përmendët më parë, ajo veçohet.
Zëri i Amerikës: Në klasifikimin e vitit, Kosova dhe Shqipëria nuk kanë shënuar ndonjë ndryshim të madh në shumë tregues të demokracisë. Shqipëria duket se ka një përmirësim të qasjes në drejtësi, por një rënie tek barazia ekonomike, dhe e kundërta ka ndodhur në Kosovë, që ka shënuar një rritje të barazisë ekonomike. Çfarë mendoni se ka kontribuar në këtë situatë?
Genta Gola: Lidhur me Kosovën dhe Shqipërinë, të dhënat tona nuk tregojnë shumë ndryshime. Shqipëria ka pësuar rënie me peshë statistikore në barazinë ekonomike në pesëvjeçarin e fundit si pasojë e rënies në treguesit që lidhen me pabarazinë socioekonomike dhe atë rurale dhe urbane. Pra, përceptimi në përgjithësi është se ekonomia ka shkuar drejt decentralizimit në pak duar dhe forcimit të aktorëve të mëdhenj, zakonisht të lidhur me politikën dhe oligarkët përmes disa ligjeve të veçanta, që i kanë bërë ata investitorë strategjikë. Për shembull, në platformën tonë “Democracy Tracker”, ne kemi raportuar për pezullimin e fondeve të BE-së për agrokulturën pasi OLAF ka konfirmuar keqpërdorimin e 33 milionë eurove dhe ka raportuar se ka patur manipulim me tendera, çmime të fryera dhe kështu me radhë. Ky skandal ka hapur polemika mbi keqpërodrimin e fondeve për grupet më të pambrojtura të tregut të punës në shoqëri. Pra këta shembuj mund të ndikojnë në pabarazinë ekonomike në vend. Sa i përket qasjes në drejtësi, ajo vjen nga rritja e llogaridhënies së gjyqësorit dhe gjykimeve, që konsiderohen të drejta, si rezultat i punës së SPAK-ut. Kjo është rezultat edhe i reformës në sektorin e drejtësisë, që ka përfshirë edhe reforma legjislative dhe institucionale, si dhe krijimin e një sistemi të ndihmës juridike falas.
Zëri i Amerikës: Vitin që vjen në Shqipëri dhe Kosovë do të ketë zgjedhje të përgjithshme, si paraqitet situata me besueshmërinë tek proceset zgjedhore në këto dy vende?
Genta Gola: Bazuar në të dhënat tona, Kosova qëndron pak më mirë se Shqipëria në kategorinë e zgjedhjeve të besueshme. Nëse i hedhim një vështrim përceptimit të publikut, që janë shumë të rëndësishme për mbarëvajtjen e zgjedhjeve dhe pjesëmarrjen e publikut, Kosova sërish është më mirë në mesin e vendeve të Ballkanit. Por, së fundmi ne kemi parë disa reforma të pjesshme në Shqipëri, që kanë kaluar gjatë verës dhe ka patur skepticizëm ndaj tyre. Për shembull, ka patur shqetësim mbi votimin e diasporës dhe mbi pikat, që mund të krijojnë më shumë mundësi për manipulim të zgjedhjeve. Pra mbetet të shihet, nëse Shqipëria do ta kalojë testin në këtë pikë dhe se si do të shkojë procesi i zbatimit të këtyre reformave të reja.