Gert Bogdani, politikani i opozitës, ish deputet i Partisë Demokratike (2009-17) ndërroi jetë sot papritur në moshën 45 vjeçare prej një arresti kardiak afër mesditës. Policia njoftoi se ai u transportua në spital për ndihmë mjekësore, por pa rezultat.
Kuvendi shtyu seancën plenare të programuar të enjten paradite, duke ia kushtuar mjediset për disa orë nderimeve zyrtare për ish deputetin Bogdani.
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, shprehu në mediat sociale “hidhërimin për ikjen e beftë nga jeta të Gerti Bogdanit”.
Zoti Begaj theksoi në mesazhin e tij se "Bogdani promovoi vlerat më të mira në qeverisjen vendore, jetën parlamentare dhe atë politike, duke i shërbyer vendit, kauzës së të rinjve dhe përfshirjen e tyre në vendimmarrje si dhe integrimit në BE”.
Kryeministri Edi Rama shprehu “keqardhjen për ndarjen kaq të parakohshme nga jeta” si dhe ngushëlloi familjen Bogdani dhe bashkëshorten e zotit Bogdani.
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, e quajti “një lajm të zi dhe shokues” njoftimin për largimin e parakohshëm nga kjo jetë e zotit Gert Bogdani.
“Gerti Bogdani ka qenë dhe do të mbetet në memorien time njëri nga personalitetet e reja të PD-së më të njohura, më të shquara. Ka qenë një politikan demokrat, me civilitet, me formim e përgatitje, me ndershmëri e urtësi në shkallën më të lartë. Kjo është një humbje e madhe për PD-në, por është një humbje e vërtetë për shoqërinë shqiptare”, tha zoti Berisha.
Ish kryetari i PD-së, Lulzim Basha, shprehu “tronditjen e tij për largimin e papritur e të parakohshëm nga jeta të mikut dhe bashkëpunëtorit” të tij Gert Bogdani, duke e cilësuar atë si “modelin e intelektualit konsensual” dhe njërin nga përfaqësuesit e demokratëve më të përkushtuar.
“Një shpirt i lirë dhe i përkushtuar ndaj të tjerëve, një politikan i talentuar dhe me vlera, Gerti shërbeu me pasion dhe integritet në funksionet e tij publike, duke nderuar Partinë Demokratike me përfaqësimin dinjitoz brenda dhe jashtë vendit”, tha zoti Basha.
Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Bledi Çuçi, e cilësoi ndarjen nga jeta të zotit Bogdani si “lajm të kobshëm, për të cilin nuk gjenden fjalë për të zbutur dhimbjen”.
“Ndarja e papritur nga jeta e kolegut tonë dhe ish-deputetit, Gerti Bogdani… një peshë e rëndë e dhimbjes në zemrat e bëra gur prej tronditjes”, tha zoti Çuçi.
Gert Bogdani ishte angazhuar qysh i ri në jetën politike të vendit, për disa vite ishte drejtues i Forumit Rinor i Partisë Demokratike, si dhe një nga deputetët më të rinj në Kuvend.