Lidhje

Presidenti Biden dënon atentatin e dytë ndaj zotit Trump


Presidenti Joe Biden
Presidenti Joe Biden

Presidenti amerikan Joe Biden denoncoi atentatin e dytë kundër paraardhësit të tij, duke e quajtur dhunën politike një veprim jo-amerikan.

"Nuk ka vend për dhunë politike në Amerikë. Asnjëherë. Kurrë", tha Presidenti Biden në një konferencë të kolegjeve dhe universiteteve afrikano-amerikane në Filadelfia.

“Në Amerikë, ne i zgjidhim mosmarrëveshjet tona në mënyrë paqësore, në kutinë e votimit. Jo me tytën e një arme”, tha Presidenti Biden të hënën.

“Amerika ka vuajtur shumë herë tragjedinë e plumbit të një vrasësi”, shtoi ai. "Kjo nuk zgjidh asgjë dhe thjesht përçan vendin."

Komentet e Presidentit Biden erdhën vetëm rreth 24 orë pasi agjentët e Shërbimit Sekret të Shteteve të Bashkuara pikasën një person të dyshuar të armatosur në fushën e golfit të ish-presidentit Donald Trump në Florida.

Shtëpia e Bardhë tha më vonë të hënën në mbremje përmes një deklarate se Presidenti Biden kishte zhvilluar një bisedë të përzemërt në telefon me ish-presidentin Trump lidhur me atentatin ndaj tij në Florida.

Zoti Trump përmes një deklarate të lëshuar nga drejtuesit e fushatës së tij, tha: “Ne patëm një telefonatë shumë të mirë. Biseda kishte të bënte me mbrojtjen nga Shërbimit Sekret.” Ekipi i fushatës së tij nuk dha më shumë detaje rreth bisedës telefonike.

Shërbimi Sekret hapi zjarr pasi njëri prej agjentëve pikasi grykën e pushkës që dilte nga shkurret të dielën, mbi 300 metra pranë fushës ku ish-presidenti po luante golf.

I dyshuari u largua me një makinë fuoristradë, thanë autoritetet. Oficerët e policisë gjetën të lëna pas një armë gjysmë automatike të mbushur me municion (SKS) dhe të pajisur me një dylbi snajperi, një kamera dixhitale dhe një qese plastike me ushqime.

I dyshuari, i identifikuar të hënën me emrin Ryan Routh, i moshës 58 vjeçare, u arrestua rreth 40 minuta pasi kishte udhëtuar me makinë përgjatë autostradës drejt veriut, I-95. Kur u pyet a e dinte se përse po e ndalonin, zoti Routh “u përgjigj në mënyrë pohuese”, thanë autoritetet. Targat e vendosura në automjet ishin raportuar si të vjedhura nga një makinë tjetër. Ndaj të dyshuarit u ngritën akuza për shkelje të ligjit për armëmbajtje në një gjykatë federale të hënën.

Kandidati republikan për president në zgjedhjet e këtij viti që mbahen më 5 nëntor nuk u dëmtua fizikisht. Por, ky incident ngre pikëpyetje të reja se si dyshuari i armatosur arriti t’i afrohet, vetëm dy muaj pasi një tjetër person i armatosur hapi zjarr më 13 korrik gjatë një tubimi në Butler të Pensilvanisë, duke e plagosur ish-presidentin në veshin e djathtë.

XS
SM
MD
LG