Lidhje

SHBA nuk pritet të ndryshojë qëndrim mbi përdorimin nga Kievi të raketave me rreze të gjatë veprimi


Shtetet e Bashkuara nuk planifikojnë të shpallin ndonjë politikë të re për Ukrainën dhe përdorimin e raketave me rreze të gjatë veprimi të premten, tha Shtëpia e Bardhë.

"Nuk ka asnjë ndryshim në qëndrimin tonë për lejimin e përdorimit të raketave me rreze të gjatë nga Ukraina brenda Rusisë", u tha gazetarëve zëdhënësi i sigurisë kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby.

"Nuk pres ndonjë njoftim të rëndësishëm në këtë drejtim", tha zoti Kirby nga diskutimet midis presidentit të Shteteve të Bashkuara Joe Biden dhe Kryeministrit britanik Keir Starmer.


Presidenti Biden dhe Kryeministri Starmer do të takohen në Shtëpinë e Bardhë të premten pasdite.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka kërkuar prej aleatëve për muaj të tërë që ta lejojnë Ukrainën të përdorë raketat perëndimore, përfshirë raketat amerikane 'ATACMS' me rreze të gjatë veprimi dhe ato të prodhimit britanik 'Storm Shadows', në thellësi të territorit të Rusisë.

Zoti Kirby tha se Uashingtoni e merr seriozisht paralajmërimin e Presidentit rus Vladimir Putin se ai do ta konsideronte Perëndimin të përfshirë drejtpërdrejt në konflikt nëse Ukraina niste drejt Rusisë raketa me rreze të gjatë veprimi të marra nga perëndimi. Megjithatë, ai rikujtoi se ky nuk ishte një qëndrim i ri i Presidentit Putin.

"Kjo nuk është retorikë që nuk e kemi dëgjuar më parë prej tij", tha zoti Kirby. “Ai ka dëshmuar qartë se është i aftë për agresion… kështu që, po, ne i marrim këto komente seriozisht”.

XS
SM
MD
LG