Lidhje

Serbia kërkon kthimin e “gjendjes së mëparshme” në veri të Kosovës


Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç, tha të premten se vendi i tij kërkon kthimin në “status quo ante” (gjendjen e mëparshme) në veriun e Kosovës, si rrugë për tejkalimin e situatës së krijuar nga ato që ai i cilësoi, synim të Prishtinës për përndjekjen e popullsisë serbe.

Në një konferencë për shtypin ai tha se Beogradi do të nisë një "fushatë globale diplomatike" për të arritur plotësimin e kërkesave që kanë të bëjnë me atë që sipas tij është arritur në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.

Kërkojmë shpalljen dhe mbajtjen e zgjedhjeve lokale të lira dhe demokratike në veriun e Kosovës, me pjesëmarrjen e misionit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë dhe mbikëqyrjen e Bashkimit Evropian. Kthimin e serbëve në Drejtorinë Rajonale të Policisë së Kosovës për veriun dhe kthimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë në funksionet e tyre gjyqësore. Tërheqjen e forcave të posaçme të Policisë së Kosovës nga veriu”, tha presidenti serb duke vënë theksin te “formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe”.

Në kuadër të kërkesave ai përmendi edhe “lirimin e menjëhershëm të të gjithë të burgosurve politikë" të arrestuar nga Policia e Kosovës, dhe “kryerjen e pagesave dhe shërbimeve postare me valutën serbe”.

Në një konferencë të gjatë ai tha se përveç këtyre kërkesave, parlamenti Serbisë do të miratojë një ligj brenda 45 ditësh për të shpallur Kosovën “zonë të mbrojtjes së veçantë sociale, duke garantuar kështu të drejtën për mbështetje financiare për të papunët".

Ai tha se "institucionet serbe" në Kosovë që u mbyllën nga autoritetet e Prishtinës, "nuk do të shfuqizohen apo mbyllen" dhe pranë kufirit me Kosovën, do të hapen zyra ku serbët e veriut të Kosovës do të kenë qasje në shërbimet e mbrojtjes sociale dhe që ato do të ofrojnë shërbime vitale shtetërore dhe administrative për qytetarët.

Presidenti serb paralajmëroi edhe themelimin e prokurorisë që posaçme “që do të ndjek të gjithë ata që kryejnë përndjekjen e serbëve në Kosovë, përfshirë serbët që punojnë për shërbimin shqiptar”. Po ashtu tha ai, parlamenti i Serbisë do t’i shpallë ta paligjshme dhe të pavlefshme të gjitha aktet që janë miratuar nga Prishtina në kundërshtim me marrëveshjet e Brukselit.

Kërkesat e presidentit serb u paralajmëruan tre ditë më parë si kundërpërgjigje ndaj vendimeve të autoriteteve të Kosovës për shuarjen e e institucioneve paralele serbe në veriun e banuar me shumicë serbe.

Pak kohë para konferencës së presidentit serb, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, tha se “Vuçiçi në bashkërendim me Rusinë, mbi varrezat masive, po përgatit kërcënime dhe ultimatume të reja ndaj Kosovës”.

Në një postim në Facebook, kryeministri Kurti radhiti pasojat e krimeve të forcave serbe në Kosovë, duke theksuar mes tjerash se Serbia “në vend që të pendohet për krimet, të kërkojë falje për to dhe të mos i mohojë ato; t’i hapë arkivat e luftës të policisë dhe ushtrisë jugosllave, sidomos të brigadës së motorizuar 37; të paguajë dëmshpërblimet; të bashkëpunojë për të vendosur drejtësi për viktimat e gjenocidit; të angazhohet për pajtim e paqe duke reflektuar mbi përgjegjësinë që ka; ajo ka zgjedhur anën e kundërt, duke përsëritur kërcënimet dhe ultimatumet, ndaj Kosovës dhe qytetarëve të saj, në bashkëpunim dhe koordinim të afërt me Rusinë. Krimet makabre që Serbia para 25 vjetëve i kreu në Kosovë, sot po përsëriten nga Rusia në Ukrainë dhe po synohen që të kthehen prapë në rajonin e Ballkanit”.

Kryeministri Kurti tha se qasja e pushtetit në Serbi ndaj Kosovës është tejet dëshpëruese.

Fillimisht u normalizua pandëshkueshmëria dhe fushatat propaganduese. E tash po synohen të normalizohen sulmet paramilitare dhe terroriste (Banjska, 24 shtator 2023), kërcënimet dhe ultimatumet, të cilat arsyetohen me lajme të rrejshme dhe fushata dezinformuese, para syve të botës demokratike. Sot, Kosova është më e fortë se kurrë më parë, nuk trembet nga kërcënimet. Ne mbrojmë të gjithë qytetarët tanë dhe liritë e të drejtat e tyre, integritetin territorial dhe sovranitetin shtetëror të vendit tonë, progresin demokratik e socio-ekonomik të popullit dhe institucioneve tona. Mirëpo, kjo që po ndodhë aktualisht, tregon se sa larg është Serbia nga vlerat demokratike dhe njerëzore dhe sa e mishëruar mbetet me gjenocidin e kryer në vitet e ‘90-ta”, shkroi mes tjerash kryeministri Kurti.

Kosova është gjetur nën kritikat e diplomacisë perëndimore për ato që janë cilësuar veprime të njëanshme dhe të pabashkërenduara në veri ku autoritetet mbyllën komunat paralele serbe të emëruara nga Beogradi, të cilat Prishtina i cilëson të paligjshme.

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara po u bëjnë thirrje palëve që çështjet të diskutohen në kuadër të bisedimeve në Bruksel dhe të fillojnë zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve, për të cilën palët u morën vesh në Bruksel dhe në Ohër.

A do të mbahet javën që vjen një raund i ri bisedimesh Kosovë – Serbi?

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, njëherësh kryenegociator në bisedimet me Serbinë në Bruksel, shkroi të premten se i dërguari evropian Miroslav Lajçak ka ftuar palët për një takim me 17 shtator.

Në një postim në platformën e rrjeteve sociale X, zoti Bislimi tha se Kosova e ka pranuar takimin sipas një agjende të përcaktuar nga ndërmjetësuesi, ndërsa Serbia është përpjekur të ta përcaktojë agjendën “kryesisht për konsum të brendshëm politik”.

Ai i bëri thirrje zotit Lajçak që të hedhë poshtë ato që i ka konsideruar dezinformata të mediave serbe, që raportuan se ishte Kosovës ajo që refuzoi një takim trepalësh.

Zyrtarët evropiane nuk i kanë komentuar njoftimet, por ditë më parë zoti Lajçak zhvilloi takime në Prishtinë dhe Beograd në përpjekje për ripërtëritjen e bisedimeve në nivel të kryenegociatorëve, për zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve, për të cilën palët u pajtuan vitin e kaluar në Bruksel dhe në Ohër.

Prishtina akuzon Beogradin për moszbatim të marrëveshjes. Presidenti serb Vuçiç tha se Serbia nuk ka asnjë problem me marrëveshjen e Ohrit përveç anëtarësimit të Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

XS
SM
MD
LG