Lidhje

SHBA njofton një ndihmë prej 700 milionë dollarësh për rrjetin energjetik të Ukrainës


Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken njoftoi mbi 700 milionë dollarëve ndihmë humanitare për Ukrainën të mërkurën gjatë një vizite në Kiev. Ndihma ka për qëllim forcimin e rrjetit energjetik që Rusia e ka sulmuar vazhdimisht.

Njoftimi erdhi ndërsa Sekretari Blinken ishte në një vizitë të përbashkët me Sekretarin e Jashtëm britanik, David Lammy, pasi dy diplomatët udhëtuan së bashku në kryeqytetin ukrainas për të nënvizuar angazhimin e tyre ndaj vendit që është në luftë me Rusinë. Zyrtarët ukrainas u bënë trysni vizitorëve që t'i lejonin të përdornin raketa me rreze të gjatë veprimi, të ofruara nga Perëndimi, kundër objektivave brenda Rusisë.

Sekretari Blinken tha se ai "do ta dërgonte kërkesën në Uashington për të informuar presidentin".

“Duke folur në emër të Shteteve të Bashkuara, ne u jemi përshtatur nevojave, ndërsa fushëbeteja ka ndryshuar. Nuk kam asnjë dyshim se ne do të vazhdojmë ta bëjmë këtë ndërsa situata ndryshon", tha Sekretari Blinken në një konferencë për shtypin.

Sekretari britanik Lammy tha se konflikti 2 vjeçar e gjysmë është në një pikë "kritike" pasi forcat ukrainase e filluan një sulm muajin e kaluar në rajonin Kursk të Rusisë, ndërsa vendi vazhdon të mbrohet nga sulmet e vazhdueshme vdekjeprurëse ruse.

“Ne përcjellim ngushëllimet më të thella për sulmet tronditëse që kemi parë, mbi humbjen e jetës civile, veçanërisht grave dhe fëmijëve. Këto sulme janë të tmerrshme, barbare, të pabesueshme”, tha zoti Lammy.

Ai vuri në dukje se Britania ka ndarë 3.9 miliardë dollarë në vit për të ndihmuar Ukrainën.

Por marrëdhëniet midis Ukrainës dhe partnerëve të saj perëndimorë janë tensionuar gjithnjë e më shumë nga thirrjet e përsëritura të Kievit për marrjen e lejës për të përdorur armët perëndimore me rreze të gjatë për të goditur objektiva më thellë brenda Rusisë.

Kjo çështje është bërë më urgjente duke pasur parasysh blerjen e fundit të Rusisë të raketave balistike nga Irani. Megjithatë, udhëheqësit perëndimorë e kanë refuzuar kërkesën, nga frika se, nëse jepet leja, kjo mund të përshkallëzojë luftën.

Presidenti Biden e ka lejuar Ukrainën të hedhë raketa të dërguara nga Uashingtoni përtej kufirit drejt Rusisë në vetëmbrojtje, por kryesisht për distanca të shkurtra për shkak të shqetësimeve për përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy tha se shpresonte për ndryshime në këto kufizime.

"Ne i kemi shpresat tek disa vendime të fuqishme", tha ai. "Për ne, është shumë e rëndësishme."

Ai tha se pret të flasë me Presidentin Biden në fund të këtij muaji, duke vënë në dukje se mbështetja ushtarake dhe financiare e Uashingtonit është thelbësore.

“Ne nuk mund të mbijetojmë pa këtë ndihmë,” tha Presidenti Zelenskyy.

Megjithatë, Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin javën e kaluar kundërshtoi idenë se sulmet me rreze të gjatë do të sillnin ndonjë ndryshim në terren.

"Unë nuk besoj se kjo do të ishte vendimtare dhe i qëndroj atij komenti," tha Sekretari Austin në një takim të krerëve ushtarakë aleatë në Gjermani. "Ukrainasit kanë mjete të tjera për të goditur objektiva me rreze të gjatë", shtoi ai.

Kryeministri ukrainas Denys Shmyhal i tha Sekretarit Lammy se shpresonte se mund të arrihet një marrëveshje për përdorimin e objekteve me rreze të gjatë veprimi"për sulme në territorin e armikut tonë". “Shpresojmë në ndihmën dhe mbështetjen tuaj në këtë çështje.”

Kryeministri Shmyhal e përshkroi takimin me Sekretarin Lammy në Kiev si "intensiv", por nuk dha detaje të tjera në postimin e tij në kanalin e tij në 'Telegram'.

Ukrainën e pret një dimër i vështirë. Rrjeti i saj energjetik është nën sulme të vazhdueshme ruse. Rreth 70 % e kapaciteteve të saj energjetike janë shkatërruar.

Vizita e së mërkurës vjen përpara udhëtimit të kryeministrit britanik Keir Starmer në Uashington, ku ai do të takohet me Presidentin Joe Biden në Shtëpinë e Bardhë të premten. Kërkesa e Ukrainës për të goditur objektivat ruse do të përfshihet në këtë diskutim.

Ndërsa zoti Blinken dhe zoti Lammy mbërritën në Kiev, Mbretëria e Bashkuar njoftoi se po ndalonte 10 anije tregtare që i akuzon për transport të paligjshëm të naftës ruse në kundërshtim me sanksionet ndërkombëtare.

XS
SM
MD
LG