Lidhje

SHBA përkujton viktimat e sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001


Në Shtetet e Bashkuara po përkujtohen të martën rreth 3 mijë viktimat, pasojë e sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001.

Ky përvjetor i 23-të shënohet ndërsa vendi ndodhet në fushatë presidenciale.

Presidenti Joe Biden, Nënpresidentja Kamala Harris dhe ish-Presidenti Donald Trump qëndruan krah njeri-tjetrit në ceremoninë që u mbajt në Qendrën Botërore të Tregtisë në Nju Jork.

Në vitin 2008, në ditën që përkujtoi viktimat e sulmeve me avionë të rrëmbyer, senatorët e atëhershëm dhe rivalët e fushatës presidencialë, John McCain dhe Barack Obama, bënë një përpjekje të dukshme për të lënë mënjanë politikën.

Ata vizituan së bashku vendin ku ngriheshin dikur dy kullat e larta binjake të Qendrës Tregtare Botërore, duke vendosur lule për nder të viktimave.

Pavarësisht nga kalendari i fushatës, organizatorët e ceremonive me rastin e 11 shtatorit, prej kohësh janë përpjekur të përqëndrohen tek viktimat.

Për vite të tëra, politikanët kanë qenë vetëm vëzhgues në këto ceremoni, ku të afërmit e viktimave lexojnë me zë të lartë emrat e atyre që humbën jetën.

Ju jeni rreth njerëzve që ndihen të pikëlluar, e krenarë njëkohësisht – kjo ditë është për këtë gjë, nuk është politike”, tha Melissa Tarasiewicz, që humbi babanë e saj më 11 shtator, Allan Tarasiewicz, i cili punonte si zjarrëfikës në Nju Jork.

Krahas Nju Jork, ceremoni u zhvilluan edhe në Pensilvani e në Pentagon, tre vendet ku u rrëzuan avionët e marrë peng nga operativë të Al-Kaidës.

Zyrtarët amerikanë kanë arritur në përfundimin se avioni që u rrëzua pranë zonës rulare Shanksville të Pensilvanisë më 11 shtator të 2001, ishte nisur drejt Uashingtonit. Ai u rrëzua pasi anëtarët e ekuipazhit dhe pasagjerët, u përplasën me rrëmbyesit në një përpjekje për të marrë kontrollin e avionit.

Sulmi terrorist ndryshoi gjithashtu politikën e jashtme amerikane, praktikat e sigurisë së brendshme dhe mendësinë e shumë amerikanëve që nuk ishin ndjerë më parë të pasigurt ndaj sulmeve nga ekstremistë të huaj.

Efektet u përhapën në mbarë botën dhe brez pas brezi, ndërsa SHBA u përgjigj duke udhëhequr luftën globale kundër terrorizmit.

XS
SM
MD
LG