Lidhje

Blinken dhe Lammy takohen me ministrin e ri të jashtëm të Ukrainës


Sekretari i jashtëm britanik David Lammy dhe Sekretari i Shtetit Anthony Blinken arrijnë me tren në Kiev 11 shtator 2024
Sekretari i jashtëm britanik David Lammy dhe Sekretari i Shtetit Anthony Blinken arrijnë me tren në Kiev 11 shtator 2024

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken dhe Sekretari i jashtëm britanik David Lammy mbërritën në Kiev për një vizitë të përbashkët të mërkurën, ndërsa Ukraina ka shtuar trysninë ndaj Perëndimit që ta lejojë atë të përdorë raketa me rreze të gjatë veprimi kundër Rusisë.

Diplomatët e lartë u takuan me homologun e tyre ukrainas Andrii Sybiha të mërkurën pasdite, ku ata përsëritën mbështetjen e tyre për Ukrainën.

"Jemi këtu së bashku si partnerë për të dëgjuar, për të ndarë idetë dhe për të vazhduar të planifikojmë rrugën përpara. Shpresoj ta bëjë shumë të qartë se ka një mbështetje të qëndrueshëm ndaj Ukrainës dhe popullit ukrainas", tha Sekretari Blinken.

Zoti Lammy i tha ministrit Sybiha se mbështetja britanike për Ukrainën është në nivelin prej 3 miliardë paundësh, duke shtuar se ai dhe Sekretari Blinken janë në Kiev për të "dëgjuar qëndrimet ukrainase në këtë moment kritik".

"Mbetemi të bashkuar në qëndrimin tonë, sepse i vetmi person që përfiton nga çdo mundësi kur ne nuk jemi bashkë, natyrisht është Putini", tha ai.

Vizita e rrallë e përbashkët e diplomatëve të lartë britanikë dhe amerikanë, që në mënyrë të pazakontë u njoftua paraprakisht, është një sinjal publik i Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë së Madhe për mbështetje për Ukrainën përpara një dimri që do të ketë sulme brutale nga forcat ruse.

Sulmet ajrore ruse, të cilat më së shumti synojnë dëmtimin e infrastrukturës energjetike të Ukrainës, janë intensifikuar javët e fundit me sulme me raketa dhe dronë gjatë natës.

Për muaj të tërë, Ukraina ka kërkuar miratimin për të përdorur armët me rreze të gjatë nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët perëndimorë për të goditur objektivat në Rusi. Kievi pritet të shtojë trysninë duke marrë parasysh blerjen e fundit të armëve nga Rusia.

Vizita e së mërkurës vjen përpara udhëtimit të kryeministrit britanik Keir Starmer në Uashington, ku ai do të takohet me Presidentin Joe Biden në Shtëpinë e Bardhë të premten. Kërkesa e Ukrainës për leje për të goditur objektivat ruse do të përfshihet në këtë diskutim.

Presidenti Biden e ka lejuar Ukrainën të nisë raketa të dërguara nga Uashingtoni përtej kufirit drejt Rusisë në vetëmbrojtje, por kryesisht për distanca të shkurtra për shkak të shqetësimeve për përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit.


Ndërsa zoti Blinken dhe zoti Lammy mbërritën në Kiev, Mbretëria e Bashkuar njoftoi se po ndalonte 10 anije tregtare që i akuzon për transport të paligjshëm të naftës ruse në kundërshtim me sanksionet ndërkombëtare.

XS
SM
MD
LG