Dhoma e Apelit në Gjykatën e Posaçme në Hagë, i uli të martën dënimin në 15 vjet heqje lirie Sali Mustafës, një ish-komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Zoti Mustafa në dhjetor të vitit 2022 ishte dënuar me 26 vjet heqje lirie nën akuzat për krime lufte ndërsa një vjet më vonë Dhoma e Apelit i uli dënimin në 22 vjet.
Por, zoti Mustafa apeloi vendimin duke kërkuar rishqyrtimin e tij.
Në një komunikatë të të Dhomës së Apelit Gjykatës së Posaçme në Hagë thuhet se “vendimi ka ndjekur udhëzimet e vendimit të panelit të Gjykatës së Lartë të datës 29 korrik 2024, lidhur me kërkesën e z. Mustafa për mbrojtjen e ligjshmërisë, i cili anuloi dënimin e z. Mustafa me 22 vjet burgim dhe ia ktheu çështjen përsëri Panelit të Apelit”.
Salih Mustafa, u shpall fajtor me 16 dhjetor të vitit 2022 nën akuzat për vrasje dhe torturë në një qendër paraburgimi në Kosovë, ku prokurorët thonë se të burgosurit, kryesisht shqiptarë të Kosovës që ishin kundërshtarë politikë të UÇK-së, rriheshin dhe torturoheshin çdo ditë.
Trupi gjykues tha se Sali Mustafa ka marrë pjesë personalisht në rrahjen dhe torturimin e të paktën dy të burgosurve dhe i lejoi vartësit e tij të keqtrajtonin një tjetër aq rëndë sa ai vdiq më vonë.
Sipas akuzës, krimet dyshohet të jenë kryer gjatë muajit prill të vitit 1999 në një qendër ndalimi në fshatin Zllash të komunës së Prishtinës.
Procesi kundër zotit Mustafa filloi në shtator të vitit 2021 në Gjykatën e Posaçme të Kosovës më seli në Hagë. Ai u arrestua në shtator të vitit 2020 nën akuzat për veprat penale; ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme gjatë periudhës së luftës në Kosovë.
Gjykata e Posaçme e njohur si Dhomat e Specializuara, trajton pretendimet për krime lufte të kryera nga pjesëtarët e ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Me 16 korrik, Gjykata e Posaçme e Kosovës për krime lufte me seli në Hagë, e dënoi me 18 vjet heqje lirie ish pjesëtarin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Pjetër Shala nën akuzat për krime lufte. Gjykata tha se zoti Shala ishte përfshirë në burgosjen dhe torturimin e 18 vetave dhe në një vrasje.
Deri më tash Gjykata e Posaçme ka shpallur dy vendime me burg ndaj ish pjesëtarëve Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Aktualisht në Hagë procesi gjyqësor po vazhdon ndaj ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, të cilët u arrestuan në nëntor të vitit 2020, ndërsa gjykimi filloi në muajin prill të vitit 2023.
Gjykata e Posaçme që njihet me emrin Dhomat e Specializuara, u themelua në vitin 2015 dhe vepron në bazë të ligjeve të Kosovës, por me personel ndërkombëtar. Ideja për themelimin e saj pasoi pretendimet e ngritura në raportin e vitit 2011 të hartuar nga i dërguari i Këshillit të Evropës, Dick Martty, i cili ngriti dyshimet për përfshirjen e ish kryengritësve në vrasjen e civilëve serbë dhe kundërshtarëve politik shqiptarë.
Ngritja e gjykatës së posaçme si dhe ngritja e akuzave janë shoqëruar vazhdimisht me reagime dhe protesta ne Kosovë, ku pohohet se në këtë mënyrë po bëhet barazimi me mizoritë e kryera nga forcat serbe gjatë luftës së viteve 1998 – 1999, që mori fund me ndërhyrjen e NATO-s.