Zyrtarët palestinezë njoftuan sot se nga një sulm ajror izraelit ndaj një kampi tendash brenda zonës humanitare në Rripin e Gazës, ku po strehohen të zhvendosurit e luftës 11 mujore, la 19 palestinezë të vrarë dhe 60 të plagosur. Izraeli thotë se kishte vënë në shënjestër drejtues të lartë të Hamasit.
Sulmi vjen ndërkohë që Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Josep Borrell po viziton Egjiptin nga ku kritikoi Izraelin dhe Hamasin se nuk janë të interesuara të arrijnë një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës.
Sulmi izraelit gjatë natës në një kamp të mbushur me refugjatë vrau të paktën 19 persona dhe la 60 të plagosur, sipas zyrtarëve palestinezë. Kampi në Muwasi është brenda zonës humanitare të përcaktuar nga Izraeli, ku po strehohen qindra mijëra refugjatë të zhvendosur nga luftimet në Rripin e Gazës.
Njoftimet e para të Mbrojtjes Civile të Gazës vinin në dukje se kishin gjetur 40 trupa pas sulmit. Izraeli i mohon këto shifra.
“Na thanë të largoheshim nga Rafahu dhe ne u zhvendosëm bashkë me të gjithë të tjerët. Na thanë të shkojmë në zonat e sigurta dhe erdhëm këtu. Dhe ja shikoni, kjo është ideja e tyre e zonës së sigurt. Izraelitët nuk po lënë gur pa goditur... Djali im ëahtë 4 muajsh. A është ai luftëtar? Kjo nuk është humane”, thotë i zhvendosuri nga Rafahu, Iyad Hamed Madi.
Ushtria izraelite tha se kishte goditur militantët e Hamasit brenda një qendre komanduese që ishte vendosur në këtë zonë dhe identifikoi tre militantë, të cilët sipas zyrtarëve izraelitë, ishin të përfshirë drejtpërdrejt në sulmin e 7 tetorit të grupit militant, i cili nxiti luftën e Izraelit në Gazë.
Lufta ka shkaktuar shkatërrim të gjerë në Gazë dhe ka zhvendosur rreth 90 për qind të popullatës 2.3 milionëshe të territorit, shumica e të cilëve janë detyruar të lëvizin disa herë brenda këtyre 11 muajve dhe po përballen me uri dhe sëmundje ngjitëse. Sipas zyrtarëve palestinezë në Gazë, rreth 40,900 palestinezë janë vrarë që nga fillimi i luftës, mbi gjysma e të cilëve gra dhe fëmijë.
Përpjekjet për arritjen e një armëpushimi janë bllokuar vazhdimisht nga kërkesat e papranueshme të palëve.
Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Josep Borrell, i cili po viziton Egjiptin të martën krahas një delegacioni evropian, akuzoi Izraelin dhe Hamasin se po bllokojnë përpjekjet e ndërmjetëseve ndërkombëtarë për t’i dhënë fund luftës.
“U kemi dhënë përkrahjen tonë të plotë Egjiptit, Katarit, Shteteve të Bashkuara për të arritur një marrëveshje armëpushimi, një armëpushim që është paralajmëruar shumë herë. Jemi pranë, por ende nuk kemi arritur tek ajo pikë. Përse? Thënë troç, sepse ata të cilët po luftojnë nuk janë të interesuar t’i japin fund. Prandaj ata po shtiren... ngaqë qëndrimi i tyre ekstrem po shoqërohet me mungesë ndëshkimi dhe veprimet e tyre nuk po kanë pasoja”, deklaroi ai
Ministri izraelit i Mbrojtjes Yoav Gallant tha të hënën se janë krijuar kushtet për të paktën një pezullim gjashtë javor të luftimeve, që do të përfshinte lirimin e shumë pengjeve që ende po mbahen në Gazë. Por ai nuk u zotua për një përfundim të luftës, që është edhe kërkesa kryesore e Hamasit.