Lidhje

Vuçiç: Brenda 72 orësh do të dalim me kërkesat tona për gjendjen në veriun e Kosovës


Presidenti serb Aleksandar Vuçiç tha të martën se brenda pak ditësh do të dalë me kërkesat e Serbisë kundruall gjendjes në veri të Kosovës, duke akuzuar qeverinë në Prishtinë për përndjekje të popullsisë serbe.

Ai i bëri këto komente në një deklaratë për shtypin pas një takimi në Beograd me të dërguarin e Bashkimit Evropian Miroslav Lajçak. Ai tha se gjatë ditës është takuar edhe me ambasadorin amerikan në Serbi Christopher Hill.

Vuçiç: Brenda 72 orësh do të dalim me kërkesat tona për gjendjen në veriun e Kosovës
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:28 0:00

“Në 72 orët e ardhshme do t'i drejtohemi publikut dhe do të flas për atë që kërkon Serbia, për shkak të sulmeve brutale ndaj popullatës serbe, para së gjithash në veri të Kosovës dhe për atë se çfarë nuk ka përmbushur e ashtuquajtura bashkësi ndërkombëtare, çfarë kërkon Serbia dhe çfarë do të bëjë Serbia”, tha ai.

Autoritetet serbe akuzuan të martën policinë e Kosovës për represion në veriun e banuar me shumicë serbe, pasi policia e Kosovës arresoi katër persona në Mitrovicën e Veriut të cilët kanë ofenduar e më pas sulmuar dy zyrtarë policorë. Policia tha se tre nga të arrestuarit kanë qenë nën ndikim të alkoolit dhe me urdhër të Prokurorit të shtetit janë dërguar në paraburgim për t’u marrë në pyetje.

Kosova është gjetur nën kritikat e diplomacisë perëndimore për ato që janë cilësuar veprime të njëanshme dhe të pabashkërenduara në veri ku autoritetet mbyllën komunat paralele serbe të emëruara nga Beogradi, të cilat Prishtina i cilëson të paligjshme.

Operacioni nxiti reagimin e Beogradit dhe përfaqësuesve politik serb në veri ndërsa presidenti serb tha se me mbylljen e institucioneve të Serbisë në veri është vështirësuar jeta e serbëve të cilët sipas tij nuk mund të kryejnë asnjë shërbim.

“...Kemi vetëm fjalë dënimi që vijnë nga Evropa dhe Quint-i dhe nuk shihet asgjë në veprim. Atëherë sado që duart të jenë të lidhura, sado të jesh në një pozitë të vështirë që nga viti 2008 dhe para tij, duhet të ndërmerrni veprime që do të çojnë ose në kthimin e disa të drejtave, që do të quhej kthim në gjendjen paraprake, ose të thoni se nuk jeni në gjendje të mbroni njerëzit tuaj. Ne nuk kemi të drejtë ta themi këtë të fundit sepse jemi të detyruar me Kushtetutën e Serbisë dhe rezultatet e dialogut dhe marrëveshjeve të nënshkruara në Bruksel në vitin 2013 dhe me rregullimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe të vitit 2015. Prandaj, me masa serioze dhe çështje serioze, do ta trajtojmë këtë brenda 72 orësh”, tha ai.

Bashkimi Evropian si dhe Shtetet e Bashkuara po u bëjnë thirrje palëve që të zgjedhin çështjet e hapura në kuadër të bisedimeve në Bruksel dhe të shmangin veprimet që mund të nxisin tensione.

I dërguari evropian Miroslav Lajçak, i cili qëndroi të premten në Prishtinë, sot qëndroi në Beograd në përpjekje për të ripërtërirë bisedimet. Ai shkroi në rrjetet sociale se në takimin me presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiç, në përgatitje të takimit të radhës të kryenegociatorëve, ai ngriti shqetësime të forta për gjendjen e serbëve të Kosovës. “Theksova se duhet të diskutojmë dhe të gjejmë zgjidhje të dakorduara në dialog”.

“Unë jam gati edhe sot të shkoj të bisedojë me (Albin) Kurtin, të dialogojmë në Bruksel, por Serbia nuk është e gatshme dhe siç e kam thënë pafundësisht, nuk do të lejojë përndjekjen e popullatës së saj dhe është fare e qartë se ky është qëllimi i vetëm i qeverisë së (Albin) Kurtit”, tha presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç.

Gjatë vizitës në Kosovë javën e kaluar i dërguari evropian tha se ka një pajtim për një takim mes kryenegociatorëve të të dyja palëve, por pa dhënë një datë të takimit të mundshëm.

XS
SM
MD
LG