Lidhje

Princesha e Uellsit Kate njofton se ka mbaruar trajtimet me kimioterapi


Princesha e Uellsit Keit ka përfunduar trajtimet e kimioterapisë dhe do të shfaqet në disa ngjarje në kuadër të detyrave publike në muajt e ardhshëm.

Bashkëshortja 42-vjeçare e Princit William publikoi të hënën një video në të cilën shfaqej së bashku me të shoqin dhe fëmijët teksa tregonte se sa të vështirë kanë qenë nëntë muajt e fundit për familjen e saj dhe u shpreh “e lehtësuar” që mbaroi seancat e kimioterapisë.

"Siç e dini, jeta mund të ndryshojë në një çast dhe neve na është dashur të gjejmë një mënyrë për të lundruar nëpër ujërat e stuhishme dhe rrugën e panjohur", tha ajo në videon, e cila ishte regjistruar pranë shtëpisë verore të familjes në Norfolk. “Kanceri është një udhë e vështirë, e frikshme dhe e paparashikueshme për të gjithë, veçanërisht për ata që janë më afër jush. Kanceri u vë ballë për ballë me dobësitë tuaja në një mënyrë që nuk e keni menduar kurrë më parë dhe u bërë që gjithçka ta shihni ndryshe”.

Në muajin mars Princesha Kate zbuloi se po i nënshtrohej trajtimeve me kimioterapi pasu vuante nga kanceri.

Ajo tha të hënën se pavarësisht se kishte përfunduar seancat e kimioterapisë, rruga drejt rimëkëmbjes së plotë do të ishte e gjatë.

"William dhe unë jemi shumë mirënjohës për mbështetjen që kemi marrë. Kemi marrë shumë forcë nga të gjithë ata që po na ndihmojnë në këtë kohë", tha ajo.

“Për të gjithë ata ende përballem me kancerin, dua të dini se unë jam pranë jush”, tha Princesha Kate të hënën.

Në fillim të vitit, familja mbretërore njoftoi se Mbreti Çarls III po i nënshtrohej trajtimeve për sëmundjen e kancerit .

XS
SM
MD
LG