Lidhje

Republikanët fajësojnë administratën e Presidentit Biden në raportin e ri për tërheqjen nga Afganistani


Luftëtarët taleban në aeroportin e Kabulit
Luftëtarët taleban në aeroportin e Kabulit

Republikanët e një komisioni të Dhomës së Përfaqësuesve publikuan të dielën një raport që kritikon administratën e Presidentit Biden lidhur me tërheqjen kaotike të ushtrisë amerikane nga Afganistani më 21 gusht, pas një lufte pothuajse 20-vjeçare.

Raporti thotë se Presidenti Joe Biden dështoi të marrë masa për “zbutjen e pasojave të mundshme të vendimit” për t’u tërhequr, ndërsa nuk mori parasysh paralajmërimet se luftëtarët talebanë po merrnin kontrollin e qyteteve kryesore afgane më shpejt se sa mendonin zyrtarët amerikanë.

Ditën e fundit të tërheqjes amerikane nga aeroporti i Kabulit, një terrorist i Shtetit Islamik ndërmori një sulm vetëvrasës me bombë ku humbën jetën 13 ushtarë amerikanë dhe rreth 170 civilë afganë. Shumë afganë që u kapën në pjesët e jashtme të avionëve amerikanë që ngriheshin në erë, u rrëzuan dhe vdiqën.

Në shkurt të vitit 2020, Presidenti Donald Trump filloi një proces për tërheqjen e trupave amerikane nga Afganistani duke nënshkruar një marrëveshje me talebanët. Presidenti Biden e respektoi marrëveshjen e arritur nga pararendësi i tij, ndërsa synonte t’i jepte fund luftës më të gjatë të Shteteve të Bashkuara.

Tërheqja fatale luajti gjithashtu rol në fatin politik të Presidentit Biden. Para këtij zhvillimi, sondazhet tregonin për një mbështetje të punës së Presidentit Biden gjatë shtatë muajve të parë në Shtëpinë e Bardhë.

Por vlerësimi për punën e Presidentit Biden kaloi në një territor negativ pas tërheqjes kaotike dhe vdekjes së 13 ushtarëve amerikanë dhe që nga ajo kohë nuk u është afruar caqeve pozitive.

Raporti nga republikanët e Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Punët e Jashtme vjen pas një hetimi trevjeçar. Raporti e akuzon administratën e Presidentit Biden se nuk kishte plane adekuate apo krijuar kushte sigurie për të realizuar një tërheqje në mënyrë të sigurte.

Kryetari i komisionit, Michael McCaul, tha se administrata e Presidentit Biden “kishte të dhënat dhe mundësitë për të ndërmarrë hapat e nevojshëm për të planifikuar rënien e pashmangshme të qeverisë afgane, në mënyrë që ne të mund të evakuonim në mënyrë të sigurte personelin amerikan, qytetarët amerikanë, mbajtësit e kartës jeshile dhe aleatët tanë të guximshëm afganë”.

Hetimet e bëra në të kaluarën i kanë fajësuar administratat e mëparshme amerikane. Një raport i vitit 2023, nga një organizatë që mbikëqyrë punën e qeverisë amerikane, kritikoi vendosmërinë e udhëheqësve Trump dhe Biden për t’u tërhequr nga Afganistani, pavarësisht se talebanët shkelën angazhimet kryesore të marrëveshjes së vitit 2020.

Për këtë lajm u përdorën të dhëna nga Associated Press, Agence France-Presse dhe Reuters.

XS
SM
MD
LG