Korpusi i Paqes bëri sot të ditur arritjen e një marrëveshjeje me Agjencinë e Mbrojtjes së Mjedisit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të krijuar një projekt pilot mbi trajnimin e Vullnetarëve të Korpusit të Paqes dhe partnerëve të tyre vendas. Ky projekt, i cili nisi zyrtarisht sot në Zyrën e Korpusit të Paqes Shqipëri dhe Mali i Zi në Tiranë, synon të aftësojë vullnetarët e Korpusit të Paqes dhe partnerët e tyre vendorë mbi trajtimin e çështjeve mjedisore dhe të shëndetit publik.
Marrëveshja ndërinstitucionale, që u arrit mes Korpusit të Paqes dhe Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Mbrojtjen e Mjedisit, nisi të zbatohet sot zyrtarisht në Zyrën e Korpusit të Paqes Shqipëri - Mali i Zi në Tiranë me një projekt pilot për trajnimin e Vullnetarëve të Korpusit të Paqes dhe partnerëve të tyre vendas.
Trajnimet do të aftësojnë vullnetarët e Korpusit të Paqes dhe partnerëve të tyre vendor për të trajtuar çështje mjedisore dhe të shëndetit publik.
Në ceremoninë e nisjes së projektit morën pjesë diplomatë amerikanë, zyrtarë shqiptarë, vullnetarë të Korpusit të Paqes dhe përfaqësues të tyre nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut.
“Duke investuar në ndërtimin e kapaciteteve të vullnetarëve të Korpusit të Paqes dhe të partnerëve të tyre vendas, ne po i pajisim ata me aftësitë dhe njohuritë e nevojshme për të trajtuar çështje mjedisore dhe për të përmirësuar shëndetin publik në komunitetet e tyre, tha Nancy Vanhorn, e Ngarkuara me Punë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri.
Ajo theksoi më tej se “Shtetet e Bashkuara mbeten të vendosura në angazhimin e tyre për mbrojtjen globale të mjedisit dhe zhvillimin e qëndrueshëm. Ky partneritet reflekton besimin tonë se ndryshimi kuptimplotë ndodh përmes bashkëpunimit. Duke punuar së bashku, ne po çojmë përpara misionin tonë të përbashkët për mbrojtjen e mjedisit dhe po ndërtojmë komunitete më të forta dhe më të qëndrueshme në të gjithë botën”.
Gjatë trajnimit vullnetarët do të fitojnë aftësi për të hartuar dhe menaxhuar projekte mjedisore, që trajtojnë nevoja të veçanta të komuniteteve në rajonet e projektit pilot.
Përfaqësuesi i Agjencisë së SHBA-ve për Mbrojtjen e Mjedisit Dr. Jose Zambrana Jr., tha se bashkëpunimi i EPA-s me agjencinë simotër Korpusi i Paqes, të cilës i ka dhënë mbështetje për disa vite të fundit, është mbresëlënës.
“Ne kemi për të punuar në 9 shtete, 4 nga të cilat këtu në Ballkanin Perëndimor. Do të mbështesim trajnimet në secilin shtet, por e gjitha do të nisë këtu, me dy trajnime në këtë projekt pilot. Sfidat për mjedisin janë të shumta dhe të mëdha: uji, kimikatet, ndryshimet klimatike, zjarret dhe rreziqe të tjera, që kërcënojnë zhvillimin e qëndryeshëm, dhe që duhen parë nga këndvështrimi i secilit vend, duke bashkëpunuar për gjetjen e zgjidhjeve dhe përmirësimin e gjendjes”, tha zoti Zambrana.
Përfaqësuesit e Korpusit të Paqes për Shqipërinë dhe Malin e Zi besojnë se vullnetarët amerikanë dhe partnerët e tyre vendas do të kenë si zakonisht një përkushtim të thellë dhe do të përfitojnë mjaft nga këto trajnime.
Marrëveshja pritet të zgjerojë dhe forcojë lidhjet institucionale mes dy agjencive EPA dhe Peace Corps si dhe të rritë bashkëpunimin në projektet ndërkombëtare, duke shfrytëzuar trajnimet dhe shkëmbimin e përvojës dhe diturive.
Ky bashkëpunim përfshin trajnimin e specializuar në projektim dhe menaxhim të projekteve për vullnetarët e Korpusit të Paqes si dhe partnerët e tyre vendas në Ballkanin Perëndimor, Nepal dhe pjesë të Afrikës.