Lidhje

Kompania egjiptiane i kthen mbetjet plastike në materiale ndërtimi


Industria e ndërtimit dhe pasuritë e paluajtshme shihen gjerësisht si forca lëvizëse e rritjes ekonomike të Egjiptit. Por sipas të dhënave qeveritare, industritë e ndërtimit dhe prodhimit janë përgjegjëse për 23% të ndotjes me dioksid karboni. Ndërkohë, një kompani po i shfrytëzon mbetjet plastike për të prodhuar pllaka që mund të përdoren në industrinë e ndërtimit. Synimi është që industria e ndërtimit të përshtatet në mënyrë tillë që të pakësojë sa më shumë ndotjen.

Kompania egjiptiane i kthen mbetjet plastike në materiale ndërtimi
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:28 0:00

Kjo fabrikë prodhon pllaka për industrinë e ndërtimit. Por po ta shikosh nga afër, makineritë mbushen me një material të pazakontë, mbetje plastike.

Firma egjiptiane “TileGreen” u themelua tre vjet më parë me synimin për të zhvilluar një teknologji të re për të transformuar mbetjet plastike në pllaka pa çimento. Khaled Raafat është bashkëthemelues dhe shef i teknologjisë për kompaninë “TileGreen”.

“Kemi shpikur një teknologji dhe proces industrial që transformon të gjitha mbetjet plastike, kryesisht ato me vlerë të ulët, në materiale ndërtimi. Lënda e përftuar nga mbetjet plastike, e cila zëvendëson betonin, përzihet me rërë apo zhavorr për të prodhuar materiale të ndryshme ndërtimi”.

Copëzat e vogla plastike përzihen me rërë për të krijuar një substancë për prodhimin e produktit përfundimtar. Burimi kryesor i firmës janë mbetjet e padëshiruara plastike që zakonisht përfundojnë në koshat e mbeturinave ose hidhen në rrugë, si qeset apo kutitë plastike që nuk riciklohen.

Firma “TileGreen” ka dy objektiva, prodhimin e materialeve të ndërtimit që nuk dëmtojnë mjedisin dhe reduktimin e mbetjeve në Egjipt, thotë Khaled Raafat, bashkëthemelues i kompanisë.

“Egjipti prodhon rreth 4.5 milionë tonë mbetje plastike në vit. Shkalla e riciklimit është diku midis 10 dhe 15 për qind, shumë më mirë se vendet fqinje. Kjo tregon mungesën e madhe të riciklimit dhe se mbetjet plastike përfundojnë atje ku nuk duhet”.

Sipas nismës globale për mjedisin “Black to Blue”, Egjipti është përgjegjës për 43% të mbetjeve plastike të hedhura çdo vit në Detin Mesdhe.

Profesori i inxhinierisë mjedisore në Universitetin Amerikan të Kajros, Mohamed El Zayet, thotë se prodhimi i pllakave pa çimento nga firma “TileGreen” mund të ndihmojë në zbutjen e ndikimit të jashtëzakonshëm që ka industria e ndërtimit tek mjedisi.

“Ndikimi tek mjedisi i kësaj industrie fillon që nga procesi i prodhimit të materialeve të ndërtimit si tullat, çimentoja, çeliku apo materiale të tjera. Gjatë procesit të prodhimit të tyre çlirohen elementë ndotës që përfundimisht ndikojnë tek ndryshimet klimatike. Për shembull, prodhimi i një kilogram çimentoje çliron gati një kilogram dioksid karboni, element që shkakton efektin serrë. Industria e ndërtimit ka një ndikim të tmerrshëm tek mjedisi”.

Industria e ndërtimit dhe pasuritë e paluajtshme shihen gjerësisht si forca lëvizëse e rritjes ekonomike të Egjiptit. Sipas të dhënave të vitit 2022 nga Banka Qendrore e Egjiptit, të dy sektorët janë përgjegjës për 19% të prodhimit të brendshëm bruto.

Sipas të dhënave qeveritare, industritë e ndërtimit dhe prodhimit janë përgjegjëse për 23% të ndotjes me dioksid karboni.

Një fabrikë e vogël e firmës “TileGeen” që ndodhet rreth 80 kilometra në lindje të Kajros, prodhon rreth 5000 pllaka në muaj.

“Aktualisht po prodhojmë pllaka që ndërlidhen por mund të prodhojmë edhe tulla ndërtimi, shtylla dhe prodhime të ndryshme parafabrikate. Teknologjia jonë mund të shfrytëzohet për të prodhuar më shumë se 40 produkte”, thotë Khaled Raafat, bashkëthemelues i firmës “TileGreen”.

Kompania ka prodhuar pllaka të ndryshme për disa projekte zhvillimi të kompanive të pasurive të paluajtshme.

XS
SM
MD
LG