Ministria e Jashtme e Ukrainës tha të shtunën se ishte thellësisht e shqetësuar nga njoftimet për një transferim të mundshëm të raketave balistike iraniane në Rusi.
Në një deklaratë të shpërndarë për mediat, diplomacia ukrainase shprehet se thellimi i bashkëpunimit ushtarak midis Teheranit dhe Moskës përbënte kërcënim për Ukrainën, Evropën dhe Lindjen e Mesme, ndërsa i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të rrisë trysninë ndaj Iranit dhe Rusisë.
Rrjeti CNN dhe gazeta Wall Street Journal njoftuan të premten se Irani kishte transferuar në Rusi raketa balistike me rreze të shkurtër veprimi, duke cituar burime të paidentifikuara.
Agjencia e lajmeve Reuters njoftoi në muajin gusht se Rusia po priste dërgimin e menjëhershëm nga Irani të qindra raketave balistike me rreze të shkurtër veprimi të tipit “Fath-360”. Po ashtu, dhjetëra ushtarakë rusë po trajnoheshin në Iran për të përdorur armët që komandohen përmes satelitëve për përdorim eventual në luftën në Ukrainë.
Shtetet e Bashkuara, një aleat kyç i Ukrainës, shprehën gjithashtu shqetësimin të premten lidhur me transferimin e mundshëm të raketave.
“Çdo transferim i raketave balistike iraniane në Rusi do të përbënte një përshkallëzim dramatik të mbështetjes së Iranit për agresionin e Rusisë kundër Ukrainës”, tha Sean Savett, zëdhënës i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë.
Misioni i Iranit pranë Kombeve të Bashkuara në Nju Jork tha të premten se qëndrimi i Teheranit për konfliktin në Ukrainë ishte i pandryshuar.