Mercenarët rusë, të kontraktuar për të ofruar siguri në Burkina Faso të Afrikës Perëndimore, filluan të largoheshin në fund të gushtit. Misioni i tyre i ri thuhet të jetë frenimi i përparimit të forcave ukrainase në territorin rus. Të dhënat tregojnë se mercenarët kanë pasur pak ndikim në luftën e Sahelit kundër grupeve terroriste islamike. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Henry Wilkins, Burkina Faso u përball me një nga sulmet më vdekjeprurëse militante të viteve të fundit në të njëjtën javë që u larguan mercenarët rusë.
Militantët vranë midis 100 dhe 300 njerëz në sulmin e 24 gushtit në një qytet në veri të Burkina Fasos. Ky ishte nga sulmet më vdekjeprurëse në rajonin Sahel nga grupet e lidhura me Shtetin Islamik dhe al-Kaidën.
Sulmi ndodhi në të njëjtën javë që grupi mercenar rus “Brigada e Ariut” njoftoi tërheqjen e pjesshme nga Burkina Faso për të ndihmuar në rezistencën përballë inkursionit të forcave ukrainase në rajonin rus të Kurskut.
Një ekspert i tha Zërit të Amerikës se mercenarët kishin ndihmuar me sigurinë personale të kreut ushtarak të Burkina Fasos, kapitenit Ibrahim Traore dhe zyrtarëve të qeverisë.
“Tërheqja e mercenarëve ngre shumë pikëpyetje se çfarë do të ndodhë me sigurinë e zyrtarëve në Burkina Faso, të cilët po përballen me një sërë sfidash”, thotë Mamadou Bodian me Institutin Ndërkombëtar të Hulumtimeve për Paqen në Stokholm.
Që nga shtatori i vitit të kaluar, kapiteni Ibrahim Traore ka shmangur dy tentativa për grusht shteti, sipas autoriteteve.
Ai mori drejtimin e vendit përmes një grusht shteti në vitin 2022, me pretendimet se junta e mëparshme ushtarake kishte dështuar në luftën kundër militantëve islamikë. Ai i dha fund bashkëpunimit ushtarak me Francën dhe u tërhoq nga blloku politik rajonal ECOWAS, duke punësuar mercenarë rusë në përpjekjet për luftën.
Por ndërhyrja ruse nuk e ka frenuar forcimin e grupeve terroriste islamike në rajonin Sahel, thotë analisti Bodian.
“Situata sot vazhdon të jetë e keqe pasi ushtria detyrohet të largohet nga zona të mëdha në shumë pjesë të vendit, ndërsa grupet terroriste fitojnë më shumë terren”.
Gjatë viteve të fundit, Rusia ka dërguar mercenarë edhe në shtete të tjera afrikane.
Sipas organizatës jofitimprurëse “Armed Conflict Location and Event Data Project”, gjate vitit të fundit vdekjet nga konflikti në tre vende afrikane janë rritur me rreth 26%,