Lidhje

Hamasi i kërkon Uashingtonit të ushtrojë trysni ndaj Izraelit për armëpushim në Gazë


Kryenegociatori i Hamasit me bazë në Katar Khalil al-Hayya u bëri thirrje Shteteve të Bashkuara të "ushtrojnë presion real ndaj Netanyahut dhe qeverisë së tij" për të arritur një marrëveshje armëpushimi në Gazë.

Komentet vijnë ndërsa Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, ka thënë “se nuk ka ndonjë marrëveshje në prag të nënshkrimit”.

"Fatkeqësisht, nuk jemi afër një marrëveshjeje, por ne do të bëjmë gjithçka që mundemi për t'i çuar ata (Hamasin), në pikën ku të bëjnë një marrëveshje", tha zoti Netanyahu për mediat amerikane.

Të dyja palët kanë shkëmbyer akuza, duke fajësuar njëra-tjetrën për ngecje të bisedimeve për armëpushim dhe shkëmbim pengjesh. Zoti Netanyahu ndërkohë po përballet edhe me trysni të brendshme për të nënshkruar një marrëveshje, pas vdekjes së fundmi të gjashtë pengjeve në Gazë.

Zoti Netanyahu këmbëngul se Izraeli duhet të mbajë kontrollin mbi Korridorin e Filadelfit përgjatë kufirit Egjipt-Gazë për të parandaluar kontrabandën e armëve të Hamasit, sulmi terrorist i të cilit, më 7 tetor ndaj Izraelit, u bë shkak për nisjen e luftës.

Hamasi kërkon tërheqjen e plotë të Izraelit nga rajoni dhe të enjten tha se qëndrimi i zotit Netanyahut "synon të pengojë arritjen e një marrëveshjeje".

Grupi militant palestinez thotë se një marrëveshje e re do të ishte e panevojshme, pasi ata kishin rënë dakord muaj më parë për një armëpushim të kërkuar nga Presidenti Biden.

Ne paralajmërojmë që të mos biet në grackën e Netanyahut, i cili i përdor negociatat për të zgjatur agresionin kundër popullit tonë”, thuhej në deklaratën e grupit militant.

Uashingtoni ka bërë një propozim që thotë se do ta ngushtonte hendekun mes palëve ndërluftuese dhe sipas sekretarit të Shtetit Antony Blinken Izraeli dhe Hamasi kanë dakord për "90 për qind të tij".

"Është realisht detyrë e të dyja palëve të bien dakord edhe për çështjet e mbetura", tha zoti Blinken gjatë një vizite në Haiti.

Gjatë protestave në disa qytete izraelite këtë javë, kritikët e zotit Netanyahu e kanë fajësuar atë për vdekjen e pengjeve, duke thënë se ai ka refuzuar të bëjë lëshimet e nevojshme për të arritur një marrëveshje për armëpushim.

"Ne do të bëjmë gjithçka për t’i kthyer pengjet. Edhe nëse udhëheqësit nuk duan të nënshkruajnë një marrëveshje, ne do ta bëjmë", tha Gil Dickmann, kushëriri i Carmel Gat, një prej gjashtë pengjeve, trupat e të cilëve u gjetën në një tunel të Gazës, javën e kaluar.

Zoti Dickmann mori pjesë në një tubim në Tel Aviv të enjten në mbrëmje. Sipas një gazetari të agjencisë së lajmeve franceze ‘AFP’, turmat e njerëzve protestuan duke mbajtur në krah arkivolë bosh, si shprehje e zëmërimit të tyre me qëndrimin e qeverisë.

Ndërmjetësi kryesor, Katari, ka thënë se qasja e Izraelit "bazohej në një përpjekje për të falsifikuar faktet dhe për të mashtruar opinionin publik botëror duke përsëritur gënjeshtra".

Lëvizje të tilla "do të çojnë përfundimisht në shkatërrimin e përpjekjeve për paqe", paralajmëroi Ministria e Jashtme e Katarit.

Sipas shifrave zyrtare izraelite, sulmi i 7 tetorit nga Hamasi rezultoi në vdekjen e 1205 personave, kryesisht civilë, ku përfshihen edhe disa pengje të vrarë ndërsa ndodheshin në duart e militantëve.

Nga 251 pengje të kapur nga militantët palestinezë gjatë sulmit, 97 vazhdojnë të jenë në Gazë, përfshirë 33, që ushtria izraelite thotë se kanë vdekur.

Ofensiva e Izraelit në Gazë ka shkaktuar deri tani vdekjen e të paktën 40,878 personave, sipas ministrisë së Shëndetësisë që kontrollohet nga Hamasi, që nuk bën dallim mes viktimave civile dhe militantëve.

Shumica e të vdekurve janë gra dhe fëmijë, sipas zyrës së OKB-së për të Drejtat e Njeriut.

Ndërkaq Izraeli vazhdoi bombardimet gjatë natës deri të premten. Një korrespondent i AFP-së njoftoi për një shpërthim të madh në lindje të qytetit të Gazës.

Gjashtë persona u vranë dhe disa të tjerë u plagosën pas një sulmi ajror izraelit ndaj një shtëpie në juglindje të qytetit, njoftoi të premten Agjencia e Mbrojtjes Civile të Gazës.

Sulmi i përgjakshëm në Bregun Perëndimor

Ndërkohë që Izraeli vazhdon ofensivën e tij në Gazë, Ministri i Mbrojtjes Yoav Gallant tha se ushtria duhet të përdorë "të gjithë fuqinë" kundër militantëve palestinezë në Bregun Perëndimor të pushtuar.

"Këto organizata terroriste që kanë emra të ndryshëm, qoftë në Nur al-Shams, Tulkarem, Fara apo Xhenin, duhet të zhduken", tha ai, duke iu referuar qyteteve dhe kampeve të refugjatëve, ku po zhvillohet një operacion ushtarak izraelit.

Ushtria izraelite tha të enjten se kishte "kryen tre sulme nga ajri, me objektiv terroristët e armatosur" në zonën e Tubas, e cila përfshin kampin e refugjatëve Fara.

Si pasojë e një sulmi ndaj një makine u vranë pesë persona të moshës 21 deri në 30 vjeç, si dhe u plagosën dy të tjerë, bëri të ditur ministria e Shëndetësisë në Gazë.

Organizata Gjysmëhëna e Kuqe Palestineze bëri të ditur se ushtria izraelite kihste dorëzuar trupin e pajetë të një 17-vjeçari, dhe shtoi se mjekët ishin penguar që ta merrnin, kur ai ishte plagosur.

Sipas shifrave të publikuara nga ministria e Shëndetësisë, Izraeli ka vrarë të paktën 36 palestinezë në Bregun Perëndimor që kur filloi sulmin më 28 gusht, mes tyre fëmijë dhe militantë.

Një ushtar izraelit u vra në Xhenin, ku është shënuar edhe numri më i madh i viktimave palestineze.

Vaksinimi kundër poliomielitit

Bombardimi i Gazës nga Izraeli e ka kthyer pjesë të mëdha të territorit në gërmadhë. Shkatërrimi i infrastrukturës së ujësjellësve dhe kanalizimeve është bërë shkak për përhapjen e sëmundjes së poliomielitit.

Kriza humanitare ka çuar në diagnostikimin e rastit të parë në Gazë në 25 vjet, duke nxitur një përpjekje masive vaksinimi, që nisi të dielën, me "pauza humanitare" të përqëndruara në disa zona ku zhvillohen luftime.

Organizata Botërore e Shëndetësisë njoftoi se rreth 200,000 fëmijë në Gazën qendrore kishin marrë dozën e parë të vaksinës, dhe se të enjten kishin kryer vaksinim në jug, përpara se mjekët të zhvendoseshin në veri të rajonit.

Louise Waterridge, zëdhënëse e agjencisë së OKB-së për Refugjatët Palestinezë, paralajmëroi megjithatë se aksioni i vaksinimit në jug mund të mos arrijë të gjithë fëmijët, pasi disa nuk banojnë në zonat e përcaktuara ku Izraeli ka rënë dakord për pauza në luftime.

Fushata synon të vaksinojë plotësisht më shumë se 640,000 fëmijë, të cilët duhet ta marrin dozen e dytë pas rreth katër javësh.

XS
SM
MD
LG