Lidhje

Rusia has në vështirësi të shesë gazin nga Arktiku


"Arctic LNG 2"
"Arctic LNG 2"

Rusia duket se po has në vështirësi të gjejë blerës për gazin e saj natyror të lëngshëm të nxjerrë nga Arktiku. Siç njofton korespondenti i Zërit të Amerikës, Henry Ridgwell problemet për këtë janë shkaktuar nga sanksionet që vendosi Perëndimi pas sulmit të Moskës ndaj Ukrainës në shkurtin e vitit 2022. Sanksionet e kanë detyruar Moskën të mbajë gazin në anije-cisterna në Detin Arktik.

Rusia has në vështirësi të shesë gazin nga Arktiku
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:54 0:00


Projekti gjigant i Rusisë ‘Arctic LNG 2’ në qytetin Murmansk do të fillonte punën me kapacitet të plotë në janar të këtij viti. Ai synonte të prodhonte pothuajse 20 milionë ton gaz natyror të lëngshëm çdo vit, duke i siguruar kështu miliarda dollarë kompanisë Novatek, që ka në pronësi centralin, si dhe Kremlinit.

Në vend të kësaj, Rusia duket se po has në vështirësi për të shitur gazin e lëngshëm. Ky është vlerësimi i analistit Tom Marzec-Manser i cili ka përdorur të dhënat satelitore për të vëzhguar lëvizjet e anijeve në këtë fabrikë.

“Deri më tani, ne jemi në dijeni të tre anijeve që janë ngarkuar nga firma ‘Arctic LNG 2’ në Siberi dhe të gjitha nuk kanë shkuar askund. Dy prej tyre u është dashur ta shkarkojnë ngarkesën në këtë platformë lundruese që Novatek-u i Rusisë e ka ankoruar afër Murmansk-ut. Kjo ka ndodhur para më shumë se një viti dhe nuk e ka përdorur atë kurrë më. Ajo është gjithashtu nën sanksione. Kjo po ndodh sepse nuk mund të gjejnë blerës”, thotë zoti Marzec-Manser.

Ai thotë se platforma lundruese, e quajtur Saam, do të mbushet shpejt nëse Rusia nuk mund të gjejë ndonjë blerës.

Firma ‘Arctic LNG 2’ ishte një investim me rëndësi për presidentin rus Vladimir Putin. Ai bëri këtë parashikim para një viti.

“Prodhimi i gazit natyror të lëngshëm në zonën e Arktikut të Rusisë do të trefishohet deri në vitin 2030, duke arritur në 64 milionë tonë në vit”.

Kjo ambicie tani duket e pamundur. Perëndimi, i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, vendosi sanksione ndaj bizneseve të lidhura me firmën ‘Arktik LNG 2’ pas fillimit të agresionit rus në Ukrainë, në shkurtin e vitit 2022. Masat zbatohen edhe për anijet që synojnë të transportojnë gazin.

“Ekziston një flotë e tërë anijesh për mallra që ndodhen në kantieret detare në Azi, të cilat janë projektuar posaçërisht për të lundruar nëpër detet e Arktikut. Ato nuk kanë mundur t'i shesin ato te firma ‘Novatek’ për shkak të sanksioneve”, thotë analisti Tom Marzec –Manser.

Rusia po kërkon mënyra për të shmangur sanksionet. Analisti Marzec-Manser thotë se Kremlini është duke krijuar një të ashtuquajtur “flotë të errët” të anijeve të gazit të lëngshëm që janë të vështira për t'u gjurmuar.

“Është një përpjekje për t'iu shmangur pasojave. Vetëm kur sheh anije që janë në pronësinë e entiteteve të panjohura nga Lindja e Mesme që hyjnë në ujrat ruse, e kupton se ato po përdoren në shërbim të disa prej këtyre projekteve dhe duhet t'u nënshtrohen sanksioneve”, thotë analisti Marzec-Manser.

Novatek nuk iu përgjigj kërkesave të Zërit të Amerikës për koment.

XS
SM
MD
LG