Shtatë persona u shpëtuan dhe 21 të tjerë rezultojnë të humbur në det pas përmbysjes së një varke me emigrantë në ishullin italian të Lampeduzës, njoftuan mediat italiane dhe zyrtarë të Kombeve të Bashkuara të mërkurën.
Të mbijetuarit janë shtetas sirianë. Ata u thanë ekipeve të shpëtimit se mes të zhdukurve janë tre fëmijë.
Të shtatë të mbijetuarit u shpëtuan nga roja bregdetare dhe thanë se po udhëtonin me një varkë që ishte nisur nga Libia disa ditë më parë, me 28 persona në të.
Nicola Dell'Arciprete, koordinatori i UNICEF-it për Italinë, denoncoi "një tjetër ngjarje tragjike në brigjet e Lampeduzës”.
"Shumica e të mbijetuarve pretendojnë se kanë humbur anëtarët e familjes”, shkroi ai në rrjetin X duke shtuar se ekipet e Fondit të OKB-së për Fëmijët po punojnë intensivisht.
Rruga e Mesdheut Qendror është një nga rrugët e emigrimit më vdekjeprurëse në botë.
Sipas Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin, IOM, në vitin 2023 në përpjekje për të kaluar këtë zonë, më shumë se 2500 emigrantë kanë vdekur ose janë zhdukur. Bilanci për këtë vit është 1,047 emigrantë.
Të dhënat e fundit të ministrisë së Brendshme të Italisë tregojnë se përgjatë vitit 2024 në Itali kanë mundur të mbërrijnë 43 mijë emigrantë, shumë më pak se vitet e mëparshme.