Megjithëse mund të duket sikur zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara janë ende larg, ato po afrojnë.
Dita e Zgjedhjeve në 5 nëntor është vetëm rreth dy muaj larg dhe ngjarjet dhe zhvillimet e rëndësishme politike do ta bëjnë atë të vijë shumë më shpejt. Periudha deri atëherë do të kalojë po aq shpejt sa edhe pushimi veror për shkollat në pjesën më të madhe të vendit.
Fletëvotimet e para për votimin me postë do t'u dërgohen votuesve këtë të premte. Debati i parë presidencial është caktuar për në 10 shtator. Më 18 shtator pritet që të jepet në Nju Jork dënimi për ish-Presidentin Donald Trump, kandidati republikan për president, në lidhje me pagesat e bëra për të fituar heshtjen e një aktoreje të filmave pornografikë përpara zgjedhjeve të vitit 2016. Dhe qendrat e votimit në disa shtete mund të hapen që më 20 shtator për votime të hershme.
Le t’i hedhim në vazhdim një vështrim rrethanave përse kalendari zgjedhor pritet të përparojë me shpejtësi, me përfundimin tashmë të kuvendeve demokrate dhe republikane dhe me festën kombëtare të Ditës së Punës, (e hëna e parë e shtatorit) që sinjalizoi fillimin tradicional të sezonit zgjedhor në Shtetet e Bashkuara.
Kush është gati të votojë?
Grupi i parë i fletëvotimeve me postë zakonisht janë ato për votuesit që shërbejnë në forcat e armatosura dhe ata që gjenden jashtë vendit. Sipas ligjit federal, kjo duhet të bëhet të paktën 45 ditë përpara zgjedhjeve, pra që nga data 21 shtator.
Disa shtete e fillojnë këtë proces më herët. Karolina e Veriut do të fillojë në 6 shtator dërgimin e fletëvotimeve me postë për të gjithë votuesit që i kërkojnë ato, përfshirë ushtarakët dhe votuesit që ndodhen jashtë vendit.
Afatet e regjistrimit të votuesve ndryshojnë nga shteti në shtet. Pjesa më e madhe e shteteve kanë afate nga 8 deri në 30 ditë përpara zgjedhjeve. Në Xhorxhia, një nga shtetet më të rëndësishme për zgjedhjet presidenciale të këtij viti, afati i fundit i regjistrimit është 7 tetori.
Pothuajse të gjitha shtetet ofrojnë një version të votimit të hershëm duke shkuar në një qendër votimi. Në Pensilvani, një nga shtetet kryesore të betejës elektorale, votuesit mund të shkojnë zyrën lokale për të kërkuar, plotësuar dhe për ta dërguar një fletëvotim me postë, duke filluar nga 16 shtatori. Pra pak më shumë se dy javë nga tani.
Debatet e ardhshme
Një pikë diskutimi për javë të tëra ka qenë nëse do të ketë një debat mes kandidatëve për president, ku do të zhvillohet ai dhe sipas cilat rregullave. Por tani për tani, janë planifikuar dy përballje.
Ish-Presidenti Trump dhe kandidatja demokrate për presidente Kamala Harris kanë pranuar një ftesë nga kanali ABC News për të debatuar në 10 shtator në Filadelfia.
Personi i përzgjedhur nga zonja Harris si kandidat për nënpresident, guvernatori i Minesotës, Tim Walz, dhe kandidati i përzgjedhur nga zoti Trump, senatori i Ohajos, JD Vance, kanë rënë dakord për një debat më 1 tetor të organizuar nga kanali CBS News në qytetin e Nju Jorkut.
Nënpresidentja Harris ka lënë të hapur mundësinë e një debati të dytë të mundshëm me Presidentin Trump. Ish-Presidenti Trump ka propozuar mbajtjen e tre debateve në rrjete të ndryshme televizive.
Zoti Vance ka propozuar edhe mbajtjen e një tjetër debati me zotin Walz në 18 shtator, për të cilin nuk është rënë ende dakort.
Mundësia e një dënimi penal për ish-Presidentin Trump
Masa e dënimit për ish-Presidentin Trump është planifikuar të jepet më 18 shtator për pagesat e bëra për të fituar heshtjen e një aktoreje të filmave pornografikë. Avokatët e tij i kanë kërkuar gjykatësit ta shtyjë procedurën deri pas ditës së zgjedhjeve. Vendimi pritet të merret në fillim të këtij muaji.
Në një letër drejtuar gjyqtarit Juan M. Merchan, avokatët e ish-Presidentit Trump sugjeruan se dhënia e dënimit siç ishte planifikuar, rreth shtatë javë para ditës së zgjedhjeve, do të ishte ndërhyrje në zgjedhje. Më 16 shtator, gjykatësi Merchan pritet të vendosë mbi një kërkesë tjetër të ish-Presidentit Trump për ta pushuar gjithë çështjen, për shkak të vendimit rreth imunitetit presidencial të marrë në korrik nga Gjykata e Lartë.
Ish-Presidenti Trump u gjend fajtor në maj për 34 akuza për falsifikim të të dhënave të biznesit për të fshehur një pagesë prej 130,000 dollarësh për aktoren e filmave pornografikë Stormy Daniels, pak para zgjedhjeve presidenciale të 2016-ës. Falsifikimi i të dhënave të biznesit dënohet me burgim deri në katër vjet. Dënime të tjera të mundshme përfshijnë dënimin me kusht, një gjobë ose një lirim me kusht që do të kërkonte që ish-Presidenti Trump të mos bënte shkelje të mëtejshme, për të shmangur dënimet shtesë.
Hapat e ardhshëm në çështjet e tjera gjyqësore ndaj ish-Presidentit Trump në Nju Jork
Të premten, Gjykata e Apelit do të dëgjojë argumentet për apelimin e ish-Presidentit Trump ndaj vendimit të një jurie vitin e kaluar që e urdhëroi atë t'i paguajë 5 milionë dollarë shkrimtares E. Jean Carroll, pasi ai u gjend fajtor për sulm seksual dhe shpifje ndaj saj. Ish-Presidenti Trump gjithashtu po apelon një vendim gjyqësor të dytë të janarit, kur një juri vendosi se ai ka përgjegjësi për pretendime të mëtejshme për shpifje dhe e urdhëroi atë t'i paguante zonjës Carroll 83.3 milionë dollarë. Avokatët e ish-Presidentit Trump kanë kohë deri më 13 shtator për të paraqitur një material përmbledhës për këtë apelim.
Më 26 shtator, një gjykatë apeli në Nju Jork do të dëgjojë argumentet verbale të apelimit të ish-Presidentit Trump ndaj një vendimi të marrë në një proces gjyqësor civil me një gjobë prej gati 500 milionë dollarësh, bazuar në padinë e prokurores së Nju Jorkut, Letitia James. Gjykata vendos zakonisht rreth një muaj pas dëgjimit të argumenteve, që do të thotë se një vendim mund të merret përpara zgjedhjeve të nëntorit.
Avokatët e ish-Presidentit Trump thonë se ishte "i gabuar" dhe "tronditës" vendimi i një gjyqtari më 16 shkurt se ish-presidenti gënjeu për vite me radhë për vlerën e pasurive të tij të paluajtshme. Avokatët e shtetit u përgjigjën nëpërmjet dokumentacionit të paraqitur në gjykatë këtë javë, se kishte "prova të shumta" për ta mbështetur vendimin e marrë.
Po paditë ndaj ish-Presidentit Trump për zgjedhjet dhe dokumentet e klasifikuara?
Një çështje gjyqësore e hapur nga shteti Xhorxhia, ku akuzohet ish-Presidenti Trump dhe 18 persona të tjerë për një skemë për të përmbysur humbjen e tij në zgjedhjet e vitit 2020 në këtë shtet, është bllokuar pa ndonjë mundësi për të arritur deri në gjyq përpara datës së zgjedhjeve.
Prokurorët federalë kanë ngritur dy çështje penale kundër ish-Presidentit Trump, por njëra prej tyre u pushua nga një gjykatëse muajin e kaluar dhe tjetra ka të ngjarë të riformulohet pas opinionit të dhënë së fundmi nga Gjykata e Lartë, që u jep imunitet të gjerë ish-presidentëve për veprimet zyrtare që ndërmarrin gjatë kohës në detyrë.
Prokurori i posaçëm Jack Smith ka apeluar pushimin e çështjes nga gjykatësja Aileen Cannon bazuar në padinë që e akuzon ish-Presidentin Trump për marrjen e dokumenteve të klasifikuara në pronën e tij në Mar-a-Lago në Florida dhe për pengimin e përpjekjeve të FBI-së për t'i rimarrë ato. Por edhe nëse gjykata federale e apelit e rikthen çështjen dhe anulon vendimin e gjyqtares se emërimi i prokurorit Smith ishte jokushtetues, nuk ka ndonjë shans që gjyqi të zhvillohet këtë vit.
Një padi tjetër me të cilën përballet zoti Trump është ajo për komplot për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020. Duke marrë parasysh vendimin e Gjykatës së Lartë për imunitetin, gjykata federale në Uashington duhet tashmë të vendosë se cilat nga akuzat, mund të vazhdojnë të mbeten pjesë e procedurës penale dhe cilat duhet të hidhen poshtë. Marrja e një vendimi se cilat akte janë zyrtare dhe cilat jo, ka të ngjarë të jetë një proces i vështirë.
Përplasjet për votën dhe zgjedhjet
Përpara se të hidhen votat e para, dy kampet elektorale po përgatiten për beteja të mundshme ligjore.
Betejat për rregullat zgjedhore janë bërë një element kryesor i demokracisë amerikane, por ato pritet të shtohen këtë vit. Ish-Presidenti Trump ka emëruar në Komitetin Kombëtar Republikan, një drejtues për integritetin e zgjedhjeve, që më parë ka mbështetur përpjekjet e tij për të përmbysur fitoren e Presidentit Biden në vitin 2020. Komiteti Kombëtar Republikan ka ngritur disa padi, duke sfiduar rregullat e votimit dhe ka njoftuar se janë duke u përgatitur padi të mëtejshme.
Demokratët po krijojnë gjithashtu një ekip ligjor. Ndër të tjera, ata po kundërshtojnë përpjekjet republikane për të hequr disa votues joaktivë ose joshtetas nga listat e votuesve, duke argumentuar se nga këto spastrime do të preken edhe votuesit e ligjshëm.