Lidhje

Sullivan në Kinë dhe mundësia e një takimi Biden-Xi


Këshilltari amerikan për Sigurinë Kombëtare, Jake Sullivan dhe Ministri i Jashtëm kinez Wang Yi shtërngojnë duart gjatë takimit në Pekin, më 27 gusht, 2024/AP
Këshilltari amerikan për Sigurinë Kombëtare, Jake Sullivan dhe Ministri i Jashtëm kinez Wang Yi shtërngojnë duart gjatë takimit në Pekin, më 27 gusht, 2024/AP

UASHINGTON – Këshilltari amerikan për Sigurinë Kombëtare, Jake Sullivan u takua të martën në Pekin me Ministrin e Jashtëm kinez Wang Yi në një përpjekje për të menaxhuar tensionet ndërmjet Uashingtonit dhe Pekinit ndërsa Shtetet e Bashkuara ndodhen para zgjedhjeve presidenciale.

Vizita e zotit Sullivan, e cila përfundon të enjten, ka po ashtu për qëllim të krijojë kushtet për një takim të fundit ndërmjet Presidentit amerikan, Joe Biden dhe homologut të tij kinez, Xi Jinping, para përfundimit të mandatit të zotit Biden në janar, thonë analistët.

Para takimit me dyer të mbyllura, ministri Wang u tha gazetarëve se marrëdhëniet ndërmjet Kinës dhe Shteteve të Bashkuara janë të një rëndësie të madhe për botën, por se ato kanë “problemet e tyre”, siç shtoi ai. Ministri Wang tha se shpreson që marrëdhëniet mes dy vendeve do të bëhen të shëndetshme dhe të qëndrueshme.

Zoti Sullivan tha se dy palët do të bisedojnë për fushat ku pajtohet dhe për tema ku ekzistojnë mospajtime, të cilat ‘duhet të menaxhohen në mënyrë efektive dhe thelbësore”.

Zyrtarët amerikanë thonë se arsyeja kryesore e vizitës së zotit Sullivan është që të vazhdohet një komunikim i dyanshëm, i cili u ndërpre për shkak të tensioneve tregtare, shqetësimeve mbi të drejtat e njeriut dhe marrëdhënieve gjithnjë e më të afërta të Pekinit me Moskën, që nga sulmi rus në Ukrainë.

Gjatë një takimi me gazetarë javën e kaluar, një zytar i lartë i administratës amerikane, që foli me kushtin që të mos identifikohej, tha se zoti Sullivan dhe ministri Wang pritet që të kalojnë rreth 10 deri në 12 orë, në harkun kohor të dy ditëve për të biseduar për çështje dypalëshe, globale, rajonale dhe për çështjet politike dhe ekonomike ndërmjet Kinës dhe Tajvanit.

“Është me rëndësi të ritheksohet se diplomacia amerikane dhe kanalet e komunikimit nuk sinjalizojnë ndonjë ndryshim të qasjes ndaj Kinës. Kjo është një marrëdhënie shumë konkurruese. Jemi të angazhuar të bëjmë investime, të forcojmë aleancat tona dhe të hedhim hapa të përbashkët – në teknologji dhe siguri kombëtare. Por, jemi të angazhuar që ta menaxhojmë këtë konkurrencë me përgjegjësi dhe të parandalojmë që ajo të shkojë drejt konflikti”, tha zyrtari amerikan.

Ai shtoi se gjatë bisedimeve zoti Sullivan do të ngrejë shqetësimin e Shteteve të Bashkuara rreth përkrahjes që Kina po i jep bazës industriale ushtarake të Rusisë, apo dhe problematika të tjera që lidhen me Detin e Kinës së Jugut dhe ato globale, siç janë Koreja e Veriut, Lindja e Mesme, Mianmari dhe Tajvani.

Kjo vizitë nuk pritet të ketë ndonjë efekt madhor, por sipas njoftimeve të mediave ajo ka gjasa që të krijojë kushtet që Presidenti Biden të mbajë një takim të fundit me Presidentin Xi para se ta përfundojë mandatin në janar.

Ndonëse ky lajm nuk është konfirmuar nga Ministria e Jashtme kineze dhe Departamenti amerikan i Shtetit, zoti Biden dhe zoti Xi ka gjasa që të takohen në kuadër të platformës për Bashkëpunimin Ekonomik Azi-Paqësor, në takimin që do të mbahet në Peru në datat 10-16 nëntor, apo në takimin e G-20 në Brazil, që do të mbahet me 18-19 nëntor.

Me zgjedhjet presidenciale në Shtete e Bashkuara, që mbahen me 5 nëntor, zoti Biden, do të jetë një president në përfundim të mandatit, me me një ndikim në zbehje në politikën amerikane. Megjithatë, udhëheqësit kinezë janë të interesuar ta takojnë atë, thotë analisti Wesley Alexander Hill, që menaxhon programin ndërkombëtar në Qendrën për Taksa dhe Investime Ndërkombëtare.

“Për shkak se ekziston një pajtueshmëri e pazakontë e dy partive dhe një skepticizëm rreth Kinës, nuk mendoj që kjo periudhë me një president në përfundim të mandatit do të jetë një faktor i rëndësishëm sa i përket takimit me zotin Biden apo bisedimeve me të”, i tha Zërit të Amerikës analisti Hill.

“Me Kinën, tema që duhet theksuar është vazhdimësia sa i përket qasjes së politikës së jashtme amerikane. Edhe me zotin Trump dhe, të themi, qasjen e tij shumë të drejtpërdrejt si dhe kundërshtuese ndaj Kinës, administrata e zotit Biden nuk ka ndryshuar kursin sa u përket çështjeve kryesore në politikat e zotit Trump.”

Zyrtari i lartë i administratës amerikane tha javën e kaluar se vizita e zotit Sullivan nuk duhet lidhur shumë me zgjedhjet.

“Ky takim do të përqëndrohet në temat dhe çështjet me të cilat po ballafaqohemi aktualisht. Ka shumë për t’u bërë para fundit të vitit sa i përket menaxhimit të marrëdhënieve,” deklaroi zyrtari.

Neysun Mahboubi, drejtor i Projektit mbi të ardhmen e marrëdhënieve ndërmjet SHBA-së dhe Kinës pranë Universitetit të Pensilvanisë, i tha Zërit të Amerikës se pavarësisht kush zgjedhjet president i ardhshëm amerikan, takimi i fundit ndërmjet zotit Biden dhe zotit Xi nuk do të jetë vetëm një formalitet.

Zoti Mahboubi thotë se udhëheqësit kinezë, elitat dhe njerëzit e zakonshëm janë shumë të interesuar në zgjedhjet presidenciale amerikane, por se nuk ka një consensus ndërmjet tyre se cili kandidat do t’i kontribuonte më shumë marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.

“Jam i sigurtë që ka një përshtypje që për Kinën, lufta tregtare në veçanti kishte ndikim negativ. Ka një ide se si president zoti Trump do ta ndiqte atë qasje edhe me më shumë vrull. Në anën tjetër, administrata e zotit Biden ka qenë shumë efektive në mobilizimin e aleatëve, përfshirë në Evropë, në Paqësor, në një formë që administrata e Presidentit Trump nuk ka arritur ta bëjë,” tha ai.

Javën e kaluar, Shtetet e Bashkuara imponuan sanksione të shkallës së gjerë ndaj afro 400 individëve dhe kompanive – 42 prej të cilave kineze – për shkak se i ndihmuan Rusisë që t’i shmangë sanksionet amerikane dhe i kontribuan luftës së Moskës ndaj Ukrainës.

Ministria kineze e Tregtisë njoftoi të dielën se ky vendim amerikan “minon regjimin dhe rregullat e tregtisë ndërkombëtare, pengon këmbimet e zakonshme ekonomike dhe tregtare ndërkombëtare dhe ndikon në sigurinë dhe stabilitetin e zinxhirëve furnizues dhe industrial global.”

Në takimin me diplomatë në prag të vizitës së zotit Sullivan në Pekin të martën, i dërguari i posaçëm i Kinës për çështjet evro-aziatike Li Hiu i përsëritit ato përshtypje, duke i quajtur sanksionet ndaj entiteteve kineze “të jashtëligjshme dhe të njëanshme” dhe “të pabazuara në fakte.”

Kina i quan sanksionet amerikane për shkak të luftës në Ukrainë “të jashtëligjshme dhe të njëanshme.”

XS
SM
MD
LG