Që nga viti 2020, aziatiko-amerikanët kanë qenë grupi i votuesve me rritjen më të shpejtë në Shtetet e Bashkuara, sipas Qendrës Kërkimore Pew. Në vitin 2022, Kalifornia kishte numrin më të madh të aziatiko-amerikanëve me të drejtë vote në Shtetet e Bashkuara, e pasuar nga Nju Jorku dhe Teksasi. votuesit aziatiko-amerikanë kanë potencial të madh, por ata gjithashtu ndeshen me një sërë sfidash.
Në Hjuston të Teksasit ka një larmi ushqimesh dhe kulturash aziatike. Një numër i madh aziatiko-amerikanësh jeton në zonën e gjerë të Hjustonit, përfshirë qarkun Fort Bend, ku ata përbëjnë më shumë se 21 për qind të popullsisë. Në këtë zonë jeton edhe emigrantja kinezo-amerikane JJ Clemence.
"Mendoj se asnjëra parti nuk mund të injorojë komunitetin aziatik", thotë ajo.
Aziatiko-amerikanët janë ndër grupet etnike me rritjen më të shpejtë në Shtetet e Bashkuara, sipas të dhënave të censusit. Pjesëmarrja e votuesve të këtij grupi ka shënuar gjithashtu rritje rekord në dy zgjedhjet e fundit presidenciale.
Kandidatja demokrate për presidente, Kamala Harris e kupton këtë dhe së fundmi ka nxjerrë dy reklama politike për të tërhequr mbështetjen e votuesve aziatiko-amerikanë.
Më shumë aziatiko-amerikanë e identifikojnë veten si demokratë sesa republikanë. Një nga arsyet për këtë është fakti se më shumë se gjysma e votuesve aziatiko-amerikanë janë emigrantë.
"Mendoj se politikat e zotit Trump i dëmtojnë shumë pakicat", thotë koreano-amerikania Becky Kim.
"Shumë nga politikat e tij kanë në shënjestër jo vetëm emigrantët e paligjshëm nga Meksika, apo Amerika e Jugut, por edhe kufizimin e imigrimit legal", thotë studiuesi Richard Murray nga Universiteti i Hjustonit.
Megjithatë, një studim i vitit 2024 mbi votuesit aziatiko-amerikanë zbuloi se 22 për qind e tyre identifikohen si republikanë.
“Aziatiko-amerikanët duan një qeveri më të vogël, më shumë liri dhe taksa më të ulëta”, thotë votuesi kinezo-amerikan Daniel Wong.
Sondazhi zbuloi gjithashtu se 31 për qind e votuesve aziatiko-amerikanë identifikohen si të pavarur.
Por 42 për qind e votuesve aziatiko-amerikanë të anketuar thonë se nuk janë kontaktuar nga kandidatë politikë, apo një parti politike.
Daniel Wong, i cili ka shërbyer në një zyrë të zgjedhjeve lokale, thotë se votuesit aziatiko-amerikanë janë pjesërisht përgjegjës për këtë.
“Nuk jemi të organizuar, nuk e kuptojmë sistemin politik amerikan. Kjo është arsyeja pse ne nuk dimë se si të bashkojmë energjitë tona rreth një qëllimi të përbashkët”, thotë ai.
15 milionë aziatiko-amerikanët me të drejtë vote janë me origjinë nga vende të ndryshme. Bashkimi i votuesve aziatikë ka qenë i vështirë.
Ka qenë një sfidë edhe nxitja e tyre për të dhënë kontribute financiare për fushatat. Me këtë u ndesh edhe zoti Wong në garën për një vend në këshillin e qytetit.
“Aziatikët nuk janë mësuar të japin kontribute financiare për kandidatët politikë. Ata nuk e kuptojnë se si funksionon kjo”, thotë ai.
Edhe zonja Clemence ka kandiduar për një post në qeverinë lokale.
“Shoqëria aziatike, nuk është si një komunitet i krishterë. Të krishterët kanë zakon të japin. Aziatikët duhet të mësohen për këtë dhe duhet një afrim i tyre", thotë kinezo-amerikania JJ Clemence.
Në zgjedhjet e fundit presidenciale, votuan rreth 60 për qind e aziatiko-amerikanëve me të drejtë vote. Aktivistët politikë thonë se ndërtimi i marrëdhënieve me shtetasit e rinj aziatiko-amerikanë dhe edukimi i tyre rreth procesit politik do të nxisë pjesëmarrjen e tyre në zgjedhje.