Lidhje

Meksikë, protesta kundër propozimit të presidentit për ndryshime kushtetuese


Protesta në Meksikë - 25 gusht 2024.
Protesta në Meksikë - 25 gusht 2024.

Protestuesit dolën në rrugë në gjithë Meksikën të dielën për të kundërshtuar propozimin e presidentit Andrés Manuel López Obrador për ndryshim të sistemit gjyqësor dhe lëvizjet e tjera nga partia qeverisëse, që kritikët thonë se do të dobësonin kontrollet dhe balancat demokratike të pushtetit në vend.

Protestuesit u mblodhën në kryeqytetin Meksiko, qytetet Mikoakan, Puebla, Leon, Halisko, Oaksaka, Verakruz dhe zona të tjera për të shprehur shqetësimet rreth ndryshimit të gjyqësorit, veçanërisht propozimit për zgjedhjen e gjykatësve përmes një votimi, të ngjashëm me ato për zgjedhjen e anëtarëve të parlamentit. Shumë protestues janë gjithashtu të zemëruar nga një propozim për të mbyllur agjencitë e pavarura rregullatore.

Në Meksiko turma njerëzish, shumë prej të cilëve punonjës të gjykatave federale dhe gjyqtarë, përfunduan marshimin e tyre jashtë ndërtesës së Gjykatës së Lartë në zemër të qytetit, duke valëvitur pankarta me mbishkrimet "Pavarësi për gjyqësorin" dhe "Respekto demokracinë".

“Tani ne po protestojmë kundër reformave, por nuk janë vetëm reformat”, tha avokati Mauricio Espinosa. “Janë të gjitha këto sulme kundër degës së drejtësisë dhe organeve të tjera autonome. Në fund këto veprime mund të forcojnë ekzekutivin, presidentin e ardhshëm.”

Pas fitoreve të mëdha elektorale në qershor nga partia Morena e presidentit dhe aleatëve të tij, qeveria ka nisur përpjekjet për ndryshime gjithëpërfshirëse në sistemin gjyqësor të Meksikës, i cili për një kohë të gjatë është përballur me zotin López Obrador, një populist që ka sulmuar hapur gjykatësit dhe ka injoruar urdhrat e gjykatave.

Propozimi i tij përfshin zgjedhjen e gjyqtarëve në detyrë, diçka që do të mund të mbushte gjykatat me gjyqatarë me anime politike dhe me pak përvojë.

Ky është shqetësimi i zotit Espinosa, i cili thotë se gjyqtarët “do të duhet të mbledhin para për fushatë, të gjejnë mbështetës. Kështu që vendimet e tyre nuk do të jenë më 100% të pavarura”.

Ndryshimet e propozuara do të kërkojnë miratimin nga Kongresi i Meksikës, ku koalicioni qeverisës ka shumicën.

Autoritetet zgjedhore të premten i dhanë Morenës dhe partive aleate 73% të vendeve në dhomën e ulët të Kongresit, megjithëse ato së bashku fituan 60% të votave. Kjo do t'i jepte bllokut qeverisës shumicën e nevojshme për të miratuar ndryshimet kushtetuese me pak ose aspak kompromis.

Koalicioni do të ketë disa vende më pak se dy të tretat e shumicës në Senat, por mund të marrë votat e nevojshme me ndihmën e një partie më të vogël.

Ndonëse ligjvënësit e rinj nuk do të marrin detyrën deri më 1 shtator, një Komision i Kongresit të premten filloi një nismë tjetër të debatueshme, eliminimin e shtatë organeve autonome, duke përfshirë Institutin Kombëtar të Transparencës.

Drejtuesit e partisë Morena thonë se organet e pavarura mbikëqyrëse dhe rregullatore të Meksikës janë një kosto e panevojshme finaciare. Ata thonë se përgjegjësitë e mbikëqyrjes duhet t'u jepen departamenteve qeveritare, në thelb duke i lejuar ato të kontrollojnë veten e tyre.

Veprimet kolektive të presidentit dhe partisë së tij kanë nxitur shqetësime rreth minimit të institucioneve demokratike. Por për një numër të madh protestuesish, rishikimi i gjyqësorit përfaqëson një kërcënim më të madh.

Punonjësit dhe gjyqtarët e gjykatës federale janë në grevë, vlera e monedhës meksikane pesos ka rënë dhe firmat financiare ndërkombëtare kanë shprehur shqetësime mbi gjendjen në vend. Në mesjavë, ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Meksikë, Ken Salazar paralajmëroi se zgjedhja e gjykatësve është një "rrezik" për demokracinë e Meksikës dhe "kërcënon marrëdhëniet historike tregtare" midis dy vendeve.

Presidenti López Obrador, i cili largohet nga detyra më 30 shtator, dhe presidentja e zgjedhur Claudia Sheinbaum, një anëtare e partisë Morena, dënuan komentet e ambasadorit Salazar. Zoti López Obrador komentet e ambasadorit amerikan i quajti "një mungesë të respektit ndaj sovranitetit tonë kombëtar". Presidenti meksikan Andres Manuel Lopez Obrador u përgjigj të hënën "po" kur u pyet në një konferencë për shtypin nëse ai mendonte se Shtetet e Bashkuara po përdorin ambasadorin e tyre për të ndërhyrë në punët e brendshme të vendit të tij. Zoti Lopez Obrador theksoi nevojën për të respektuar sovranitin e vendeve, ndërsa siguroi gazetarët se marrëdhëniet e Meksikës me ambasadorin amerikan Salazar dhe presidentin Joe Biden mbeten miqësore.

Presidentja e zgjedhur e Meksikës Claudia Sheinbaum tha të shtunën se ndonëse do të ketë gjithmonë dialog mes Shteteve të Bashkuara dhe Meksikës, "ka gjëra që u përkasin vetëm meksikanëve".

XS
SM
MD
LG