Lidhje

Një kategori e re në census për amerikanët me origjinë nga Lindja e Mesme dhe Afrika Veriore 


CENSUS
CENSUS

Në regjistrimin e ardhshëm të popullsisë në vitin 2030, amerikanët të cilët janë me prejardhje nga Lindja e Mesme dhe Afrika Veriore do të kenë kategorinë e tyre të veçantë demografike. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Genia Dulot na sjell reagimet e banorëve të lagjes ‘Arabia e vogël’ në Anaheim të Kalifornisë për këtë vendim.

Një kategori e re në census për amerikanët me origjinë nga Lindja e Mesme dhe Afrika Veriore
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:38 0:00

Në lagjen ‘Arabia e vogël’ në Kaliforni, aktivistët kanë luftuar për më shumë se tre dekada për të shtuar një kategori të re në censusin e ri amerikan – kategorinë MENA – për amerikanët me prejardhje nga Lindja e Mesme dhe Afrika.

Palestinezo-amerikanja Ayah Shiadah thotë se fakti që asaj i duhej gjithmonë të zgjidhte kategorinë “e bardhë” në formularë e bënte të ndjehej e padukshme në shoqërinë amerikane.


“Kurrë nuk ndjehesha se i takoja kategorisë ‘e bardhë’ dhe gjithmonë jam përpjekur ta shënoj prejardhjen nga ndonjë kategori tjetër, qoftë aziatike apo ndonjë tjetër. Tani më në fund mund të ndihem si pjesëtare e shoqërisë dhe që mund të jem palestineze. Që është në rregull të jem arabe,” thotë palestinezo-amerikanja Ayah Shiadah.

Lindja e Mesme dhe pjesa veriore e Afrikës, që në gjuhën angleze njihen si MENA, përfshin 30 identitete të ndryshme, thotë koordinatori për politikë dhe hulumtime pranë Këshillit Qytetar Arabo-Amerikan, Amin Nash.

“Kjo kategori përfshin Iranin, Irakun, Arabinë Saudite, gadishullin arab e deri tek territori palestinez, pastaj në Afrikë, përfshin Afrikën Veriore, duke filluar nga Egjipti, Tunizia, Algjeria, Libia dhe deri tek Maroku”, thotë koordinatori për politikë dhe hulumtime pranë Këshillit Qytetar Arabo-Amerikan, Amin Nash.

Zoti Nash thotë se shpesh varet se si njerëzit e konsiderojnë veten nga aspekti kulturor. Për shembull, izraelitët, të cilët janë të përfshirë në kategorinë MENA, shpesh identifikohen si “të bardhë” ngaqë e kanë prejardhjen nga Evropa Lindore, kurse armenët, sipas tij, duhet të përfshihen në një kategori të re meqë shpesh emigrojnë në Shtetet e Bashkuara nga Lindja e Mesme.

Sipas drejtorit ekzekutiv të Këshillit Qytetar Arabo-Amerikan, Rashad Al-Dabbagh, kategoria e re në census do t’i ndihmojë arabo-amerikanët që t’u bëjnë më shumë jehonë nevojave të tyre.

“Fakti që tani kemi një kategori të veçantë për komunitetin tonë do të thotë që kemi shifrat, kemi të dhënat, do ta dimë se sa banorë me origjinë nga Lindja e Mesme dhe Afrika Veriore jetojnë në komunitetet tona. Për ne, si Këshill qytetar arabo-amerikan, është e rëndësishme t’i mobilizojmë njerëzit për të votuar, kur flasim me anëtarë Kongresi, të kemi të dhëna dhe t’u themi, ‘kemi kaq njerëz nga komuniteti ynë që jetojnë në distriktin tuaj. Jemi komunitet i madh, duhet t’i merrni parasysh nevojat tona”, thotë ai.

Zoti Al-Dabbagh thotë se ky ndryshim do t’ua bëjë më të lehtë pjesëtarëve të komunitetit të tij të aplikojnë për huamarrje për biznese për pakicat, të regjistrojnë shkeljet e të drejtave civile dhe të shqyrtojnë se si çështjet e ndryshme të përkujdesit shëndetësor ndikojnë tek pjesëtarët e këtij komuniteti.

Shumica e banorëve të lagjes ‘Arabia e vogël’ e mirëpresin këtë ndryshim. Por libanezo-amerikani Tony Hakim nuk është në mesin e tyre. Ndërsa blen bukën tradicionale libaneze në një pastiçeri, ai thotë se ky ndryshim do të jetë më shumë përçarës se gjithpërfshirës.


“Ne na duhet që njerëzit të fillojnë të mendojnë që janë amerikanë, që janë këtu, se nuk dua të kthehem në vendin nga jam, pasi e kam lënë prapa. Tani dua të shoh drejt të ardhmes, të të qenurit në Amerikë, si pjesë e kulturës amerikane dhe të identifikohem si amerikan”, thotë libanezo-amerikani Tony Hakim.

Kategoria e re MENA do t’i shtohet censusit të ardhshëm amerikan në vitin 2030.

XS
SM
MD
LG