Disa orë pas pezullimit të fushatës të tij për president, Robert F. Kennedy Jr. mori pjesë në një tubim fushate me ish Presidnetin Donald Trump në Glendejl të Arizonës. Zoti Trump gjatë fjalimit në Glendejl falenderoi zotin Kennedy për mbështetjen e tij dhe e prezantoi atë para mbështetësve të tij.
Robert F. Kennedy Jr. foli për disa minuta para mbështetësve të zotit Trump të premten mbi çështjet me të cilat ai është dakord me ish Presidentin republikan, përfshirë luftën kundër sëmundjeve kronike dhe ushqimeve të dëmshme dhe politikën e jashtme.
Kandidati i pavarur për president, Robert F. Kennedy Jr më herët të premten tha se do të pezullonte fushatën dhe do të mbështeste ish-Presidentin Donald Trump.
Gjatë një fjalimi në Feniks të Arizonës, kandidati i pavarur për President, Robert F. Kennedy Jr. shtroi pakënaqësitë e tij me Partinë Demokrate, mediat dhe institucionet politike dhe lavdëroi ish Presidentin Trump. Ai foli për gati 20 minuta përpara se të thoshte në mënyrë të drejtpërdrejtë se po mbështeste kandidaturën e zotit Trump për president.
Këshilltarët e fushatës së tij thanë se zoti Kennedy ishte i shqetësuar se nëse vazhdon të qëndrojë në garë, ai do të zbehte përkrahjen për ish- Presidentn Trump në garën e ngushtë me Nënpresidenten Kamala Harris.
“E ndjej se më nuk kam gjasa reale për një fitore zgjedhore i gjetur para kësaj censure të vazhdushme, sistematike dhe mediash të kontrolluara”, deklaroi zoti Kennedy.
Në një tubim fushate në Las Vegas, zoti Trump tha se ishte një "nder i madh" të merrte mbështetjen e zotit Kennedy dhe nuk pranoi të fliste mbi rolin që do të merrte zoti Kennedy nëse ai do t’i fitonte zgjedhjet e nëntorit.
“Ai është thjesht një person i respektuar”, tha zoti Trump. "Jo të gjithë pajtohen me gjithçka që ai thotë, por kjo është e vërtetë me të gjithë."
Një avokat për çështje të ambientit, aktivist kundër vaksinimit, djali dhe nipi i dy figurave të rëndësishme nga radhët e demokratëve që u vranë gjatë viteve të trazuara të ‘60, zoti Kennedy hyri në garë në muajin prill të vitit 2023 për të sfiduar emërimin e zotit Biden si kandidat demokrat për president. Shumë anëtarë të famijes Kennedy shprehën mospajtimin e tyre me fushatën e tij.
“Në afro 10 shtete të diskutueshme, ku prania ime në garë mund të ndikonte tek rezultati, do ta heq emrin tim. Tashmë e kam filluar këtë proces dhe nxis votuesit të mos votojnë për mua,” tha ai.
Ai tha se vendimi i tij u nxit nga “tre kauza kryesore” që e nxitën atë të mbështesë zotin Trump, duke numëruar “fjalën e lirë, luftën në Ukrainë dhe luftën ndaj fëmijëve tanë”.
Ai tha se emri i tij si kandidat në zgjedhjet e 5 nëntorit do të mbetet në fletëvotim në shumicën e shteteve dhe kërkoi nga votuesit amerikanë që ta votojnë “pa dëmtuar apo ndihmuar Presidentin Trump dhe Nënpresidenten Harris”.
Njerëz pranë fushatës së zotit Kennedy i thanë agjencisë Reuters se ai synon një marrëveshje me zotin Trump, që në këmbim të përkrahjes për të, të sigurojë një pozitë në një administratë të mundshme të zotit Trump.
Një vit më parë, analistët politikë nuk do të mund të imagjinonin që një anëtar i familjes ndoshta më të njohur në politikën e Partisë Demokrate të punonte me zotin Trump kundër një kandidati demokrat në zgjedhjet presidenciale. Madje në muajt e fundit, Robert F. Kennedy e ka akuzuar zotin Trump se ka tradhtuar mbështetësit e tij, ndërsa zoti Trump e ka kritikuar zotin Kennedy, duke e quajtur atë "kandidatin e majtë më radikal në garë".
Pesë nga anëtarët e familjes Kennedy lëshuan një deklaratë të premten duke e quajtur mbështetjen e tij për zotin Trump "një fund të trishtuar për një histori të trishtuar" dhe duke përsëritur mbështetjen e tyre për demokraten Kamala Harris.
“Vendimi i vëllait tonë Bobby për të mbështetur zotin Trump sot është një tradhti ndaj vlerave më të rëndësishme të babait tonë dhe familjes sonë”, thuhet në deklaratën, të cilën motra e tij Kerry Kennedy e postoi në rrjetin X.
Robert F. Kennedy Jr., djali i Prokurorit të Përgjithshëm të ndjerë dhe Senatorit Robert Kennedy dhe nipi i Presidentit John F. Kennedy, pranoi se vendimi i tij për të mbështetur zotin Trump kishte shkaktuar tensione me familjen e tij të ngushtë. Ai është i martuar me aktoren Cheryl Hines, e cila shkroi në rrjetin X se ajo e respekton thellësisht vendimin e burrit të saj për t'u tërhequr nga gara presidenciale, por nuk përmendi mbështetjen e tij për zotin Trump.
"Ky vendim është i mundimshëm për mua për shkak të vështirësive që shkakton tek bashkëshortja, fëmijët dhe miqtë e mi", tha zoti Kennedy. "Por unë jam i sigurt se kjo është ajo që duhet të bëj. Dhe kjo siguri më jep paqe të brendshme, edhe në kohë të vështira."
Në një deklaratë, kryetarja e ekipit të fushatës së demokrates Kamala Harris, Jen O'Malley Dillon iu drejtua mbështetësve të zotit Kennedy, të cilët janë "të lodhur nga Donald Trumpi dhe kërkojnë një rrugë të re përpara".
“Për të ndihmuar njerëzit me të ardhura më të ulëta dhe ata që ndihen të lënë pas, ne kemi nevojë për një udhëheqës që do të luftojë për ju, jo vetëm për veten e tyre, dhe do të na bashkojë, jo të na përçajë”, tha ajo. "Nënpresidentja Harris dëshiron të fitojë mbështetjen tuaj", tha ajo në mesazhin për mbështetësit e kandidati Robert F. Kennedy.
Në anketat e fundit, Rober F. Kennedy mori mbështetje një shifrore.
Ka disa prova se qëndrimi i zotit Kennedy në garë do ta dëmtonte zotin Trump më shumë se sa zonjën Harris. Sipas një ankete nga agjencia e lajmeve AP dhe Qendra e Politikave Publike në Çikago, "NORC", republikanët kishin shumë më shumë gjasa se demokratët të kishin një pikëpamje të favorshme për zotin Kennedy, 52% me 37%.