Lidhje

SHBA vazhdon trysninë për armëpushimin në Lindjen e Mesme


Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të ushtrojnë trysni për arritjen e një armëpushimi në luftën 10-mujore Izrael-Hamas. Marrëveshja, veç ndalimit të luftimeve do të përfshijë edhe lirimin e pengjeve të marrë gjatë sulmit terrorist të 7 tetorit në Izrael. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës Laurel Bowman negociatorët pritet të kthehen në bisedime, që po zhvillohen në Kajro, deri në fund të javës, pasi Sekretari i Shtetit Antony Blinken vizitoi rajonin.

SHBA vazhdon trysninë për armëpushimin në Lindjen e Mesme
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:11 0:00


Luftimet kanë vazhduar në Rripin e Gazës mëngjesin e të premtes, ndërsa Uashingtoni, Katari dhe Egjipti po vazhdojnë përpjekjet për ndalimin e luftës.

Ushtria izraelite njoftoi të premten se ka vrarë ‘dhjetëra’ militantë gjatë luftimeve të një dite më parë.

Zyrtarët shëndetësorë palestinezë thanë se sulmet izraelite vranë të paktën 22 persona, ndërsa vazhdojnë luftimet Izrael - Hamas.

Banori i Gazës, Majid al Dabak thotë se ai humbi të afërmit në këto sulme.

“Shtëpia u godit dhe të gjithë brenda, fëmijë, burra, gra u hodhën në erë, sikur shtëpia të mos ishte ndërtuar kurrë…”, thotë zoti Dabak.

Zyrtarët shëndetësorë të Gazës thonë se përgjatë sulmeve 10 mujore izraelite janë vrarë më shumë se 40,000 palestinezë. Izraeli thotë se sulmet e tij kanë në shënjestër grupin të përcaktuar si terrorist nga Uashingtoni, Hamas, i cili vrau 1200 njerëz dhe mori qindra pengje gjatë sulmit të 7 tetorit.

Të enjten u njoftua se një tjetër luftanije amerikane hyri në ujërat e Lindjes së Mesme, ndërsa vazhdojnë tensionet në pritje të sulmi të mundshëm iranian ndaj Izraelit. Teherani është zotuar se do të hakmerret për vrasjen e udhëheqësve të Hamasit dhe Hezbollahut, dy prej aleatëve të tij në rajon.

“Ne kemi shtuar praninë ushtarake në rajon. Besoj se është e drejtë të thuhet se kemi hyrë në zona që do të ndikojnë në llogaritjet e Iranit për mënyrën dhe, nëse vendos, të veprojë// Ky veprim gjithashtu dërgon një mesazh që ne jemi përkrah Izraelit”, tha Sabrina Singh, zëdhënëse e Departamentit të Mbrojtjes.

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken u kthye nga Lindja e Mesme këtë javë. Ai tha se negociatorët paraqitën një propozim që trajtonte çështjet e pazgjidhura midis Izraelit dhe Hamasit.

“Me partnerët tanë në Egjipt dhe Katar, mesazhi ynë është i thjeshtë, i qartë dhe urgjent. Ne kemi nevojë të arrijmë marrëveshjen për armëpushimin dhe lirimin e pengjeve”, thotë Sekretari i Shtetit, Antony Blinken.

Ekspertët e lidhjeve arabo-izraelite thonë se puna e negociatorëve arabë është me rendësi kyçe për të ulur tensionet në rajon.

“Nëse ndërmjetësit arabë janë të bindur se Izraeli e ka pranuar propozimin e Blinkenit, mesazhi që do t'i përcillet Iranit dhe të tjerëve është se: “ne e kemi pajtimin e Izraelit, ende jo të Hamasit, por do të vazhdojmë të përpiqemi’”, thotë David Makovsky nga Instituti i Uashingtonit.

Izraeli thotë se i duhet dhënë fund kërcënimit të sigurisë nga Hamasi. Hamasi kërkon tërheqjen e plotë të trupave izraelite nga Rripi i Gazës.

Kombet e Bashkuara thonë se 90% e 2.1 milionë banorëve të Gazës janë zhvendosur që nga fillimi i luftës vitin e kaluar.

XS
SM
MD
LG