Lidhje

Trump në Arizona, kritika ndaj Biden dhe Harris mbi sigurinë kufitare


Gjatë një vizite të enjten në Arizona, një shtet në kufi me Meksikën ish-Presidenti Donald Trump i bëri jehonë mesazhit të tij të fortë mbi sigurinë kufitare.

Në të djathtën time është ajo që ne e quajmë muri i Trumpit. Ky ishte muri që u ndërtua nën Presidentin Trump”, tha Paul Perez, presidenti i Sindikatës së Patrullës Kufitare që shoqëronte zotin Trump gjatë kësaj vizite.

Në të majtën time, kemi atë që ne e quajmë muri Kamala, që nuk shërben për asgjë, sepse nuk është i ngritur”, shtoi ai.

Kjo është vizita e katërt, në një seri aktivitetesh të mbajtura këtë javë në ato që njihen si shtete fushëbeteje, ndërsa demokratët po mbajnë Kuvendin Kombëtar në Çikago.

Të mërkurën në mbrëmje folësit në kuvend akuzuan zotin Trump se po përdor kufirin për të nxitur bazën e tij duke sulmuar ashpër emigrantët.

Në vizitën kufitare të së enjtes ish-presidentit iu bashkuan edhe disa nëna, fëmijët e të cilëve dyshohet se janë vrarë nga imigrantë të paligjshëm gjatë administratës Biden. Zoti Trump e vë shpesh theksin tek sulmet e kryera nga emigrantët e paligjshëm, megjithëse disa studime kanë treguar se persona që jetojnë në mënyrë të paligjshme në SHBA, kanë më pak gjasa sesa amerikanët që të arrestohen për krime të dhunshme apo drogë.

"Dua realisht që të gjithë të kuptojnë se sa i rëndësishëm është kontrolli kufitar, sepse ne po humbasim njerëz shumë të pafajshëm nga krime të tmerrshme", tha Alexis Nungaray, nëna e 12-vjeçares Jocelyn Nungaray, e cila u vra në Hjuston në muajin qershor.

Gjatë aktivitetit në Arizona, snajperët qëndruan në pozicione të ngritura, me sytë dhe armët e tyre e drejtuara nga Meksika. Forcat e sigurisë dukeshin qartë edhe në anën meksikane të kufirit, mes tyre persona të armatosur me pajisje taktike. Të tjerë mbanin uniforma që i identifikonin si anëtarë të policisë së shtetit meksikan.

Ajo që Biden dhe Kamala u kanë bërë familjeve që janë këtu me mua dhe shumë të tjerëve, mijëra e mijëra të tjerëve, jo vetëm të vrarë, por edhe të plagosur rëndë, deri në atë një pikë që nuk mund të bëjnë më një jetë normale, është e turpshme dhe e rëndë”, tha zoti Trump.

Këtë javë, zoti Trump ka udhëtuar në Pensilvani, Miçigan dhe Karolinën e Veriut si dhe do të mbajë aktivitete elektorale në Las Vegas dhe në periferi Feniksit, në Glendale, të premten. Kandidati republikan për Nënpresident JD Vance foli në të njëjtin vend pranë kufirit, disa javë më parë.

XS
SM
MD
LG