Vendi po përballet me kërcënime të shtuara nga shumë drejtime në një kohë kur agjencitë e zbatimit të ligjit po ndeshen me vështirësi, tha drejtori i FBI-së Christopher Wray, në një intervistë për agjencinë e lajmeve Associated Press. Zoti Wray theksoi se "e kam të vështirë të kujtoj një kohë të ngjashme në karrierën time me kaq kërcënime të ndryshme, që janë rritur njëkohësisht.”
Drejtori i FBI-së Christopher Wray foli të mërkurën me agjencinë e lajmeve Associated Press ndërsa vizitoi zyrën e FBI-së në Mineapolis për të folur për partneritetin midis agjencive të zbatimit të ligjit me entitete të tjera. Komentet e tij vijnë pasi FBI-ja përballet me shqetësime të shtuara mbi terrorizmin, si të brendshëm ashtu edhe ndërkombëtar, si dhe spiunazhin nga Kina, vjedhjen e pronës intelektuale dhe ndërhyrjen e vendeve të huaja në zgjedhje.
"Unë shqetësohem për kombinimin e shumë kërcënimeve që ngrihen menjëherë, me sfidat me të cilat përballen burrat dhe gratë, që punojnë në agjencitë e zbatimit të ligjit në përgjithësi", tha zoti Wray. “Dhe e vetmja gjë që mendoj se ndihmon për të kapërcyer këto dy sfida janë partneritetet. Kjo mund të tejkalohet përmes një bashkëpunimi mes të gjitha agjencive të zbatimit të ligjit.”
Vlerësimi i zotit Wray për një mjedis në rritje kërcënimesh është në përputhje me alarmin që ai ka lëshuar për muaj të tërë. Menjëherë pas sulmit të 7 tetorit nga Hamasi në Izrael, zoti Wray filloi të paralajmëronte se konflikti mund të shërbente si një frymëzim për militantët, "që ne nuk e kemi parë që kur ISIS-i themeloi të ashtuquajturin kalifat vite më parë".
FBI-ja gjithashtu është përpjekur të merret me shqetësimet e sigurisë në lidhje me kufirin jugor të Shteteve të Bashkuara, ku zyrtarët zbuluan në qershor tetë persona nga Taxhikistani me lidhje të dyshuara me grupin Shteti Islamik, të cilët u arrestuan për shkelje të ligjeve të emigracionit.
Zyrtarët po merren edhe me çështjen e ndërhyrjeve të huaja në zgjedhje. FBI-ja dhe agjencitë e tjera federale njoftuan të hënën se Irani ishte përgjegjës për një sulm kibernetik që kishte në shënjestër fushatën e ish Presidentit Trump dhe për një tentativë për ndërhyrje në fushatën e Nënpresidentes Harris, pjesë e asaj që zyrtarët e cilësuan si një përpjekje agresive për të ndërhyrë në politikën amerikane.
Zoti Wray nuk pranoi të fliste për ndonjë hetim apo kërcënim specifik, por tha se për hetimet e rasteve të sulmeve kibernetike, duke përfshirë ato kundër infrastrukturës zgjedhore, kandidatëve apo fushatave, nevojitet ndihma nga sektori privat.
“Një nga gjërat që ne kemi dyfishuar është krijimi i partneriteteve, sepse në fund të fundit kemi të bëjmë me aftësinë për të mbledhur informacione nga burime të ndryshme mbi kërcënimin për ndikim në zgjedhje, apo ndonjë lloj tjetër kërcënimi”, tha zoti Wray. "Për të krijuar një pasqyrë më të qartë mbi kërcënimet, duhet të kemi partnerë që ndajnë informacione me njëri-tjetrin."
Oficerët e zbatimit të ligjit po vriten në krye të detyrës me një ritëm prej rreth një në çdo pesë ditë, tha zoti Wray, duke vënë në dukje se tre policë dhe një mjek u vranë vetëm në Minesota në 2024. Një polic u vra në Mineapolis në maj ndërsa po përpiqej të ndihmonte dikë dhe dy policë dhe një ndihmës mjek u vranë në Bërnsvil në shkurt kur një burrë i armatosur hapi zjarr.
Një dhunë e tillë "më thyen zemrën çdo herë", tha drejtori i FBI-së.
FBI-ja nuk është kursyer nga sulme të tilla. Disa ditë pasi agjentët kontrolluan pronën e ish Presidentit Donald Trump në Florida, Mar-a-Lago, për të rimarrë dokumente sekrete, një person i armatosur që bëri thirrje në mediat sociale që agjentët federalë të vriteshin "në shikim të parë" vdiq në një shkëmbim zjarri, pasi u përpoq të futej brenda zyrës së FBI-së në Sinsinati.
Christopher Wray tha se FBI-ja ka punuar për të forcuar partneritetet tradicionale me organet shtetërore dhe lokale të zbatimit të ligjit dhe për të krijuar partneritete me biznesin dhe institucionet arsimore për të ndihmuar në përballimin e kërcënimeve ndaj sigurisë kibernetike apo pronës intelektuale. Në Mineapolis dhe zyra të tjera, tha ai, autoritetet po bashkëpunojnë me punonjës të shkollave dhe profesionistë të shëndetit mendor për të ndihmuar adoleshentët në rrezik me shpresën për të shmangur kërcënimet e ardhshme.
Puna me industrinë e teknologjisë është e rëndësishme për mbrojtjen e novacionit dhe inteligjencës artificiale nga kërcënimet e huaja, shtoi zoti Wray.
"Inteligjenca artificiale është në shumë mënyra mjeti më efektiv kundër përdorimit të inteligjencës artificiale nga njerëzit e këqij", tha ai. "Kështu që ne duhet të punojmë ngushtë me këtë industri për t’u siguruar që inteligjenca artificiale amerikane të përdoret për mbrojtjen e popullit amerikan nga kërcënimet e aktivizuara nga inteligjenca artificiale, që vijnë nga ana tjetër."