Lidhje

Një varkë me emigrantë është përmbysur në lumin Drina ndërmjet Serbisë dhe Bosnjës – 10 të vdekur


Arkiv - pamje nga lumi Drina
Arkiv - pamje nga lumi Drina

Një foshnjë ishte në mesin e të paktën 10 personave që u mbytën pasi një varkë me imigrantë u përmbys ndërsa kalonte nga Serbia në Bosnjë përmes lumit Drina, thanë të enjten zyrtarë të të dyja vendeve ballkanike.

Ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiç, tha se policia serbe u njoftua rreth orës 5 të mëngjesit nga autoritetet në Bosnjë dhe nga një qytetar.

Ministri Daçiç tha fillimisht se 18 imigrantë, në mesin e të cilëve tre fëmijë, arritën të kalonin në Bosnjë, ndërsa 25 persona ishin në varkë kur ajo u përmbys. Por më vonë ai tha se numri i viktimave kishte arritur në 10, gjë që lë të kuptohet mund të kishte pasur më shumë imigrantë në varkë kur ajo u përmbys.

“Është gjetur trupi i pajetë i një foshnjeje rreth nëntë muajshe”, tha ministri serb “Fëmija ishte me nënën e tij, trupi i së cilës u nxor nga lumi më herët gjatë ditës”.

“Policia dhe ekipet e shpëtimit po vazhdojnë kërkimet e mëtejshme në lumin Drina dhe përreth”, tha ministri Daçiç në një deklaratë.

Nga 18 emigrantë që arritën të dalin në breg, 16 janë nga Siria dhe dy janë nga Egjipti, tha ministri Daçiç. Dhjetë prej tyre janë të mitur.

Imigrantët që shfrytëzojnë të ashtuquajturën rrugë tokësore ballkanike në përpjekjet e tyre për të arritur në Evropën Perëndimore, hyjnë në Serbi nga Bullgaria ose Maqedonia e Veriut përpara se të shkojnë në Hungari, Kroaci ose Bosnjë.

Për të arritur në vendet e pasura evropiane, të ikurit nga luftërat dhe varfëria, shpesh u drejtohen trafikantëve për t'i kaluar ata përtej kufijve në rrugë të paligjshme.

XS
SM
MD
LG