Lidhje

Rusia akuzon Ukrainën për një sulm masiv me dronë ndaj Moskës


Ministri rus i mbrojtjes duke inspektuar autoblindat e kapura gjatë luftimeve në Ukrainë (12 gusht 2024)
Ministri rus i mbrojtjes duke inspektuar autoblindat e kapura gjatë luftimeve në Ukrainë (12 gusht 2024)

Autoritetet ruse thanë të mërkurën se Moska u vu në shënjestër nga Ukraina në sulmin më të madh me dronë që nga fillimi i luftimeve në vitin 2022 dhe se arriti t’i shkatërrojnë ata.

Rusia shkatërroi 45 dronë ukrainas gjatë natës, njoftoi Ministria ruse e Mbrojtjes. Ajo tha se 11 dronë u shkatërruan në mbi rajonin e Moskës, 23 mbi rajonin Bryansk, gjashtë mbi Belgorod, tre mbi Kaluga dhe dy mbi Kursk.

“Kjo ishte një ndër përpjekjet më të mëdha të bëra ndonjëherë për ta sulmuar Moskën duke përdorur dronë”, shkruajti kryebashkiaku i Moskës, Sergey Sobyanin në kanalin e tij në Telegram. Ai tha se të gjithë dronët u shkatërruan nga sistemet e forta të mbrojtjes të ngritura përreth kryeqytetit.

Në disa kanale të mediave ruse u shfaqën video të dronëve që shkatërroheshin nga sistemet ajrore të mbrojtjes.

Një ushtarak ukrainas ndjek pamjet e transmetuara nga dronët në një qendër komande nëntokësore
Një ushtarak ukrainas ndjek pamjet e transmetuara nga dronët në një qendër komande nëntokësore

Alexander Bogomaz, guvernatori i rajonit Bryansk, tha se rajoni i tij ishte vënë në shënjestër në një sulm "masiv", por se 23 dronë u shkatërruan.

Sulmet me dronë vijnë ndërsa forcat ukrainase po vazhdojnë të përparojnë në rajonin perëndimor të Kurskut të Rusisë.

Instituti për Studimin e Luftës, me seli në Uashington, tha në raportin e tij ditor të martën vonë se ukrainasit kanë bërë përparime të reja në ofensivën që ka hyrë tashmë në javën e tretë. Instituti vuri në dukje se forcat ukrainase duket se po godasin urat e përkohshme lundruese të ngritura nga forcat ruse dhe pajisjet inxhinierike mbi lumin Seym, në një zonë në perëndim të rajonit Kursk.

Sulmi në territorin e Rusisë ka rritur moralin në Ukrainë dhe ka ndryshuar dinamikën e luftimeve. Por nga ana tjetër, Ukraina vazhdon të humbasë terren në rajonin e saj industrial lindor të Donbasit.

XS
SM
MD
LG