Lidhje

Trump bën fushatë në Miçigan, ndërsa demokratët e vënë në shënjestër për problemet e tij ligjore


Ish-presidenti Donald Trump bëri fushatë të martën në Miçigan duke premtuar "ta bëjmë Amerikën të sigurt përsëri", ndërkohë që demokratët vazhdojnë Kuvendin e tyre në Çikago ku do shpallin zyrtarisht Nënpresidenten Kamala Harris si kandidate për nënpresidente dhe ku shumë nga folësit kanë përmendur problemet e tij ligjore.

Duke bërë fushatë në një shtet me rëndësi vendimtare për rezultatin e zgjedhjeve, zoti Trump sulmoi Nënpresidenten Harris, një ish-Prokurore të Përgjithshme të Kalifornisë, duke thënë se nëse fiton ajo do “të sjellë krim, kaos, shkatërrim dhe vdekje”.

“Do të shihni nivele krimi që nuk i keni parë kurrë më parë. ... Unë do të vendos ligjin, rendin, sigurinë dhe paqen.”

Zoti Trump është përpjekur në javët e fundit të zbehë entusiazmin që ka ngjallur zonja Harris, pasi Presidenti Joe Biden u tërhoq nga gara dhe e mbështeti atë si kandidate.

Tubimi i ish-Presidentit Trump të martën ishte në vazhdën e disa aktiviteteve që kishin si objektiv paraqitjen e vizionit të tij për çështje të caktuara që shqetësojnë votuesit.

Por zoti Trump i ka përdorur këto raste për të sulmuar personalisht zonjën Harris dhe duke goditur Presidentin Biden.

Të martën në Miçigan, ish-Presidenti paraqiti një tablo të zymtë të jetës në Shtetet e Bashkuara dhe foli për rrezikun e një presidence të zonjës Harris, megjithëse nuk dha shembuj konkretë.

“Është çmenduri. Nuk mund të dalësh në rrugë për të blerë bukë. Të godasin, të grabisin, të përdhunojnë ... është koha për ndryshim.”

Imazhi i zotit Trump duke bërë pretendime të tilla, i rrethuar nga oficerë të zbatimit të ligjit që e mbështesin atë, ishte në kontrast të plotë me Kuvendin e demokratëve.

Folësit në këtë Kuvend, u kujtuan amerikanëve se zoti Trump është ish-Presidenti i parë i shpallur fajtor për krime të rënda, dhe ende përballet me akt-padi të shumta, përfshirë për përpjekjet e tij për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020.

XS
SM
MD
LG