Lidhje

Lela: PD viktimë e anomalisë, që ka çuar në rritje të Edi Ramës skandal pas skandali


Drejtori i Komunikimit në Partinë Demokratike Alfred Lela thotë se në Shqipëri nuk ka zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe se opozita është viktimë prej vitesh e këtij fenomeni. Gjatë intervistës për Zërin e Amerikës, zoti Lela shton se nëse në çdo vend demokratik, një skandal do të dëmtonte një parti në pushtet, krejt e kundërta ndodh në Shqipëri. Ai sjell shembuj të disa garava elektorale mes tyre zgjedhjet e fundit në Himarë, që sipas tij ishin të manipuluara.

 Lela: PD viktimë e anomalisë, që ka çuar në rritje të Edi Ramës skandal pas skandali
please wait

No media source currently available

0:00 0:09:08 0:00

Zëri i Amerikës: Zoti Lela, po nis pyetjen e parë duke marrë shkas nga Kuvendi Kombër i Demokratëve që është në ditën e dytë të tij. U parapri, siç ju e dini, nga tërheqja e Presidentit Biden nga gara, duke i hapur rrugën kandidimit zyrtarisht të Nënpresidentes Harris. Pse në Shqipëri, zoti Lela është kaq shumë e vështirë që udhëheqësit t’i hapin rrugën dikujt tjetër. Mjaft të kujtojmë që nga fillimet e demokracisë ka shumë pak emra të cilët kanë drejtuar vendin. Përveç zotit Nano, që u tërhoq, pothuajse të gjithë vazhdojnë të jenë në jetën politike, përfshirë edhe zotin Berisha, i cili mori drejtimin e Partisë Demokratike.

Alfred Lela: Unë mendoj që rrethanat dhe kultura janë krejt të ndryshme dhe meqë përmendët zotin Berisha është fakt që zoti Berisha është tërhequr një herë. Pra, është politikani që pas humbjes së zgjedhjeve në vitin 2013, u tërhoq, dha dorëheqjen, ia la vendin e kryetarit të Partisë Demokratike nëpërmjet zgjedhjeve, e dimë tashmë historinë, zotit Lulzim Basha. Pra zoti Berisha e ka bërë aktin e tërheqjes.

Nëse futemi tek detajet dhe kontekstet e tjera, pastaj do na duhet më shumë kohë për të folur për kulturën politike e me radhë. Por fakti është që Sali Berisha u tërhoq në vitin 2013. Nëse do të diskutojmë se pse u rikthye, edhe ajo kërkon kohën e vet.

Zëri i Amerikës: Por nëse mund ta sillni në sintezë se përse u rikthye...

Alfred Lela: Ishte jashtë vullnetit të zotit Berisha. U kthye, u rikthye për të, do të duket e tepërt po ta them, por gjithsesi për mua ky është një fakt. U rikthye për të shpëtuar opozitën e cila, sipas kronikave që edhe ju keni transmetuar, ishte drejt shpartallimit, e gjendur në një rrethim si të jashtëm ashtu edhe të brendshëm. Kur them të jashtëm kam parasysh ish agjentin e FBI-së, Charles McGonigal, i cili në dosjen e Departamentit të Drejtësisë, të transmetuar edhe prej jush, figuronte si i paguar nga qeveria shqiptare për të dëmtuar Partinë Demokratike në opozitë.
Sa i takon faktorit të brendshëm, mbipushteti i 11 viteve të fundit të Edi Ramës, i cili ka kapur të gjitha levat. I ndodhur para këtij rreziku, përfshirë këtu edhe një non grata, të cilën vet zoti Berisha e cilëson si të padrejtë – i këtij mendimi jam edhe unë, sepse faktet, dokumentet që janë kërkuar, mbi të cilat u shpall non grata zoti Berisha, nuk janë sjellë ende.

Pra ishte një precedent i paprecedentë, pra një kthim do të thoja unë, i pavullnetshëm. Vullnetar ishte ikja e zotit Berisha, e ka bërë gjestin e ikjes, dorëheqjes; i pavullnetshëm ishte rikthimi. Shkonte, mendoj unë, përtej zotit Berisha dhe kishte të bënte dhe ka të bëjë ende me fatet e opozitës.

Zëri i Amerikës: Zoti Lela, vendimi i Apelit, që i njohu drejtimin Partisë Demokratike, zoti Berisha u pa si një fund i një krize brenda kësaj force politike. Megjithatë testi i parë elektoral, që ishte Himara, rezultoi në një tjetër dështim përballë socialistëve. Kur ka mbetur më pak se një vit nga zgjedhjet e radhës, opozita duket e dobët dhe jo një alternativë bindëse për të marrë pushtetin. A ka kohë opozita për ta përmbysur këtë situatë në favor të saj?

Alfred Lela: Nuk e di, a do ta quaja dështim të opozitës. Do të doja të flisja me veten, duke iu drejtuar publikut tuaj, ata që na ndjekin, si ka mundësi që një qeveri, që ka shumicën në Shqipëri aktualisht, që është ajo e Edi Ramës, fiton, e thellon rezultatin pas skandaleve. Ka ndodhur kjo me Dibrën, ka ndodhur kjo me Rrogozhinën, ndodhi edhe me Himarën. Pra unë mendoj që pyetja ekzistenciale mendoj unë për fatet e vendit, jo më për Partinë Demokratike, apo Partinë Socialiste, është pse ndodh kjo? Pra si i përgjigjemi kësaj anomalie dhe a është Partia Demokratike viktimë e kësaj anomalie apo është përpunuese e saj? Unë mendoj që është viktimë e kësaj anomalie, e tillë është edhe shoqëria, sepse pyetja mbetet. Nuk ndodh askund në botë, edhe në vendet e botës së tretë, në Amerikë sigurisht jo e jo, që një kryebashkiak, një kryetar qeverie, një president të bëj skandal dhe të dalë më i fortë në raundin tjetër të zgjedhjeve. Ne përballë kësaj anomalie jemi. Sigurisht, opozita ka punët e veta për të bërë. Por pa rregulluar këtë anomali, pa u përballur me të, rregullimi vjen duke e pranuar, duke thënë që ekziston kjo anomali. Çfarë duhet të bëjmë? E ka fajin opozita?! Sepse, Shqipëria është edhe në këtë anomalinë tjetër.....

Zëri i Amerikës: Ju po thoni që janë manipuluar zgjedhjet?

Alfred Lela: Sigurisht që po. Do ta përsëris tani një slogan të vjetër të Partisë Demokratike: “Pa zgjedhje të lira nuk ka zgjidhje”. Dhe prandaj nuk ndodh asnjë zgjidhje. Prandaj, Rrogozhinën e humbet qeveria në raundin e parë dhe e fiton me rezultat dërrmues në raundin e dytë. Dibrën, pas skandalit seksual të ish kryetarit socialist të bashkisë….ndodh skandali dhe në raundin e tjetër fiton përsëri Partia Socialiste. E njëjta gjë ndodhi me Himarën. Kemi histori të tilla pa fund. Mendoj, se kjo është ajo me të cilën ne duhet të përballemi dhe duke filluar nga kjo të kërkojmë zgjidhjet.

Zëri i Amerikës: A nuk janë këto çështje, të cilat duhen ngritur në gjykata, duhen provuar gjithsesi? Ju mund të pretendoni që janë manipuluar zgjedhjet, por fakti është që ju vazhdoni të mbeteni në opozitë?

Alfred Lela: Po fakti është edhe që të gjitha kanë shkuar në gjykata. Tani futemi edhe në diskutimin e gjykatave, rolin e tyre dhe çuditërisht pandjeshmërinë e gjykatave mbi rënien e sistemit dhe atë që në Amerikë është shumë e shtrenjtë, po që duhet të ishte edhe në Shqipëri, pra në çdo vend demokratik: a ka ndarje të pushteteve? A është gjyqësori i ndarë nga ekzekutivi? A është Parlamenti i ndarë nga ekzekutivi? Apo të gjitha këto, në një mënyrë apo tjetër, janë nën kontrollin dhe trysninë e Kryeministrit të vendit.

Zëri i Amerikës: Zoti Lela, një vit më parë mbështetët tezën e mosbindjes civile, e cila u duk se ishte lënë në harresë. Tani po flisni për një qeveri teknike, por pa e shpjeguar se si do të shkohet deri aty. Cila është strategjia e opozitës?

Alfred Lela: Unë nuk i shoh si të ndara mosbindjen civile dhe qeverinë teknike. Pra, janë dy shina, që të çojnë në një drejtim. Mosbindja civile, sepse jetojmë në atë vend që është atdheu ynë, quhet Shqipëri dhe skandalet anulojnë njëri-tjetrin. Pra, janë kaq të shpejtë, kaq shpesh sa anulojnë njëri-tjetrin sa harrohen. Krimi, korrupsioni, onkologjiku rasti më i fundit. Pra, të gjitha këto trysni dhe babëzi në korrupsionin e qeverisë kërkojnë një mosbindje civile. Sigurisht, hyjmë sërish në një diskutim, që do të ishte i gjatë, që pse shoqëria nuk reagon, pse shoqëria ia drejton gjithmonë gishtin opozitës. Ky është një diskutim i gjatë dhe nuk dua t’i hy. Pastaj vijmë tek shina tjetër, që është qeveria teknike. Qeveria teknike, duhet pikërisht për të mos ia lënë këtij njeriu, që i fiton zgjedhjet skandal pas skandali. Humbet raundin e parë, sepse ka ndodhur një skandal, një padrejtësi dhe fiton në raundin e dytë sikur kërkesa e demokracisë, kushti i demokracisë të ishte “bëj një skandal që të rritesh”. Në çdo vend normal pas një skandali zvogëlohesh ose shkon në shtëpi, nuk shkon edhe më në majë.

XS
SM
MD
LG