Lidhje

Gjermania, e kujdesshme në hetimin për sulmin në gazsjellësin “Nord Stream”


Gjermania ka lëshuar një urdhër arresti për një shtetas ukrainas lidhur me shpërthimet, që dëmtuan tubacionet e gazsjellësit “Nord Stream”, që transportonin gaz natyror nga Rusia në Evropën Perëndimore.

Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Ricardo Marquina nga Berlini, mundësia e përfshirjes së Ukrainës në sulmin e vitit 2022, për të cilin ekspertët thonë se kontribuoi në një rritje globale të inflacionit, është një çështje e rëndësishme e këtij hetimi.

Gjermania, e kujdesshme në hetimin për sulmin në gazsjellësin “Nord Stream”
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:24 0:00

Prokuroria federale gjermane ka lëshuar një urdhër arresti për një shtetas ukrainas në kuadër të hetimit mbi shpërthimin në një pjesë të tubacioneve të gazit natyror, “Nord Stream” në vitin 2022.

Koalicioni qeverisës i Gjermanisë dëshiron ta trajtojë me shumë kujdes çështjen e këtyre akuzave, sepse hetuesit nuk janë plotësisht të sigurt se kush është fajtor për sulmin.

“Askush nuk e di saktësisht se kush ishte organizator i operacionit, dhe duket se tre shtetas ukrainas janë përgjegjës për sulmin në pronën gjermane. Por nuk ka asnjë lidhje deri tani, nuk ka asnjë provë, asnjë lidhje me qeverinë ukrainase”, thotë Ulrich Lechte nga Partia e Demokratëve të Lirë.

Wall Street Journal, duke cituar burime anonime në një artikull ekskluziv më 14 gusht, njoftonte se plani për sulmin fillimisht ishte miratuar nga presidenti ukrainas Volodymyr Zelenski, por ai ishte tërhequr përpara se anëtarë të tjerë të qeverisë së tij ta zbatonin atë.

Ndërprerja e gazit rus në Gjermani shkaktoi një rritje drastike të çmimeve të energjisë dhe bashkë me të edhe të inflacionit në të gjithë Evropën dhe në pjesën më të madhe të botës.

Sulmi, për të cilin raporti i gazetës Wall Street Journal fajëson zhytësit ukrainas, dëmtoi, por nuk e shkatërroi plotësisht tubacionin “Nord Stream 1” dhe ekspertët thonë se ai mund të rikthehet në funksionim. Sulmi dëmtoi gjithashtu gazsjellësin “Nord Stream 2”, hapja e të cilit ishte anuluar përpara se Rusia të fillonte sulmin në shkallë të gjerë ndaj Ukrainës.

“Njëri nga katër tubacionet nuk është dëmtuar nga sulmi. Me sa duket, zhytësit vendosën eksplozivët vetëm në dy linja. Pra, pati katër shpërthime, por dy prej tyre duket se ishin në të njëjtën linjë", thotë Sergey Vakulenko nga Qendra Carnegie për Rusinë dhe Euroazinë.

Nuk ka gjasa që Gjermania t'i kthehet konsumit masiv të gazit rus, edhe nëse Kievi dhe Moska arrijnë një marrëveshje paqeje. Dy analistë thanë për Zërin e Amerikës se që nga fillimi i agresionit rus në Ukrainë, Gjermania ka zhvilluar një model alternativ energjie, që është më i qëndrueshëm, por edhe më i shtrenjtë.

“Gjermania po bën një tranzicion drejt më shumë burimeve të energjisë së rinovueshme. Pjesa e energjisë së rinovueshme në sektorin gjerman të prodhimit të energjisë elektrike tashmë është afërsisht në nivelin 57 për qind”, thotë Claudia Kemfert nga Instituti Gjerman për Kërkime Ekonomike.

Në rrugët e Moskës, lajmi për përfshirjen e mundshme të Kievit në sulmin ndaj gazsjellësit “Nord Stream” po konkurron me atë të avancimit të Ukrainës në rajonin rus të Kurskut.

Disa ekspertë e shohin këtë veprim më pak si një shfaqje fuqie dhe më shumë si një luftë për kontrollin e një burimi të rëndësishëm ekonomik në Kursk.

"Hyrja e forcave të armatosura të armikut në territorin e Kurskut ngre shqetësime serioze për autoritetet ruse, pasi kemi të bëjmë me një betejë për kontrollin e sistemit të transportit të gazit", thotë ekonomisti Dmitry Potapenko.

Lufta e Rusisë në Ukrainë ka dëshmuar tashmë se ndikimi i saj shtrihet përtej fushëbetejës, duke prekur ekonominë globale dhe sektorin e energjisë.

XS
SM
MD
LG