Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës dërgoi të martën në Gjykatën Kushtetuese komentet lidhur me ligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave, që u miratua muajin e kaluar mes kundërshtimeve të ashpra të shoqatave të gazetarëve, opozitës dhe Bashkimit Evropian.
Dërgimi i komenteve pasoi dërgimin e ligjit në Gjykatën Kushtetuese nga dy parti opozitare gjatë muajit korrik.
“Ne besojmë se edhe komentet tona por edhe të palëve të tjera që kanë dërguar ligjin në Gjykatën Kushtetuese do ta bindin, shpresojmë, gjykatën se ligji është anti-kushtetuese dhe do të shfuqizohet në tërësi, pasi vet inicimi i tij, mënyra se si është hartuar, mënyra se çka përmban janë në kundërshtim me frymën e kushtetutës dhe në kundërshtim me lirinë universale të medias. Është shpresa jonë pra se do të ketë reflektim të Gjykatës Kushtetuese në këtë rast dhe se ligji nuk do të hyjë në fuqi”, tha kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Xhemajl Rexha.
Shoqatat e gazetarëve shpresojnë që gjykata ta rrëzojë ligjin dhe të mundësohet hartimi i një ligji të ri, që do të trajtonte shqetësimet e tyre, me ato që ato i quajnë, synime të qeverisë për të kontrolluar mediat në vend.
Por, përfaqësuesit e pushtetit thonë se ligji nuk cenon pavarësinë e medieve dhe është hartuar në frymën e udhëzimeve të Bashkimit Evropian.
Juristja e mediave Flutura Kusari tha se ligji bie ndesh me Kushtetuën në disa nene që kanë të bëjnë me rregullimin e funksionimit të komisionit, me parimin e barazisë gjinore, lirinë e medias dhe me pavarësinë e Komisionit të Pavarur për Media.
“Ne kemi argumentuar që disa prej neneve duhet të shfuqizohen mirëpo, po ashtu nëse këto nene shfuqizohen, ligji nuk mund të mbijetojë për shkak se bëhet i pazbatueshëm në praktikë prandaj shpresojmë që ligji do të shfuqizohet në tërësi. Përtej ndikimit që ky ligj ka në rregullimin e mediave dhe ky rast gjyqësor për neve është një ngjarje historike për shkak se është hera e parë që Gjykata Kushtetuese merret me një rast që ka të bëjë me lirinë e medias dhe aktgjykimi që do të merret tani do t’i paraprijë me dekada të tëra praktikave që Gjykata do të ndërtojë sa i përket lirisë së mediave”, tha zonja Kusari
Me 11 korrik deputetët e shumicës në parlamentin e Kosovës miratuan ligjin i cili mes tjerash parasheh licencimin e mediave online, monitorimin e tyre nga Komisioni i Pavarur i Mediave dhe dënime me gjoba të rënda për mediat që kryejnë shkelje ligjore.
Bashkimi Evropian që kishte bërë vlerësimin e projektligjit kishte kërkuar mes tjerash qartësimin e kërkesave për licencimin dhe regjistrimin e medieve në përputhje me standardet evropiane dhe qartësimin e sanksioneve dhe gjobave ndaj medieve.
Organizata të ndryshme ndërkombëtare të mediave kanë shprehur shqetësimin se ligji do të mundësojë kontrollin politik të organit rregullator dhe mund të ndikojë në pluralizmin e medias dhe pavarësinë e saj
Media online në Kosovë aktualisht vet rregullohet nëpërmjet Këshillit të Mediave të Shkruara duke u mbështetur në Kodin e Mediave të Shkruara të Kosovës.